Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni Parlamentar për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media diskuton për reformën e pushtetit lokal dhe Takimin e Vjenës

18.03.2015

Komisioni për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Nekibe Kelmendi, kryetare e Komisionit, organizoi një diskutim me z. Lutfi Haziri, ministër i Pushtetit Lokal lidhur me procesin e decentralizimit, duke përqendruar vëmendjen në takimin e ministrit Haziri me homologun e tij serb, Zoran Llonqar. Në fillim Lutfi Haziri foli gjerësisht për nismën dhe përmbajtjen e këtij takimi, duke theksuar se ky takim joformal, i mbajtur në Vjenë, u bë në vazhdën e disa takimeve joformale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Takimi u zhvillua me nismë dhe ndërmjetësim të deleguarit të posaçëm të SP të OKB-së, Kai Aide, i përkrahur nga zyrat e Grupit të Kontaktit, Qeveria e Kosovës, Presidenca dhe Zyra e Kryetarit të Kuvendit.

Trajtimi i delegacionit të Kosovës ishte i nivelit shtetëror, ashtu si edhe i delegacionit nga Serbia, mirëpo kjo e iritoi delegacionin serb. Në këtë takim është biseduar për çështjen e decentralizimit, kthimin e librave kadastralë në Kosovë, si dhe për protokollin e kthimit të të zhvendosurve. Dallimi ndërmjet pikëpamjeve të palëve të këtij takimi ishte i madh, derisa delegacioni nga Kosova ishte për reformë të pushtetit lokal, përkatësisht zbatimin e Planit B, pala serbe kërkonte riorganizim territorial. Shprehej kjo nisur nga një ndjenjë e rrezikut të dominimit të shumicës shqiptare në pilot komunat e Graçanicës dhe Parteshit. Bëhej kjo në kuadër të përpjekjeve që çështja e decentralizimit të hyjë në kuadër të garancioneve ndërkombatare me rastin e negociatave për statusin e Kosovës, theksoi Haziri .

Anëtarët e komisionit shtruan shumë pyetje duke dhënë edhe vlerësime të ndryshme për karakterin e vizitës dhe procesin e decentralizimit. Nga disa diskutues u shpreh mendimi se ky takim ka implikime politike, nisur nga fakti se është biseduar për një çështje të brendshme të Kosovës. Pjesëmarrësit nuk kishin vërejtje në qëndrimet e shprehura të ministrit Haziri në Takimin e Vjenës. Komisioni ishte unik në konstatimin se duhet të përshpejtohet procedura e aprovimit të ligjeve që rregullojnë çështjen e formimit dhe funksionimit të komunave të reja.