Kuvendi i Republikës së Kosovës

Fjala e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës në Seancën plenare më 25 mars 2004

18.03.2015
Të nderuar kolegë deputetë dhe deputete Ngjarrjet e dhunshme dhe të dhimbshme të 17 e 18 marsit na kanë mbledhur që ne, në këtë seancë plenare të Kuvendit të Kosovës, të organit më të lartë i zgjedhur nga populli i Kosovës, të analizojmë gjendjen dhe të marrim drejtimet që janë në të mirë të Kosovës në të mirë të popullit të saj, të të gjithë qytetarëve pa dallim.
Është përgjegjësi jona që të dënojmë demonstratat e dhunshme, si metodë dhe mjet i palejueshëm dhe i padobishëm në shoqërinë demokratike, kur kemi institucionet legale dhe legjitime të zgjedhura me votën e lirë të popullit.
Kosova, në të kaluarën ka pësuar shumë, dhe është humbje e madhe për familjarët, dhe për Kosovën tonë të vogël humbja e kaq shumë jetëve në këto dy ditë.
Ne si Kuvend, për të qenë në nivel të përgjegjësive dhe detyrave tona duhet njëzëri të dënojmë dhunën e përdorur në këto demonstrata, sulmet në popullsinë serbe dhe hashkalinjtë, të dënojmë djegien e pasurisë së qytetarëve serbë e hashkallinjë të Kosovës, të kishave dhe të objekteve të tjera.
Kuvendi i Kosovës do të përkrahë Qeverinë e Kosovës, të zgjedhur prej tij, që në afat sa më të shkurtër të sanohen dëmet dhe të rindërtohen shtëpitë dhe objektet e djegura dhe të shkatërruara. Kjo është përgjegjësi dhe obligim yni, jo nga ndjenja e fajit, por nga obligimet që dalin si institucione përgjegjëse për gjendjen e përgjithëshme dhe për përkujdesjen ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim përkatësie kombëtare, fetare, racore apo përkatësie tjetër.
Fuqimisht i dënojmë sulmet ndaj pjestarëve të policisë së UNMIK-ut, të KFOR-it, të automjeteve dhe të objekteve të misionit ndërkombëtar, i cili ka ardhur në Kosovë në një mision shumë fisnik, të ndalimit të gjenocidit, të ndërtimit të paqes dhe të ndërtimit të institucioneve që Kosova realisht dhe në vepër, të jetë pjesë e Evropës së Bashkuar dhe të institucioneve demokratike të saj.
Deputetë të nderuar
Nga vlerësimet që i bën ky Kuvend i popullit ngjarrjeve, ne do të dalim më shpejt apo më ngadal nga kjo gjendje, dhe do të mund t™i kthehemi normalitetit dhe partnerizmit të njimendët me bashkësinë ndërkombëtare në realizimin e synimeve tona.
Edhe pse kemi tërhequr vërejtjen tash e një kohë, demonstratat e 17 dhe 18 marsit na zunë në befasi, edhe neve si institucione kosovare edhe misionin ndërkombëtar në Kosovë. Hulumtimet do të tregojnë se si një demonstratë me norma demokratike krejtësisht e ligjshme, me nji motiv krejt të qartë të protestimit, si ishte mbytja e fëmijëve në lumin Ibër dhe debllokimi i magjistrales Prishtinë-Shkup u shndërruan në demonstrata të dhunshme me pasoja shumë të rënda. Organet përkatëse do të hulumtojnë se kush krejt ishte i përzier dhe me çfarë qëllimesh. Por një gjë është e sigurt, këto ngjarrje sado të rënda nuk do të na largojnë nga rruga jonë e trasuar tash e sa kohë , nga qëllimet tona në interes të popullit të Kosovës, të rajonit dhe të Evropës. Ne edhe më tej do të instistojmë në punën institucionale në përgjegjësitë dhe detyrat tona që burojnë nga vota e popullit, do të zhvillojmë një partnerizëm funksional dhe konkret me UNMIK-un dhe bashkësinë ndërkombëtare, në mënyrë që ky mision të dalë krejtësisht i sukseshëm dhe të shërbejë si model me përvojën e vet për misionet e ngjashme. Angazhimi ndërkombëtar dhe vullneti e përkushtimi i popullit tonë do të na bëjnë shumë shpejt një vend demokratik të Evropës. Kjo na stabilizon neve dhe kjo e stabilizon rajonin.
Nuk do të ketë sukses asnjë tendencë përçarëse, asnjë tendencë e ndarjes së Kosovës, e enklavizimit, kantonizimit apo e copëtimit të saj. Kosova do të jetë një dhe e tërë, dhe të drejtat dhe liritë do t™i realizojnë të gjithë qytetarët e saj pa dallim.
Të nderuar deputetë, ne pas kësaj seance do të vazhdojmë me punën tonë të rregullt të miratimit të ligjeve për të cilat ka nevojë Kosova, me miratimin e të cilëve ne gjithnjë e më shumë do të jemi Evropë.
Në Kryesi, dhe me shefat e grupeve parlamentare kemi ndërtuar një plan operativ të vizitës të gjitha komunave të Kosovës, që të sanojmë gjendjen dhe që të marrim vërejtjet e propozimet konkrete të institucionalizimit të të gjitha veprimeve në të gjitha nivelet dhe të koordinimit të tyre në interes të qytetarëve të Kosovës.
Falemnderit