Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Fjalë rasti për nder të 8 Marsit, Ditës së grave, në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës

E nderuara Presidente Jahjaga, të nderuara deputete, të nderuar përfaqësues të Korit Diplomatik, të nderuara të pranishme,

Sot me rastin e ditës së 8 Marsit, që njihet si ditë e sakrificës së grave duke kërkuar të drejtat e tyre, më lejoni dhe nga këtu - Kuvendi i Republikës së Kosovës, të përçoj mesazhin së pari duke ju uruar festën e 8 marsit, dhe së dyti të theksoj se tani në procesin e shtetndërtimit, shoqëria jonë kosovare ka nevojë edhe për një sakrificë tjetër të grave, të cilat duhet të ngrihen dhe ta avancojnë veten përmes pjesëmarrjes në proceset e vendimmarrjes.


Muajin e kaluar shënuam 8-vjetorin e pavarësisë së shtetit tonë, dhe sot në këtë ditë tuajën të nderuara gra, më duhet patjetër të përmend gjithë sakrificën dhe kontributin që edhe ju dhatë në rrugëtimin tonë të vështirë e të gjatë. Shumë nga ju ishit mjeke që shëruat breza të tërë, shumë nga ju ishit mësuese që edukuat e mbollët vlerat më të larta në brezat e rinj, shumë nga ju ishit heroina gjatë luftës së fundit, e shumë nga ju mbijetuat tmerrin e luftës dhe vazhduat të përballeni të vetme në heshtje me tmerret dhe aktet çnjerëzore të kryera mbi ju - gratë e vendit tonë.


Më 12 qershor, vitin e kaluar, kur po shënonim Ditën e çlirimit të Kosovës, Prishtina u kthye në kryeqendrën e promovimit të të drejtave të njeriut, të drejtave të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, me instalacionin artistik "Mendoj për ty", të artistes Alketa Xhafa-Mripa dhe producent Anna Di Lellio.


Sot, ne nuk heshtim më, sot ne jemi zëri i të mbijetuarave. Qëndrojmë të përkushtuar, të palëkundur, të pa kompromis, për të garantuar të drejtat e tyre për jetë në paqe me dinjitet, për t'ju ofruar atyre mbrojtjen institucionale dhe shoqërore, duke ndërmarrë hapa të vazhdueshëm për rehabilitimin, riintegrimin dhe risocializimin e tyre të plotë.


Të gjithë së bashku treguam mbështetjen tonë për të mbijetuarat dhe së bashku qëndrojmë në dënimin e këtij krimi lufte, duke kërkuar njëzëri drejtësinë e shumë-merituar për të gjithë qytetarët e vendit tonë.


Tani më shumë se kurrë, vendi ynë ka nevojë për juve, sepse një shtet nuk mund të ketë zhvillim të plotë pa gjysmën tjetër të shoqërisë, e gjysma tjetër e shoqërisë sonë jeni ju zonja të nderuara. Gjithë energjinë tuaj dhe gjithë potencialin e rinisë sonë duhet ta orientojmë në zhvillimin e gjithmbarshëm të shtetit tonë, sepse perspektiva jonë është një perspektivë e hapur. Ne tanimë e kemi orientuar vetveten drejt procesit të integrimeve evropiane dhe euroatlantike dhe në këtë rrugë, përkundër reformave të domosdoshme dhe të dhimbshme që i kemi, na duhet një punë e përbashkët në mes të qytetarëve tanë dhe institucioneve të vendit.


Ne kemi kaluar shumë sfida dhe jemi përkushtuar të kalojmë shumë reforma, më duhet të pranoj se ende kemi sfida, përkundër reformave të shumta që kemi arritur në legjislacion për barazinë gjinore, ne ende përballemi me sfida të shumta.


Duhet të punojmë edhe më shumë që të ngrisim vetëdijen e qytetarëve për barazi ekonomike dhe gjinore, gjendjen e vështirë ekonomike dhe pjesëmarrje e ulet ne arsimim, janë këto ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në trajtimin jo të barabartë të grave dhe burrave në Kosovë. Vazhdojnë te mbeten sfida te shoqërisë sonë, shkalla e ulët e punësimit të grave, qasje në shërbimet shëndetësore, integrimit në ekonomi, pjesëmarrjen në administratën publike dhe në postet vendimmarrëse.


Kosova ka ligje të mira që garantojnë barazinë gjinore dhe të drejtën e gruas ne përgjithësi. Por është tradita dhe zakonet e shoqërisë tonë që femrën e kanë përjashtuar nga kjo e drejtë. Ne duhet të punojmë të gjithë më shumë që të krijojmë një ambient të përshtatshëm i cili i zbaton ligjet dhe pranon këto vlera të reja të gruas. Prandaj nuk duhet lejuar qe gruaja te përjashtohet nga e drejta e trashëgimisë apo nga ndonjë e drejtë tjetër universale.
Si institucione, duhet të bëjmë edhe më tepër për sfidën që po na rëndon si shoqëri - dhunën në familje, duhet të synojmë të ofrojmë siguri ligjore dhe institucionale për viktimat e dhunës në familje.


Më lejoni të kthehem edhe njëherë dhe të falënderoj gjenerata të tëra të grave për heroizmin, sakrificën, kontributin e tyre në shtetndërtimin e tyre. Gjithashtu më lejoni të falënderoj edhe Presidenten Jahjaga për punën e saj të palodhshme për promovimin e të drejtave të gruas, e sidomos për përkrahjen e madhe që u dha grave që përjetuan dhe ende përjetojnë dhimbje nga plagët e hapura nga ky krim lufte.


Dhe në fund, të dashura Zonja, ju ftoj që së bashku ta ndërtojmë një Kosovë ku secila grua të ketë të drejta të barabarta, një Kosovë ku gratë janë sipërmarrëse të suksesshme, profesoresha, mësuese, shkencëtare, artiste, apo çka do dhe çfarëdo që ato dëshirojnë të bëhen, dhe të marrin pjesë në çdo segment të jetës në shoqërinë tonë. Më lejoni të shpreh hapur përkushtimin tim personal se mua do të me keni përkrahës dhe mbështetës në këtë rrugëtim. Ta bëjmë këtë së bashku për gjeneratat e reja, për fëmijët tanë!


Duke ju ftuar ta ndjekim dokumentarin "Mendoj për Ty" më lejoni të përfundoj me thënien:
Të drejtat e gruas janë të drejta të njeriut, dhe të drejtat e njeriut janë të drejtat e gruas!

 

 

 

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com