Kuvendi i Republikës së Kosovës

Fjala e kryetares së Kuvendit, dr. Vjosa Osmani, në seancën për Epopenë e UÇK-së

05.03.2020

I nderuar kryeministër i Republikës, z. Kurti,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në vendit tonë,
Të nderuar komandantë dhe oficerë të Forcave të Armatosura të Kosovës,
Të nderuara familje të dëshmorëve!

Shumë e nderuara familje Jashari!

Të nderuar pjesëmarrës!

Sot po e përkujtojmë veprën heroike të komandantit të UÇK-së, Adem Jasharit, sakrificën sublime të familjes Jashari për liri, si dhe ndikimin që kjo sakrificë e pati në përpjekjen tonë për liri.

Në fillim të viteve ’90 Adem Jashari, si e gjithë Kosova, u përball me një regjim të egër. Ai e dinte se makineria serbe e synonte shfarosjen, jo vetëm të tij, por edhe të popullit shqiptar të Kosovës, prandaj e filloi rezistencën qysh në fillim të vitit 1991, kur u bë pjesë e organizimit të asaj kohe dhe shkoi në Shqipëri, për t'u trajnuar me vullnetarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ishte mësuar tashmë të jetonte nën kërcënimin e vazhdueshëm. Ishte mësuar të rrethohej, sikur i ngjau më 30 dhjetor 1991 e më 22 janar 1998. Kjo e ishte motivuar edhe më shumë për rezitencë, prandaj nuk i shkonte mendja kurrë të dorëzohej. Madje, as në betejën vendimtare të 5 marsit 1998, kur forcat e shumta paramilitare e ushtarake e rrethuan lagjen e Jasharajve, në Prekaz. Familja rezistoi për më shumë se 36 orë, megjithëse shumë nga anëtarët e saj ranë nga predhat që e shembën çatinë e shtëpisë dhe muret e kullës. Në mesin e tyre edhe dhjetë fëmijë të moshës nën 16-vjecare dhe vetë Adem Jashari, për t’u shndërruar në simbol të sakrificës njerëzore e në simbol të qëndresës.

Të dashur qytetarë!

Heroizmi dhe sakrifica e kësaj familjeje ia shpalosi botës demokratike pamjet e errëta të regjimit totalitar serb dhe lirinë e synuar nga ne, në anën tjetër. Pamjet e fëmijëve, të grave e të pleqve, të rënë në pragun e shtëpisë së tyre, u shndërruan shpejt në thirrje për mbrojtjen e vlerave humane. Por, më shumë se kaq, ato e prekën në ndërgjegjen e botës së qytetëruar, e cila duhej ta mbronte një popull të shtypur dhe, duke e mbrojtur atë, t’i mbronte vlerat e qytetërimit të vet.

Ngjarjet e 5, 6 e 7 marsit 1998 në Prekaz i dhanë vulë solidaritetit ndërmjet njerëzve, i cili qe krijuar qysh në fillim të viteve ’90 me lëvizjen për pajtimin e gjaqeve dhe, sidomos, me lëvizjen e popullit të Kosovës për pavarësi. Prandaj, ne sot jemi mbledhur jo vetëm për t’i kujtuar ata, por edhe për ta ripërtërirë kujtesën tonë.

Nuk është e rastësishme, prandaj, që në atë fillimmars secili shqiptar ishte Ademi, i gatshëm të sakrifikojë gjithçka për lirinë e vendit të tij, secili qe bacë Shabani, nënë Zahidja, Hamza, Zarifja, Hidajetja..., por mbi të gjitha secili qe lulja e këputur ende pa çelur mirë, qe Blerina e vogël me ëndrrën e fjetur mbi ballë, secili qe zëri kumbues i 18 grave që ranë në altarin e lirisë mbi fëmijët e tyre; ishte zëri i 10 fëmijëve të cilëve ëndrra iu pre ende pa nisur mirë, por ëndrra e të cilëve u përhap gjithandej, hyri në shpirtrat e secilit shqiptar, secilit qytetar liridashës të botës dhe i dha udhë ëndrrës së madhe: lirisë së vendit.

