Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Intervistë e Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, dhënë Agjencisë së lajmeve “Kosovapress”

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, i cili po merr pjesë në seancën inauguruese të asamblesë parlamentare Euro-Amerikanolatine në Panama, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se synimi i tij është ndërtimi i urave alternative të komunikimit, ndikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe vendeve të kësaj pjese të botës.

Shkëmbimi i përvojave në fushën e parlamentarizmit dhe shqyrtimi i mundësive të bashkëpunimit në sfera të ndryshme të ekonomisë, politikës, artit, sportit e kulturës, me këto vende, përbën rëndësi të veçantë për Veselin. Ndërsa, për njohjet e reja të shtetësisë së Kosovës, ai thotë se tashmë vendi ka hyrë në një fazë më të ndërlikuar të procesit të njohjeve, pasi që janë shteruar vendet që kishin predispozicion të na njohin dhe kanë mbetur vendet më të vështira. Gjithashtu, për KosovaPress, kryeparlamentari Veseli bën të ditur se Kuvendi i Kosovës ka nisur edhe përpjekjet për anëtarësim në Unionin Ndër-Parlamentar, që është organizatë globale ndër-parlamentare, në të cilën bëjnë pjesë 163 parlamente të shteteve të ndryshme të botës.

KosovaPress: Cili është qëllimi i vizitës që jeni duke zhvilluar në Panama?
Veseli: Vizita ime është bërë në kuadër të diplomacisë parlamentare, e cila është një veprimtari që po merr peshë gjithnjë e më të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Unë jam duke marrë pjesë në seancën inauguruese të asamblesë parlamentare Euro-Amerikanolatine dhe do të vizitoj gjithashtu edhe Parlamentin Amerikanolatin me qëllim të ndërtimit të urave alternative të komunikimit, ndikimit e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe vendeve të kësaj pjese të botës.


Rëndësi të veçantë gjatë këtyre ditëve po i kushtojmë edhe takimeve me deputetë nga vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, sepse ata luajnë një rol të rëndësishëm në vendet e tyre dhe në vendimet që marrin për çështje të politikës së tyre të jashtme. Komunikimi e dialogu me figura përfaqësuese nga këto vende është i domosdoshëm për të ndryshuar klimën e marrëdhënieve mes vendeve tona, në mënyrë që gradualisht të krijohen kushtet për të siguruar edhe njohje të tjera të shtetit të Kosovës. Përpos kësaj kam pasur si objektiv që të bisedoj edhe për shkëmbime përvojash në fushën e parlamentarizmit dhe për shqyrtimin e mundësive të bashkëpunimit në sfera të ndryshme të ekonomisë, politikës, artit, sportit e kulturës me këto vende.

KosovaPress: Ju jeni duke realizuar një vizitë në një zonë ku ka shumë vende që nuk e njohin Kosovën. Si e shpjegoni nivelin e ulët të njohjeve të Kosovës në periudhën e fundit?
Veseli: Besoj se Kosova falë edhe mbështetjes së çmuar të vendeve mike doli goxha e suksesshme në procesin e sigurimit të 108 njohjeve ndërkombëtare dhe një numri të madh të anëtarësimeve në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, kur krahasohet me përpjekjet e vendeve të tjera që nuk kanë pasur anëtarësim në OKB gjatë së kaluarës. Pajtohem me orientimet aktuale të politikës sonë të jashtme që e kanë vënë theksin tek integrimi euro-atlantik, diplomacia ekonomike e publike, dialogu me Beogradin, si dhe tek konsolidimi i marrëdhënieve me rajonin tonë dhe vendet që na njohin. Tashmë duhet të kuptohet se kemi hyrë në një fazë më të ndërlikuar të procesit të njohjeve, pasi janë shteruar vendet që kishin predispozicion të na njohin dhe na kanë mbetur vendet më të vështira. Nga njëra anë, një pjesë e këtyre vendeve kanë bërë zgjedhje gjeostrategjike, që bien ndesh me orientimin euro-atlantik të Kosovës dhe, për rrjedhojë, duke refuzuar të njohin Kosovën, ata faktikisht mbajnë një qëndrim ndaj pozicionimit tonë. Nga ana tjetër, shumë nga këto vende kanë probleme të mprehta të brendshme dhe gabimisht mendojnë se po ta njohin Kosovën ata do t'i inkurajojnë këto probleme. Përpjekjet në këtë proces duhet të vazhdojnë në mënyrë konstante edhe në të ardhmen, mirëpo paralelisht Kosova duhet që në sferën e politikës së jashtme të përqendrohet edhe në objektiva që janë me shpejt të realizueshme dhe më të prekshme për qytetarin. Konkretisht unë mbështes përpjekjet që po bëhen për diplomacinë ekonomike, sepse ato do të nxisin zhvillimin e vendit dhe do të hapin vende të reja të punës.

