Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Fjalim i mbajtur në Samitin e Kosovës kushtuar të Drejtës ndërkombëtare dhe të Drejtat e njeriut 2015

Përvjetorët e ngjarjeve të mëdha, janë momente reflektimi dhe vlerësimi për proceset historike dhe shoqërore.


Këtë vit kemi 70 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Kjo luftë ka qenë konflikti më tragjik dhe më i përgjakshëm në histori. Ajo la pas afër 60 milion viktima, shkatërroi Evropën, shumë pjesë tjera të botës, dhe lëndoi rëndë vizionin humanist të Evropës.


70 vite më parë, të nesërmen e përfundimit të luftës, njerëzit shtruan një pyetje themelore: si të bëhej e mundur që një tragjedi e tillë të mos përsëritej asnjëherë më.


Përgjigja në këtë pyetje ishte në nevojën urgjente për të krijuar një rend të ri ndërkombëtar, të bazuar, jo mbi forcën brutale por mbi të drejtën ndërkombëtare.


Ishte e nevojshme, që kjo e drejtë ndërkombëtare, të mos ishte vetëm e drejtë ndërkombëtare e shteteve sovrane, por edhe një e drejtë që përfshin në vete parimet e lirive individuale dhe të drejtat e njeriut.
Në këtë frymë, u krijua Organizata e Kombeve të Bashkuara.


Kjo organizatë solli një varg dokumentesh të rëndësishme, në mesin e të cilave është edhe Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut.


Siç e dimë, për një kohë të gjatë, OKB ka qenë e bllokuar nga rrethanat e Luftës së Ftohtë, por është evidente se procesi i integrimit të të drejtave të njeriut brenda të drejtës ndërkombëtare ka ecur përpara.


Të nderuar të pranishëm,


Sot të drejtat e njeriut përbëjnë instrumentin më të rëndësishëm në botë për të frenuar ambiciet joligjore, arrogancën, abuzimet dhe arbitraritetin e pushtetit politik, në nivel global.


Të drejtat e njeriut janë bërë kodi moral i shoqërive bashkëkohore demokratike. Që ky kod të funksionojë është i nevojshëm një kusht i domosdoshëm.


Ky kusht është demokracia.


Prandaj, lufta për demokracinë, është njëkohësisht lufta për ta bërë botën më paqësore dhe më humane. Ne në Kosovë, i njohim mirë sfidat e raportit në mes të drejtës ndërkombëtare në njërën anë dhe demokracisë e të drejtave të njeriut në anën tjetër.


16 vite më parë, populli ynë u gjet i përfshirë në një situatë shumë të rëndë, si pasojë e këtyre sfidave.
Në njërën anë, aspirata e popullit tonë për liri dhe çlirim nga një regjim represiv ishte në rrezik të binte viktimë e parimit të së drejtës ndërkombëtare që njeh sovranitetin klasik të shtetit.


E në anën tjetër, ishte mundësia që kjo aspiratë të mbështetej në kodin e të drejtave natyrore të njeriut.
Derisa Millosheviqi e mbështeste terrorin e tij duke u bazuar në modelin rigid të sovranitetit të shtetit, Perëndimi e bëri të qartë se të drejtat natyrore të njeriut për jetë të pacenuar dhe liri, janë mbi të drejtat e shtetit.


Shteti duhet të gjunjëzohet para Jetës, Lirisë dhe Pronës së njeriut, thoshte babai i liberalizmit, Xhon Lloku. Në të kundërtën shteti bëhet i paligjshëm dhe njerëzit duhet të ngrihen kundër tij.


Shqiptarët e Kosovës para se të ishin shtetas të këtij apo atij shteti, ishin qenie njerëzore me të drejta natyrore të patjetërsueshme nga askush.


Në këtë rrafsh, intervenimi i NATO-s në luftën e Kosovës, ishte një zgjidhje ushtarake e konfliktit të vjetër filozofik në mes të së drejtës natyrore dhe pozitivizmit juridik, në favor të së drejtës natyrore të njeriut.
Një intervenim kundër një shteti të paligjshëm.


Pa filozofinë juridike liberale të civilizimit perëndimor kjo nuk do të ishte e mundur.


Prandaj ne sot kemi obligim moral, njerëzor, politik dhe historik që të punojmë në vizionin që del nga kjo filozofi.


Ky është vizioni i paqes demokratike ndërkombëtare.


Ju faleminderit!

 

 

 

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com