Kuvendi i Republikës së Kosovës

Dëgjim publik lidhur me Projektligjin për RTK-në

18.03.2015

Komisioni për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Nekibe Kelmendi, kryetare e Komisionit, organizoi sot një dëgjim publik lidhur me Projektligjin për RTK-në. Pos anëtarëve të Komisionit, në këtë debat kishin ardhur për të dhënë kontributin e tyre edhe përfaqësues të Qeverisë, UNMIK-ut, OSBE- së , Komisionit të Pavarur të Mediave, USAID-it, RTK-së, si dhe të Sindikatës së Pavarur të RTP-së. Konstatim unanim i pjesëmarrësve ishte se ky Projektligj është i një rëndësie të veçantë, me të cilin synohet të rregullohet çështja e informimit dhe transmetimit të bazuar në standarde të larta profesionale evropiane, përkatësisht funksionimi i një mediumi publik krejtësisht i pavarur dhe transparent, jashtë ndikimeve politike, për të qenë faktor i rëndësishëm në proceset e gjithmbarshme politike e shoqërore në vend.

Gjatë debatit u zu në gojë edhe çështja e pronës së RTK-së, e cila nuk është zgjidhur, ndërsa pa rregullimin e saj nuk mund të flitet për pavarësi të RTK-së. Në këtë vështrim, tashmë është arritur marrëveshja që nga ky Projektligj të hiqen nenet e përcaktimit të pronës, meqë në këtë segment implikohet çështja e Radio Televizionit të Prishtinës dhe e punëtorëve të tij. Edhe përfaqësuesit e Sindikatës së RTP-së ishin për atë që pa u zgjidhur çështja e punëtorëve të papunë të RTP-së , prona të mos përfshihet në këtë Projektligj.