Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Fjala e Kryetarit të zgjedhur të Kuvendit, z. Kadri Veseli

Të nderuar deputetë,
E nderuara Ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zonja Tracy Ann Jacobson,
Të nderuara shkëlqesi, ambasadorë të vendeve partnere të Kosovës,
Të nderuar udhëheqës të misioneve të KFOR-it, OKB-së, OSBE-së,
E nderuara nënkryetare e Parlamentit Evropian, Zonja Lunaçek,
Të dashur qytetarë të Republikës,

Më lejoni të filloj fjalimin tim si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës duke shprehur respektin më të thellë për gjithçka që kemi arritur bashkërisht që nga momenti i lirisë sonë. Jemi këtu të gjithë ne, para qytetarëve tanë, duke falënderuar së pari familjet e shenjta mbi supet e të cilëve është ngritur liria jonë: familjet e dëshmorëve si themele të lirisë dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës.


Për të gjithë ne këtu dhe qytetaret e Republikës së Kosovës: Adem Jashari është inspirim dhe sinonim sublim i vlerave më të shenjta liridashëse,


Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte kapitulli i fundit, por më i rëndi, dhe më i rëndësishmi i betejës sonë shekullore për liri.
Shfrytëzoj rastin të përmend edhe rezistencën paqësore dhe veprën e Presidentit të ndjerë Rugova që arriti të mobilizojë të gjitha shtresat e shoqërisë Kosovare në kërkesën për liri dhe pavarësi.

Të nderuar deputetë,
Qytetarë të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,


Ky Kuvend do të jetë një vend i debateve inkluzive dhe e kompromiseve, e jo metodave dhe gjuhës përjashtuese. Unë, që nga sot, si kryetar i juaj i zgjedhur, me devotshmëri do të respektoj fjalën tuaj deputetë të nderuar të opozitës dhe pozitës. Do të angazhohem që debatet tona pozitë-opozitë të jenë mbi politikat ditore, mbi mos marrëveshjet personale, por në angazhim të interesit të vendit.


U ovom trenutku, veoma važno je potencirati da je ovo Skupština svih zajednica Republike Kosova. Meni je izuzetna čast ali i velika odgovornost da budem Predsednik Skupštine gde će po prvi put biti predstavljeni svi građani, svih delova i svih zajednica Kosova. Čestitamo svima.


Ky do të jetë Kuvend i një fillimi të ri, një faze të re dhe një misioni të ri por kemi edhe kontinuitet të pashlyeshëm.
Kontinuiteti qëndron në vlerat tona që kemi përqafuar, kur kemi rezistuar dhe luftuar për liri dhe për ta ndërtuar Kosovën e pavarur si pjesë e vlerave Euro-Atlantike.


Vlera të cilat janë të betonuara në Kushtetutën e Republikës ku gjinia, raca, gjuha, feja, etnia dhe orientimi seksual nuk janë bazë e diskriminimit. Vlerat civilizuese perëndimore që ruhen dhe promovohen vazhdimisht nga partnerët tanë strategjik, BE-ja dhe mbi të gjitha, SHBA-ja.


Këto vlera bazohen në shtetin e së drejtës, demokracinë parlamentare, shoqërisë sekulare dhe të hapur dhe si Kuvend do të punojmë të arrijmë suksese të reja në ngritjen e këtyre vlerave.

Të nderuar deputetë,


Më lejoni që në pika të shkurtra të shpalos synimet tona parlamentare. Do të punojmë me përkushtim që të aprovojmë:


Ligje të cilat krijojnë ambient për zhvillimin e vendit tonë, ligje që përshpejtojnë rrugën tonë drejt integrimeve Euro-atlantike dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës,


Ligje dhe vendime që do të sjellin vende të reja të punës dhe ekonomi zhvillimore që premton mundësi dhe shpresë për çdo qytetar që do punë dhe dëshiron shans për jetë më të mirë.


Ky do të jetë Parlamenti që do të ratifikojë Konventat që NE të jemi anëtar të Këshillit të Evropës si dhe Partneritetin për Paqe me NATO-n. Pra ky do të jetë edhe Kuvendi që do t'i themelojë Forcat e Armatosura të Kosovës;


Fuqizim të partneritetit tonë ndërkombëtar dhe përmbushje të obligimeve tona si Marrëveshja historike e Brukselit, luftimin e ekstremizmit si dhe obligimet tjera si vlerë e partneritetit tonë ndërkombëtar.


Ne duhet të angazhohemi fuqimisht që Kosova të vazhdojë traditën e saj si një vend tolerant dhe shembull global i bashkëjetesës fetare dhe etnike. Kjo është një pasuri e Kosovës të cilën ne duhet ta respektojmë dhe kultivojmë pa dallim partiak dhe ta ruajmë si vlerë kombëtare.


Do të punojmë fuqimisht që pakicat e Kosovës të mos jenë asnjëherë të rrezikuara nga shumica. Ne posaçërisht si shqiptar, kemi parë dhe kemi përjetuar se çfarë do të thotë të jesh i shtypur dhe të ndihesh inferior si qytetar. Si kryetar i Kuvendit, jam i vendosur që në Kosovë të mos krijohet kurrë më një klimë që qytetarët tanë të diskriminohen mbi bazën e etnisë apo t'i nënshtrohen gjuhës së urrejtjes së shumicës.

Të nderuar deputetë,


Më lejoni të përfundoj me një premtim se puna Juaj për të ndërtuar një Kosovë demokratike, do të pasqyrohet në përkushtimin e të gjithë neve në këtë Kuvend dhe qindra mijëra qytetarëve që na përcjellin aktualisht, që nga dita e nesërme të jemi edhe më të bashkuar, më solidar duke trasuar mbi rrugën që kaluan shumë gjenerata deputetësh para nesh.


Me shpresë në ndihmën e Zotit dhe me dashuri të patundur ndaj Kosovës, ju falënderoj për vëmendje.

 

 

 

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com