Kuvendi i Republikës së Kosovës

Daci, priti drejtorin për çështje ballkanike të Greqisë, Hristivis

18.03.2015

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot drejtorin për çështje ballkanike në Ministrinë e Jashtme të Greqisë, ambasadorin Michael Hristivis dhe ka biseduar me te për zhvillimet në Kosovës në dritën e përgatitjeve për përcaktimin s statusit të vendit dhe për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Greqisë.

Profesor Daci e ka falënderuar qeverinë greke për ndihmën që ka dhënë për ndërprerjen e luftës në Kosovë dhe ka lavdëruar punën e Zyrës greke në Prishtinë. Ai ka përmendur si shembull të mirë, sidomos dhënien e vizave në këtë zyrë për qytetarët e Kosovës që duan ta vizitojnë Greqinë. Duke folur, ndërkaq, lidhur me statusin e synuar për Kosovës, Daci ka ripërsëritur se çështja e statusit të Kosovës është e panegociueshme.

Drejtori për çështje ballkanike në Ministrinë e jashtme të Greqisë, Ambasadori, Michael Hristivis, është shprehur se vendi i tij është shumë i interesuar për mbarëvajtjen e rajonit dhe për paqe në Kosovë. Ai ka shfaqur shpresën se raporti i Kai Aides për Kosovën do të jetë pozitiv dhe do të hap rrugën për definimin e statusit të vendit.

Diplomati grek ka shprehur gatishmërinë e vendit të tij të ndihmojë në të gjitha format që populli i Kosovës të jetojë në paqe dhe të ketë raporte të mira fqinjësore me vendet e rajonit.

Si shembull i kultivimit të marrëdhënieve të mira ndërmjet të dy vendeve është përmendur programi për bashkëpunim ndërmjet të dy parlamenteve, të cilin është duke e përgatitur Zyra greke në Prishtinë.