Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Fjalë rasti në përkujtim të dëshmorëve, martirëve dhe viktimave të Izbicës, të mbajtur në Izbicë, më 28 Mars 2016

Të nderuara familje të martirëve të Izbicës,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Drejtues të pushtetit komunal të Skenderajt,

Sa herë që vjen 28 Marsi, ne mblidhemi në këtë lëndinë të fshatit Izbicë, për t'i përkujtuar e nderuar të rënët e kësaj dite.


Kjo është një lëndinë e dhimbjes dhe krenarisë.


Ne ndjejmë dhimbje, sepse këtu, në pranverën e rëndë të vitit 1999, forcat ushtarake serbe, masakruan qindra burra e djem të pafajshëm të kësaj zone të lavdishme të Drenicës, vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm pse nuk donin të jetonin të përbuzur e në robëri.


Por, ne, ndihemi edhe krenarë, sa herë që vijmë në këtë lëndinë të Izbicës, krenarë, sepse ëndrra e tyre për Kosovën e lirë u bë realitet.


Kjo ishte ëndrra edhe e atyre mijëra martirëve që ranë në Reçak, Krushë e Rezallë, në Meje e Suharekë, në Gjakovë e Podujevë, në çdo fshat e qytet të Kosovës.


Ne nuk do ta harrojmë kurrë sakrificën e tyre.


Ne do të punojmë që liria dhe shteti i Kosovës, për të cilën ata ranë, të jetojë përgjithmonë: shtet i pacënuar, i fuqishëm, i zhvilluar, krenari e nipave dhe mbesave të këtyre martirëve që prehen në këtë lëndinë.

Të nderuar qytetarë të Drenicës,

17 vite pas krimit në Izbicë, Kosova është e lirë, shtet i pavarur dhe sovran, e mbështetur nga vendet më të fuqishme të botës.


Shumë gjëra janë arritur në këto vite, por edhe shumë punë të mëdha kemi përpara.


Sot, respektimi i të kaluarës do të thotë të punojmë për të ndërtuar të ardhmen e sigurtë për fëmijët tanë.
Liria nga shtypja është vlerë fundamentale, dhe ne sot, deklarojmë se ky vend kurrë më, nuk do të shkelet nga çizmja e pushtuesit, por ne sot, kemi nevojë edhe për lirinë e kuptuar si zhvillim, punësim e mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kosovës.


Një Kosovë e zhvilluar ekonomikisht - ky është nderimi më i madh që mund t'u bëjmë të rënëve tanë për liri.
Është koha t'i lëmë anash inatet e momentit, interesat e ngushta, e të punojmë së bashku për të mirën e vendit tonë.


Kosova ka nevojë për energjinë dhe kontributin e secilit. Ata që dje synuan ta shkatërrojnë Kosovën, sot ëndërrojnë ta shohin duke dështuar.


Kjo kurrë s'ka për të ndodhur. Kosova ka qenë dhe do të vazhdoj të jetë një histori suksesi, një shembull se si liria përkthehet në shtetndërtim, e shtetndërtimi në zhvillim e mirëqenie.

Ne, sot, kemi shumë vështirësi, por kemi vetëm një rrugë për t'i kapërcyer ato:
- Të punojmë së bashku për vendin tonë,
- Ta respektojmë më shumë njëri-tjetrin,
- Mos t'i qesim pengesa njëri-tjetrit,
- Ta respektojmë ligjin dhe shtetin.

Vetëm kështu, kemi të drejtë, të dalim ballëhapur në këtë lëndinë, para martirëve tanë.


Lavdi martirëve të Izbicës dhe të gjithë martirëve e dëshmorëve të Kosovës!

 

 

 

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com