Deklaratë
e
KUVENDIT TE REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
lidhur me ngjarjet e ditëve të fundit në Kosovë
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ndjek me vëmendje të plotë dhe shqetësim të thellë ngjarjet e dhunshme të ditëve të fundit në Kosovë, të cilat çuan në humbjen e jetës së dhjetra qytetarëve, në lëndimin e qindra të tjerëve dhe djegie e dëme të tjera materiale të cilat janë pasuri e Kosovës.
Kuvendi vlerëson se kjo situatë duhet të kapërcehet sa më parë, në emër të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit, në emër të interesave të sotme dhe të së ardhmes evroatlantike të Kosovës dhe të rajonit tonë. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka besim se të gjihtë qytetarët e Kosovës do të tregojnë durimin, gjakftohtësinë vetpërmbajtje dhe respektim të të gjitha institucioneve të saj. Gjithashtu ai ka besim se Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë më UNMIK-un dhe KFORI-in, do të gjejnë shumë shpejt dhe do të vënë para ligjit provokatorët, organizatorët dhe shkaktarët e gjakderdhjes e të shkatërrimeve, kudo qofshin këta, brenda ose jashtë Kosovës, për ta kthyer sa më parë në normalitet jetën në vend dhe vazhdimin e proceseve evropianizuese dhe integruese në Kosovë. Në këtë kuadër, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vlerëson interesimin dhe kontributin konkret që po japin edhe zyrtarë të lartë të strukturave qendrore evropiane dhe evroatlantike.
Njeherësh Kuvendi i Republikës së Shqipërisë shpreh besimin se edhe partitë politike kosovare dhe faktorët e tjerë shoqërore, me ndikim në jetën e qytetarëve të Kosovës, do të dëshmojnë pjekurinë e tyre dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë, për përballimin me mençuri dhe gjakftohtësi të situatës së rëndë, për rikthimin e të gjithëve në punën e përbashkët për demokratizim të mëtejshëm dhe zhvillim të gjithanshëm të Kosovës shumëetnike.
Kuvendi i Republikës së Shqipëerisë shpreh bindjen se edhe të gjithë faktorët politikë e shoqërorë, i gjithë opinioni publik i vendit tonë, do të mbajnë të njëjtin qëndrim, në interes të një Kosove evro-atlantike, në interes të paqes dhe të stabilitetit në rajon.
Tiranë, 18 mars, 2004.