Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Fjalë e rastit, në shënimin e 17- vjetorit të Masakrës së Reçakut

Ngjarjet e mëdha në historinë e një populli nuk janë vetëm shenja të së kaluarës, por, edhe shenja që na flasin për të tashmen dhe të ardhmen. I tillë është edhe 15 janari i vitit 1999.

Pesëmbëdhjetë Janari i Reçakut dhe i gjithë Kosovës. Pesëmbëdhjetë Janari i botës që beson tek paqja dhe liria. 17 vite më parë, Kosova po kalonte njërin nga dimrat më të rëndë në historinë e saj. Dimrin e fundit të robërisë njëshekullore.

Rezistenca e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk po thyhej dot. As përkrahja e popullit për djemtë dhe vajzat e saj. Përkrahja vetëm sa vinte duke u rritur. Populli i Kosovës kishte hyrë në rrugën e pakthyeshme të lirisë.

Prandaj edhe zemërimi i okupatorit sa vinte e bëhej edhe më i egër, më çnjerëzor. Ishte zemërimi i një okupatori që po e humbte luftën.

Ishte dheu i Kosovës që po i rrëshqiste nën këmbë këtij okupatori pas një shekulli sundimi.

Të nderuar të pranishëm,

Me 15 janar 1999 egërsia e tij mbuloi fshatin Reçak. Me dhjetëra burra të Reçakut, të rinj e të moshuar, u nxorën nga shtëpitë e tyre dhe u vranë barbarisht mbi kodrën e fshatit. Vetëm pse ishin shqiptarë. Vetëm pse nuk pranonin nënshtrimin. Vetëm pse donin të ishin të lirë.

Krimi tronditi Kosovën, tronditi Evropën dhe gjithë botën mbarë. Kodra mbi fshatin Reçak u bë epiqendra e vëmendjes së gjithë botës. U bë kodra e ndërgjegjes së vrarë të Evropës dhe gjithë njerëzimit.

Aty u shfaq drama e vërtetë e luftës së Kosovës,
• drama e një populli që kërkon lirinë,
• dhe drama e një regjimi që me dhunë e terror synon ta mbajë të nënshtruar.

Ishte një dramë e luftës në mes të të mirës dhe së keqes. Dhe ndodhi ajo që ndodhë gjithmonë. Bota u bashkuar rreth së mirës, rreth të vërtetës. Bota u bashkua rreth Reçakut. Sulmi barbar mbi Reçak u kthye kundër vetë barbarëve.
Pas 15 janarit rrjedha e historisë filloj të ecë më shpejt drejt çlirimit përfundimtar të Kosovës.

Të nderuar të pranishëm,

Sikurse thash në fillim, ngjarjet e mëdha nuk janë vetëm shenja të së kaluarës, ato janë pika reference edhe kur duam ta vlerësojmë të tashmen dhe ndërtojmë të ardhmen. 17 vite më parë Reçaku bashkoi botën për lirinë e Kosovës

Por, ku është sot Kosova pas 17 vitesh?

Ne e fituam lirinë, e shpallëm pavarësinë, e ndërtuam shtetin, por a jemi duke u kujdesur sot aq sa duhet për këto vlera të arritura me mund e sakrifica.

Zhvillimet e fundit në vendin tonë nuk janë shenja të mirë në këtë drejtim. Sot jemi vënë para dilemës se a ishte më vështirë dje ta fitojmë lirinë, apo sot ta mbajmë atë!
Sot, shteti i Kosovës ballafaqohet me vështirësi që askush nga ne s'do t'i kishte paramenduar 17 vite më parë.

Fakti është: jemi të lirë, kemi shtet, por sot ne nuk po mund të merremi vesh mes veti.

Në vend të zhvillimit ekonomik, përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë, thellimit të partneritetit më SHBA dhe BE-në, po zhytemi në thatësi mendimi, konfliktualitet dhe fyerje mes veti, dhe dëmtim të partneritetit ndërkombëtar.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Sot derisa ne po e dëmtojmë imazhin tonë, zëdhënësit e luftës në Beograd po krijojnë reputacion të mirë dhe po e integrojnë vendin e tyre në Bashkimin Evropian!

A është mirë të reflektojmë, jo vetëm për hir të sakrificës, Reçakut, Prekazit, Mejes, Rezallës, Studimes, Lluzhanit... Por edhe për hir të fëmijëve që po rriten në këtë shtet.


Të nderuar të pranishëm,


Prekazi si Reçaku, sot na thërret, të jemi shtet dinjitoz, më afër SHBA-së dhe BE-së, me qytetarë që nuk nëpërkëmbën, që nuk kërkojnë lëmoshë, por janë krenarë me shtetin e tyre, identitetin e tyre, dhe të kaluarën e tyre.

Në një shtet ku nuk tolerohet abuzimi, urrejtja, fyerja, një vend ku respektohet ligji, jeta, liria, luftëtari i lirisë, sakrifica, liria, miqtë ndërkombëtarë.

Është koha për rikthim tek vetja. Të ndarë nuk do të arrijmë askund, të bashkuar i arrijmë të gjitha.

Nderim të përjetshëm kujtimit të martirëve dhe dëshmorëve!

 

 

 

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com