Kuvendi i Republikës së Kosovës

U mbajt takimi i deputetëve me qytetarët e Gjakovës

15.09.2019

Mbi 150 qytetarë të Gjakovës i janë përgjigjur sot ftesës së Forumit për Transparencë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për të diskutuar me deputetët që vijnë nga ky rajon dhe më gjerë. Në vazhdën e aktivitetit "Ditët e Kuvendit", në sallën e koncerteve të Shkollës së Muzikës "Prenk Jakova", gjakovarët kanë bashkëbiseduar me ligjvënësit dhe adresuar pyetje të shumta për ta, që nga problemet e infrastrukturës lokale, deri te proceset e rëndësishme shtetërore. Deputetët: Mimoza Kusari - Lila, Hajdar Beqa, Arbërie Nagavci, Driton Çaushi, Teuta Haxhiu, Haxhi Shala dhe Veton Berisha, u janë përgjigjur qytetarëve në pyetjet e shtruara dhe shqetësimet e ngritura. Kulla e Sulejman Vokshit dhe statusi i pronave përreth saj, ishte interesimi i parë një gjakovareje, të cilin ajo e ngriti si shqetësim të kahershëm dhe i cili, sipas saj, kërkon zgjidhje imediate. Krijimi i një qendre rinore në qytetin e Gjakovës, investimet në infrastrukturë, krijimi i vendeve të reja të punës, problemet në arsim e shëndetësi, sfidat e pensionistëve dhe vështirësitë e personave me nevoja të veçanta, roli përfaqësues i deputetëve dhe sjelljet e tyre gjatë seancave, përfaqësimi i komuniteteve pakicë, në nivelin qendror dhe atë lokal, luftimi i korrupsionit dhe liberalizimi i vizave, ishin çështjet kryesore që preokupuan qytetarët gjakovarë dhe si problematika ua adresuan deputetëve. Përfaqësuesit e zgjedhur të tyre, Kusari-Lila, Beqa, Nagavci, Çaushi, Haxhiu, Shala dhe Berisha, shprehën përkushtimin e tyre dhe të subjekteve politike që përfaqësojnë, për t'u angazhuar maksimalisht në zgjidhjet e problemeve dhe sfidave që qytetarët e Gjakovës ngritën në takim. ​