Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Fjala e Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, e mbajtur më 14 maj 2015

Fjalë rasti e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, e mbajtur në ceremoninë e organizuar më 14 maj 2015, në institucionin e arsimit universitar AAB në Prishtinë, me rastin e 9 vjetorit të shtetësisë së Malit të Zi


I nderuari nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi, z. Mustafiq,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Malit të Zi, ambasadorë, intelektualë,
Të nderuar të pranishëm,

Kam kënaqësinë që në këtë ambient shumë miqësor dhe akademik të diskutojmë së bashku për fqinjësinë e mirë mes vendeve të rajonit tonë. Në rastin konkret në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Të dy vendet tona janë duke jetuar një epokë të re marrëdhëniesh, të bazuara mbi parimet e fqinjësisë së mirë, mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë.

Nisur nga ky fakt, ne sot mund të konstatojmë se marrëdhëniet në mes dy vendeve tona janë një shembull shumë pozitiv për të gjithë rajonin tonë dhe më gjerë.

Kosova është e përkushtuar që këtë model marrëdhëniesh ta zhvillojë me të gjithë fqinjët e saj.
Pavarësia e Malit të Zi, e konfirmuar nga vullneti i popullit në vitin 2006, ka qenë pa diskutim një ngjarje progresive për paqen, stabilitetin dhe forcimin e demokracisë në Ballkanin perëndimor.
Këtë ndikim progresiv, unë e shoh në dy rrafshe:

Së pari, pavarësia e Malit të Zi ishte një argument edhe më shumë se çdo projekt i vazhdimësisë së ish Jugosllavisë, ishte historikisht i tejkaluar dhe politikisht i rrezikshëm.

Jugosllavia komuniste kishte vdekur, ndërsa përpjekja që nën emrin e saj të ndërtohej një shteti ri jugosllav, ku hegjemoninë do ta kishte Beogradi, pati pasoja fatale për popujt e ish Jugosllavisë.

Millosheviqi aspironte të rindërtonte, mes popujve të ish Jugosllavisë, marrëdhëniet politike të kohës mes dy luftërave botërore,
- kur pushteti real ishte në duart e serbëve,
- ai formal në duart e sllovenëve e kroatëve,
- ndërsa shqiptarët, malazezët dhe të tjerët duhej të pajtoheshin me statusin e qytetarëve të dorës së dytë.
Lidershipi postkomunist në Malin e Zi ka ndjekur në vazhdimësi kursin e rezistencës ndaj këtyre aspiratave dhe referendumi i vitit 2006 është fitore e plotë e këtij kursi.

Rajoni jonë përbëhet nga popuj:
- që historikisht kanë jetuar pranë njëri tjetrit,
- kanë bashkëpunuar me njëri tjetrin,
- kanë këmbyer prodhimet e njëri tjetrit,
- kanë ndikuar në jetën shpirtërore të njëri tjetrit,
dhe çdo përpjekje për hegjemoni gjithmonë ka shkaktuar trazira dhe konflikte, nga të cilat kanë pësuar më se shumti njerëzit tanë.

Në rrafshin e dytë, pavarësia e Malit të Zi e vitit 2006, duke ndodhur pikërisht në momentet e bisedimeve ndërkombëtare për statusin e Kosovës, padyshim ka ushtruar një ndikim pozitiv, duke dhënë argument shtesë se pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm dhe i domosdoshëm, politikisht dhe historikisht.

Nëse vetë qytetarët e Malit të Zi, që nuk kishin përjetuar dhunën e ushtrisë së Millosheviqit, nuk dëshironin që të jetojnë nën një çati politike me Beogradin, pse duhej kërkuar diçka e tillë nga ne kosovarët, që sapo kishim lënë pas një luftë me mijëra viktima, me 1 milion të dëbuar dhe me vendin e shkatërruar.

Pavarësia e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi ishin goditje finale të projekteve të nacionalizmit serb për hegjemoni dhe si të tilla një faktor emancipimi për vet Serbinë.

Me pavarësinë e Kosovës dhe të Malit të Zi, Serbia ka fituar shansin për të kuptuar se mirëqenia e kombit serb nuk qëndron në sundimin mbi të tjerët, por tek zhvillimi i brendshëm demokratik dhe raportet e mira me fqinjët.

Duke mos e njohur Kosovën, Beogradi zyrtar vazhdon të mbahet i kapur nga e kaluara.
Ky është një shërbim i keq që i bëhet vet popullit serb.

Duke u mbajtur për të kaluarën, rrezikon të humbësh vizionin për të ardhmen, që për të gjithë ne që jetojmë në këtë pjesë të Evropës, është vizioni për integrimet euro-atlantike.

Ne, sot jemi të lumtur që Prishtina dhe Podgorica kanë të njëjtat pikëpamje mbi nevojat aktuale të rajonit dhe të ardhmen e tij.

Mbi këtë bazë, të dy vendet tona janë duke zhvilluar marrëdhënie shumë të mirë në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.

Liria e lëvizjes së qytetarëve në mes dy vendeve tona po tregon gjithë fuqinë e saj për të krijuar më shumë paqe, mirëkuptim dhe bashkëpunim reciprok.

Pikërisht këtë e kërkojnë qytetarët tanë nga ne, dhe bashkë me ta edhe Evropa.

Ju faleminderit!

 

 

 

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com