Kuvendi i Republikës së Kosovës

Projektligji për kinematografinë - nxitje për prodhimtari më të begatshme filmore

18.03.2015
Krijimi i një baze sa më të mirë për prodhimin, distribuimin dhe shfaqjen e filmave, nxitja dhe mbështetja e prodhimit vendës të filmit, motivimi dhe mbështetja e aktiviteteve për modernizimin dhe zgjerimin e rrjetit të kinemave, krijimi dhe ruajtja e lëndës filmike arkivore , mbështetja e kineastëve të rinj të talentuar , përsosja e të gjithë elementëve të kinematografisë, përbëjnë disa nga synimet më kryesore të Projektligjit për Konematografinë, për të cilin sot u mbajt një dëgjim publik , organizuar nga Komisioni për Kulturë, Rini dhe Sport i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga dr. Edi Shukriu, kryetare.
Pjesa më e madhe e diskutuesve mëtonin drejt pasurimit të ligjit me propozime të atilla, që ai të jetë një bazë për prodhimtari sa më cilësore filmore , që do të krijohej brenda një hapësire e mekanizmi sa më të decentralizuar, duke gëzuar njëkohësisht edhe mbështetje financiare. Një theks të veçantë diskutuesit i kushtonin çështjes së statusit, pozitës dhe trajtimit të Kosova Filmit, Qendrës Kinematografike të Kosovës, si dhe distribuimit te filmit në tekstin e projektligjit, duke vënë në pah se formimi i Qendrës Kinematografike dhe krijimi i Fondit për kinematografi do të ishin të një rëndësie të veçantë.Gjatë debatit rreth këtyre çështjeve te disa diskutues vërehej një dozë frike se mos projektligji krijon mundësi për monopol, do të thotë krijimtaria filmore të kontrollohet madje edhe nga pikëpamja ideoestetike nga ana e administratës së Ministrisë së Kulturës.Në këtë vështrim ata kërkonin që bordi artistik dhe mekanizma të tjerë të vendosjes rreth çështjes së prodhimtarisë së filmit të mos emërohen nga ministria.