Kuvendi i Republikës së Kosovës

Udhëheqja e Kuvendit të Kosovës vizitoi komunën e Prishtinës

18.03.2015
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, bashkë me anëtarët e Kryesisë dhe kryetarët e grupeve parlamentare, ka vizituar sot Komunën e Prishtinës dhe me udhëheqjen komunale ka bashkëbiseduar për pasojat e protestave të dhunshme në Prishtinë dhe fshatrat përreth, si dhe për përballimin e gjendjes dhe evitimin e pasojave të shkaktuara.
Kryetari i Asamblesë komunale, Ismet Beqiri, ka raportuar në këtë takim për pasojat e protestave, duke theksuar se në fshatin Çagllavicë janë djegur shtatë shtëpi, në Kizhnicë një ndërtesë banimi, kurse në Prishtinë është dëmtuar pjesërisht një ndërtesë, në të cilën banonin qytetarë të nacionalitetit serb, si dhe janë shkatërruar disa vetura të policisë së UNMIK-ut. Ai ka lavdëruar punën e drejtorive komunale dhe të shtabit Shtabit emergjent, duke shtuar se janë ndihmuar edhe komuna e Fushë- Kosovës dhe ajo e Kastriotit. Beqiri i ka njoftuar parlamentarët e Kosovës se është formuar komisioni për vlerësimin e dëmeve të protestave, i përbërë nga arkitektë dhe ekspertë tjerë, kurse komuna nga buxheti i saj i mangët do të kujdeset ta ndihmojë meremetimin e shtëpive të djegura dhe të kishës ortodokse në Prishtinë.
Profesor Daci duke përkujtuar se në Kosovë ka ngjarë shumëçka që nuk është pritur dhe kundër traditave qytetëruese të popullsisë shumicë të vendit, ka sugjeruar që të shihet mundësia që biznesmenë dhe qytetarë të tjerë vullnetmirë të ndihmojnë fqinjtë e tyre të goditur, siç kanë ndihmuar viteve të shkuara.
Edhe anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, shefat e grupeve parlamentare dhe udhëheqësit komunalë janë pajtuar se është e pakompensueshme humbja e jetës së qytetarëve në këto protesta, se është dëmtuar procesi politik, imazhi i Kosovës dhe i popullit të saj. Të gjithë kanë qenë të pajtimit, ndërkaq, se dhuna nuk guxon të riciklojë, se duhet të veprojë drejtësia ndaj keqbërësve dhe mbi të gjtha, duhet të fuqizohen institucionet, sidomos Qeveria e Kosovës.