Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryeparlamentari Daci priti një delegacion të Kolegjit Mbretëror të Britanisë së Madhe

18.03.2015
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot një delegacion të Kolegjit Mbretëror Britanisë së Madhe për studime të mbrojtjes, të kryesuar nga zotëri, Hilary Synnott dhe ka biseduar me te për zhvillimet në Kosovë, për përgatitjet e institucioneve të Kosovës për procesin përcaktimit të statusit të vendit dhe për realizimin e të drejtave të minoriteteve në Kosovë.

Profesor Daci u ka thënë mysafirëve britanikë se Kosova po ecën e sigurt rrugës së pavarësisë dhe se është e gatshme t™i marrë përgjegjësitë në gjyqësi dhe siguri.

Duke folur për marrëdhëniet me mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë, Daci është shprehur se Policia e UNMIK-ut është treguar e pasuksesshme në kryerjen e misionit të saj, kurse ka pohuar se KFOR-i ka pasur rezultate dhe ka shtuar se forcat paqeruajtëse, në një numër të reduktuar, duhet të jenë të pranishme edhe për një kohë të gjatë në Kosovë.

Duke u përgjigjur në interesimet e anëtarëve të Kolegjit Mbretëror Britanisë së Madhe për studime të mbrojtjes, lidhur me të drejtën e lëvizjes së minoriteteve, sidomos të atij serb, kreu i legjislativit të vendit ka pikasur se 23 për qind të territorit të Kosovës nuk kontrollohet as nga UNMIK-u as nga institucionet e Kosovës, por nga mekanizmat paralelë serbë. Ai është shprehur se institucionet e Kosovës garantojnë zhvillimin e papenguar të minoritetit serb, porse duhet të ndërpritet paternalizmi i Beogradit ndaj serbëve të Kosovës dhe minimi proceseve pozitive në vendin tonë.