Beteja e Jasharajve u shndërrua në inspirim për mijëra të rinj e të reja që edhe ata të jenë të gatshëm për ta ofruar çdo lloj sakrifice për ta jetësuar idealin e brezave për të jetuar të lirë. Sot, prandaj, ne u falemi atyre; sot ne jemi këtu jo vetëm për t’i kujtuar emrat e viktimave të kësaj masakre, por për ta nderuar kujtimin e secilit veç e veç; për ta kujtuar komandant Adem Jasharin e bashkë me të edhe Adilen, Afeten,  Afijen, Ajvazin,  Aliun, Avdullahun , Bahtijen, Beqirin, Besimin, Blerimin, Blerinën, Bujarin, Elfijen, Elhemen, Faikun, Fatimen, Feriden, Fitimin, Fatimen, Hajrijen, Blerimin, Hajzerin, Halilin, Halitin, Hamdiun, Hamzën, Hamiden, Hamitin Hanifen, Hidajeten, Igballin, Igballen, Kajtazin, Kushtrimin, Lirien, Mihrijen, Murtezin, Nazmiun, Qazimin, Qerimin, Ramizin, Sabrijen, Sadikun, Salën, Selveten, bacë Shabanin, Shahinin, Sherifin, Sinanin, Smajlin, Ukshinin, Valdeten, loken Zahide dhe Zarifen, si dhe Osman Gecin, Isak Halilin, Fatime Bazajn e Smajl Bazajn.

Unë nuk mund t’i përmbledh sot në numër viktimat e atij tmerri, sado që numri i atyre që u flijuan qe tepër i madh. Sepse ata nuk janë thjesht një numër. Secili është histori më vete dhe secila histori e tyre prek rrëfimin tonë për betejën, për luftën, për ëndrrën e për realitetin e atëhershëm e të sotëm; historia e secilit prej tyre është historia e Kosovës, një copë pamje në pamjen e dhimbshme, por edhe krenare të lindjes së shtetit të Kosovës, por mbi të gjitha është dëshmi se sa e kushtueshme është jeta dhe sa i shtrenjtë është çmimi i lirisë.

Të dashur qytetarë!

Adem Jashari dhe luftëtarët e tjerë e mbrojtën, sikur thoshte presidenti Rugova, pragun e shtëpisë së tyre e të shtëpisë së përbashkët, Kosovës, kur kjo shtëpi jona po tentohej të rrënohej së jashtmi, por po rregullohej fort e po forcohej së brendshmi, kur prishja e çatisë nuk nënkuptonte rënie të saj, sepse ledhet e saj, themelet e saj, i kishte të forta, ngase i kishte të ngritura mbi besimin në vlerat e lirisë e në solidaritetin e madh mes njerëzve. Ata e mbrojtën dinjitetin qytetar dhe nuk pranuan të nënshtroheshin për asnjë çmim.

Shtëpia e Jasharajve që mbrohej ato ditë ishte pragu përtej të cilit ne nuk shkonim: mes rënies përfundimtare e sakrificës përfundimtare si komb e kemi zgjedhur përherë këtë të dytën. Këtë e zgjodhi edhe familja Jashari dhe miqtë që iu gjendën pranë. Ata e zgjodhën këtë sakrificë, sepse kështu dëshmonin atë që dihej prej kohësh në kulturën e në traditën tonë: se mbrojtja e tokës, e shtëpisë dhe e vendit, përveçse detyrë e shenjtë, është edhe themel i traditës e vlerë qytetëruese, të cilat ne ia kemi dëshmuar botës historikisht. Ato mbesin sot e kësaj dite vlerat tona.

Prandaj, sakrifica sublime e familjes Jashari dhe e gjithë burrave e grave të këtij vendi që u rreshtuan përkrah rezistencës, dëshmon se ata u vunë përkrah botës demokratike, në mbrojtje të vlerave të lirisë e të qytetërimit perëndimor. Ne e njohim këtë model historikisht dhe ia kemi bartur botës edhe shekuj më parë, kur Gjergj Kastrioti e mbronte pragun e shtëpisë së përbashkët, Evropës dhe gjithë qytetërimit perëndimor, në portën më të ndjeshme të saj, në buzëbregun e Adriatikut. 

Ne kemi ngulmuar në lirinë për vete e për tjetrin, ngase e kemi ditur se duke i mbrojtur këto vlera, ne i kemi mbrojtur vlerat e lirisë universale.

Rezistenca e familjes Jashari, prandaj, është edhe rrjedhojë e një tradite të hershme rezistencës, por edhe e një vetëdijeje se çmimi i lirisë është më i shtrenjti, por edhe më i çmuari. Duke qenë që herët pjesë e organizimit të rezistencës, Adem Jashari i ka bashkërenduar përpjekjet për lirinë në të gjitha format e rezistencës, duke e bashkëdyzuar veprimin institucional dhe gatishmërinë për sakrificë sublime.

Të dashur deputetë!

