Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetari i Komisionit legjislativ priti ambasadorin austriak në Beograd

18.03.2015
Kryetari i Komisionit për Çështje Juridike, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese, Hydajet Hyseni, ka pritur sot ambasadorin austriak në Beograd, Hannes Porias, i cili shoqërohej nga shefi i Zyrës Austriake në Prishtinë, Bernd Alexander Bayeri. Është biseduar kryesisht për Projektligjin për fenë dhe liritë fetare dhe përgjithësisht për ndihmën që institucione të ndryshme austriake mund të ofrojnë për t™i mënjanuar defektet e konstatuara në këtë projektligj, i cili rregullon një sferë të ndjeshme të shoqërisë.

Kryetari i komisionit, Hyseni ka thënë se shoqëria e Kosovës tradicionalisht ka manifestuar tolerancë të admirueshme fetare dhe se me gjithë luftën në Kosovës dhe vënien e Kishës Ortodokse Serbe në anën e regjimit të Millosheviqit që bëri gjenocid në Kosovë e në vise të tjera t ë ish-Jugosllavisë, ndër qytetarët e Kosovës vazhdon të mbretërojë tolerancë etnike e fetare. Hyseni ka thënë se nuk ka vërejtje në pjesën e projektligjit ku garantohen liritë fetare, por në pjesën për organizimin dhe financimin e bashkësive fetare. Problem tjetër ai ka përmendur edhe çështjen e grupacioneve të ndryshme fetare dhe kuazifetare, të cilat duan të fitojnë hapësirë në terrenin e tri religjioneve të mëdha dhe tradicionale në Kosovë.

Diplomatët austriak duke përkujtuar marrëdhëniet tradicionalisht të mira me serbët dhe shqiptarët, kanë përmendur takimet dhe seminaret gjithnjë më të shpeshta në Vjenë dhe kanë vlerësuar se do të ishte mirë të mbahej edhe një seminar për Projektligjin për fenë dhe liritë fetare.

Ambasadori austriak në Beograd, Hannes Porias ka bërë me dije se gjatë qëndrimit në Kosovë, në funksion të realizimit të kësaj ideje, do të ketë takime edhe me krerët fetarë të tri bashkësive fetare: asaj islame, katolike dhe ortodokse.