Kuvendi i Republikës së Kosovës

Parlamentarët nga Belgjika, Franca dhe Gjermania vizitojnë Kuvendin

18.03.2015
Kryeparlamentari Daci priti një delegacion të parlamentarëve nga Belgjika, Franca dhe Gjermania. Në takim u bisedua për mbështetjen e Kuvendit të Kosovës dhe këmbimin e informatave nga dora e parë. U shpreh interes i ndërsjellë për bashkëpunim ndërparlamentar dhe integrim të Kosovës në mekanizmat evropianë, për fuqizimin profesional të komisioneve parlamentare dhe të shtimit të pavarësisë së Kuvendit nga ekzekutivi, të përfaqësimit të grupeve të ndryshme etnike dhe politike në Kosovë në raport me fuqinë reale të tyre.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot një delegacion të parlamenteve nga Belgjika, Franca dhe Gjermania, në përbërje: Robert Myttenare, Sekretar i Përgjithshëm në Parlamentin Belg, Carinne Luquiens, Drejtoreshë për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Asamblenë Nacionale Franceze dhe Evahard Voss, Drejtor për Marrëdhënie Ndërkombëtare ne Bundestagun Gjerman. Në takim është biseduar për mundësitë e bashkëpunimit me këto parlamente, të cilat kanë projekte të përbashkëta për mbështetjen e Kuvendit të Kosovës.
Profesor Daci ka folur për punën që bën Kuvendi i Kosovës për miratimin e ligjeve kompatibile me legjislacionin e vendeve të Evropës Perëndimore, për zhvillimet demokratike të vendit dhe barazinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht nga përkatësia etnike dhe fetare e tyre. Ai është shprehur se në funksion të mbarëvajtjes së legjislativit po punohet për fuqizimin profesional të komisioneve parlamentare dhe për pavarësimin e Kuvendit nga ekzekutivi, si në planin administrativ ashtu edhe në atë financiar.
Numri një i Kuvendit të Kosovës, duke folur për përbërjen e Kuvendi, ka theksuar faktin se shqiptarët me 90 për qind të popullsisë së Kosovës, janë përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës nga shtatë subjekte politike, me sa janë përfaqësuar edhe bashkësitë tjera etnike. Daci ka thënë me këtë rast se grupet e ndryshme etnike dhe politike në Kosovë duhet të përfaqësohen në raport me fuqinë reale të tyre dhe të mos eksperimentohet më në atë mënyrë që një grupacion me pesë për qind të votave të përfaqësohet me 20 për qind të ulëseve në Parlament.
Daci  ka shtruar edhe nevojën e sublimimit të përvojave parlamentare perëndimore dhe inkuadrimin në mekanizmat evropianë, duke shtuar se Kosova do të bashkëpunojë me të gjitha vendet dhe se vendi i saj do të jetë në Evropën e Bashkuar.
Përfaqësuesit e parlamenteve të Belgjikës, të Francës dhe të Gjermanisë, kanë shkoqitur projektet konkrete të cilat i kanë zhvilluar për Kuvendin e Kosovës dhe kanë kërkuar të dinë se si do ta ndihmonin më së miri Kosovën dhe parlamentin e saj. Në këtë vështrim, kryeparlamentari Daci ka kërkuar këmbim të ndërsjellë të përvojave, kurse sa u përket informatave nga Kosova është shprehur se ato duhen siguruar nga dorë e parë. Ai është shprehur i prerë që përfaqësuesve legjitimë të Kosovës duhet t™u mundësohet prezantimi i së vërtetës për Kosovën para mekanizmave autoritartivë ndërkombëtarë.