Të nderuar qytetarë të Republikës!

Historia e vjetër dhe e re e Kosovës është zhvilluar mbi ndjenjën e fuqishme të lirisë, e cila, fatkeqësisht  na është cenuar shpesh. Kësisoj, ne e kemi zhvilluar shpirtin e rezistencës, e cila ka ardhur duke u rritur si rrjedhojë e shtypjes dhe represionit gjithnjë e më të madh të regjimit të atëhershëm. Por, në secilin rast e në secilën periudhë, ne kemi dëshmuar për këto dy tipare të shpirtit tonë: kryengritës dhe liridashës.  Kryengritjet kanë qenë jo vetëm mjet i rezistencës, por edhe i formimi t të ndjenjës së madhe të solidaritetit e të lidhjes rreth disa vlerave të përbashkëta. Pra, ato e kanë formësuar shpirtin tonë, ndjenjën tonë për ta ruajtur çfarë është e jona e për të mos e synuar të huajën. 

Prandaj, ne do të flasim këtu e, nga këtu, nëpër familjet tona, do t’ua rrëfejmë fëmijëve tanë historinë e Jasharajve e të gjithë Kosovës në ato vite tmerri për të, por nuk do t’i nxisim të kërkojnë hakmarrje. Ne do t’u  kërkojmë atyre që të jenë qytetarë të mirë, që ta ruajnë traditën e mirë të kujdesit për tjetrin, por duke kërkuar e siguruar drejtësi.

Në historinë tonë, ne kemi rënë e jemi ngritur; kemi mësuar nga rëniet dhe e kemi kultivuar ndjenjën e lirisë më thellë e më mirë. Kur jemi përballur me dhunën, e kemi refuzuar atë, por nuk jemi hakmarrë. Trashëgimtarët e familjes Jashari, të cilët janë këtu sot me ne, së bashku me bacë Rifatin, Shaban Jashari, Ademi Jashari,  Zahide Jashari, Igballe Jashari, Adile Jashari, Bardh Jashari, Zarife Jashari, Adea Jashari, Fitim Jashari dhe i fundit, Ylli, Yll Jashari, janë këtu për të dëshmuar se e mira, megjithatë, mbisundon të keqen, se ripërtëritja është e mundur, se fija e shpresës nuk këputet asnjëherë. Ju falënderoj që sot na nderuat me praninë tuaj, duke dëshmuar se si trashëgimtarë, po kujdeseni që t’i jepni kuptim jetës suaj në republikën tonë të re.

Të dashur deputetë!

Të nderuar qytetarë të vendit!

Sot fëmijët e familjes Jashari janë këtu për të na e mbajtur të gjallë kujtimin e dhembjen, për të na e kujtuar fatin e familjes së tyre e të gjithë Kosovës së atyre viteve; për të na e përcjellë edhe një porosi bashkë me praninë e tyre: që dhimbjen e familjes Jashari e dhimbjen tonë për këtë familje dhe gjitha familjet e tjera, të cilat i dhanë më të dashurit e tyre për lirinë e vendit ta shndërrojmë në frymëzim për jetën.

Prandaj, lejomëni, ju lutem, që  bashkë me ta sot t’i ftojmë qytetarët e vendit tonë që, sikur në vitet ’90, të mbështetmi fort në forcën tonë, që kujtesën për heronjtë tanë ta shndërrojmë në shtysë për jetësim të idealeve të tyre dhe që, duke u solidarizuar më njëri-tjetrin, të dëshmojmë se mund të veprojmë bashkë për jetësimin e lirisë. Sot, respektimi dhe garantimi i lirive të qytetarëve tanë është jetik, prandaj na duhet përkushtim e dije, vullnet e atdhedashuri.

Duke i gdhendur në kujtesën tonë kolektive emrat e heronjve, të dëshmorëve, martirëve, njerëzve që derdhën dijen e gjakun për këtë tokë, ne mund të bëhemi shoqëri e cila jo vetëm frymon lirshëm, por lirshëm e krijon ëndrrën e vet.

Më lejoni që, duke e përmbyllur, ta sjell në vëmendjen tuaj një thënie të ish-kryeadministratorit të parë të Kosovës, dr. Bernard Kushner, i cili gjatë vizitës së tij të parë në familjen Jashari, më 1999  deklaroi: “Nëse do të ekzistonte një çmim “Nobel” për sakrificë, ai çmim do t’i takonte familjes Jashari”.  

I bekuar qoftë kujtimi për familjen Jashari dhe të gjithë heronjtë dhe të rënët për liri!