KosovaPress: Sa mendoni se do kenë ndikim aktivitetet ndërkombëtare në kuadër të parlamentarizmit?
Veseli: Diplomacia parlamentare padyshim se nuk mund të zëvendësojë mjetet dhe qasjen konvencionale të diplomacisë dhe kurrsesi nuk ka të njëjtin impakt me institucionet e specializuara në këtë fushë, mirëpo mund të ketë një rol të madh ndihmues dhe plotësues. Kuptohet që tradicionalisht parlamentet kanë pasur rol të madh në politikën e jashtme nëpërmjet komisioneve të tyre të jashtme, kontrollit që i ushtrojnë ekzekutivit, legjislacionin që aprovojnë apo traktatet ndërkombëtare që ratifikojnë. Mirëpo, tashmë parlamentarët po angazhohen gjithnjë e më shumë edhe në takime bilaterale e multilaterale. Gjithashtu, parlamentet po kanë një rol gjithmonë e më të madh në vendimmarrjen e organizatave dhe rasti më i rëndësishëm është edhe Parlamenti i Bashkimit Evropian pas traktatit të Lisbonës. Dua të theksoj se angazhimi im si kryetar dhe përfaqësues i Kuvendit të Kosovës në takime dhe aktivitete ndërkombëtare i shërben në mënyrë të veçantë komponentit të diplomacisë publike. Duhet pasur parasysh që deputetët janë aktorë që kanë goxha ndikim e peshë në krijimin e opinionit publik të vendeve respektive dhe përmes kontakteve me opinionbërës munden që në mënyrë të tërthortë të promovojnë imazhin e Kosovës në botë.

KosovaPress: Sa ka rëndësi imazhi i Kosovës kur dihet se ende nuk e kemi ulësen në OKB, kemi mbetur të vetmit në rajon që kanë nevojë për viza në zonën Shengen dhe gjendemi akoma larg BE-së e NATO-s?
Veseli: Imazhi i një vendi sot ka një peshë gjithnjë e më të madhe në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Me një imazh më pozitiv për Kosovën edhe vendimet e ndërmarra nga vendimmarrësit do të jenë më pozitive për ne dhe këto procese që ju përmendni do të përshpejtoheshin. Gjithashtu, ne e dimë mirë se edhe te mallrat apo shërbimet, kur një kompani që i ofron ato gëzon një emër të mirë, asaj i shtohen shitjet dhe investimet. Ngjashëm ndodh edhe me reputacionin e një vendi. Duke përmirësuar dhe konsoliduar imazhin e Kosovës nëpër botë, ne jo vetëm që do ta vendosim vendin në një pozitë më të mirë në aspektin institucional të marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe do të mund të joshim investime të drejtpërdrejta, të tërheqim turistë të huaj, por edhe të rrisim eksportet kosovare.

KosovaPress: Pas kësaj vizite në parlamentin Euro-Amerikanolatin (EUROLAT) dhe në atë Amerikanolatin (PARLATINO), a keni parashikuar aktivitete të tjera të diplomacisë parlamentare?
Veseli: Përveç veprimtarisë së ngjeshur parlamentare të politikës së brendshme, unë kam përgatitur edhe një agjendë të mirëfilltë ndërkombëtare, që në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Punëve të Jashtme ta shfrytëzojmë sa më mirë hapësirën që na mundësohet nga parlamentarizmi për interesat e Kosovës. Në këtë kuadër, së pari ne kemi nisur përpjekjen për anëtarësimin e Kuvendit të Kosovës në Unionin Ndër-Parlamentar, e cila është një organizatë globale ndër-parlamentare e themeluar që në vitin 1889. Kjo organizatë me qendër në Gjenevë është një ndër forumet më të hershme dhe më të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare, sepse sot në të bëjnë pjesë 163 parlamente. Duhet pasur parasysh se një pjesë e mirë e organizatave ndërshtetërore ku synon të anëtarësohet Kosova kanë si pjesë thelbësore të vendimmarrjes asambletë parlamentare. Bashkimi Evropian ka parlamentin e vetë dhe gjatë vizitës sime në Panama kam pasur mundësi edhe të takohem e të bisedoi me europarlamentarë. Gjithashtu, asamble parlamentare ku marrin pjesë përfaqësues të vendeve anëtare kanë edhe organizata të tjera të rëndësishme që janë objektiv i vendit tonë, si NATO, Këshilli Evropian, OSBE e kështu me radhë. Diplomacia parlamentare mund të ofrojë një shteg tjetër në përpjekjet lobuese të Kosovës për anëtarësi. Ngjashëm me EUROLAT dhe PARLATINO ka asamble përfaqësuese të shumë parlamenteve edhe në pjesë të tjera të botës, ku Kosova ka një nivel më të kufizuar njohjesh dhe kontaktesh. Të tilla për shembull janë ato me të cilat unë do të përpiqem të vendos kontakte dhe organizoj vizita zyrtare edhe në të ardhmen. /KosovaPress/

 

 

 

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com