Sulmi i sotëm me eksploziv në rezidencën e kryetarit të Kosovës dr. Ibrahim Rugova, është sulmi më i rëndë terrorist deri me tash i bërë kundër institucioneve të Kosovës, që kishte për qëllim destabilizimin e përgjithshëm të vendit. Duke marrë parasysh që fusha e mbrojtjes dhe e sigurisë është çështje e rezervuar, konsiderojmë që nuk janë marrë të gjitha masat e nevojshme në parandalimin e sulmeve të tilla të drejtuara ndaj udhëheqësve dhe institucioneve të Kosovës. Kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci pas vizitës që i bëri Presidentit të Kosovës dr. Ibrahim Rugova, pati një takim të përbashkët me kërkesë të tij, me zëvendës kryeadministratorin e Kosovës z. Çars Brajshou, me udhëheqësin e shtyllës së UNMIK-ut për Drejtësi dhe Polici z. Zhan Kadi, dhe komisionerin e policisë së UNMIK-ut Shtefan Feller.
Në këtë takim Kryetari i Kuvendit të Kosovës akademik Nexhat Daci, pasi shpjegoi involvimin e strukturave të jashtme dhe të strukturave të tjera ekstreme në destabilizimin e Kosovës në dështimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë me një shkresë përcjellëse kërkoi ndërmarrjen e masave shtesë të sigurisë të cilat duhet të aplikohen menjëherë në ruajtjen dhe mbrojtjen e udhëheqësve dhe institucioneve të Kosovës.