Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, mbajti mbledhjen e radhës

19.05.2020

Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, kryesuar nga Endrit Shala, kryetar, mbajti sot mbledhjen e radhës, për të diskutuar në veçanti lidhur me shkresën e marrur nga Kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani, me datë 12. 05. 2020.

 

Nga kjo shkresë e adresuar tek anëtarët e komisionit, u kërkua shqyrtimi i rezultateve të hulumtimit të inicuar nga agjensioni mediatik BIRN për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRE) rreth disa parregullsive të punës së kësaj të fundit.

 

Parregullsitë e supozuara nga BIRN për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, kryesisht fokusoheshin tek disa fusha që BIRN pretendon se ka pasur shkelje dhe mospërfillje të ligjeve ekzistuese për to, përfshirë këtu, dyshimet se i njëjti person nga bordi i ZRRE-së ka lidhje me 6 kompani përfituese të skemës ndihmëse, mos marrje parasysh të konfliktit të interesit dhe shkelje gjatë zhvillimit të procedurës për marrjen e vendimit të caktimit të tarifave.

 

Por, të gjitha këto janë mohuar nga Zyrën e Rregullatorit të Energjisë me anë të një shkrese të drejtuar anëtarëve të po këtij komisioni.

 

Rreth këtyre çështjeve, nga anëtarët e komisionit u diskutua gjerë e gjatë, duke elaboruar kështu edhe kornizat ligjore për rregullimin e çështjeve që hulumtimi i BIRN ka theksuar.

 

Ata potencuan se pa një shqyrtim të detajuar nga ana e vet komisioni, nuk mund të procedohet një çështje të tillë tek instancat e tjera ose pa pranuar paraprakisht një raport shqyrtues nga organet kompetente, si Agjencioni Kundër Korrupsion, Gjykatat dhe Prokuroritë.

 

Andaj, për të bërë më të qartë këtë situatë, anëtarët e komisionit nën udhëheqjen e kryetarit Shala, vendosën që të veprojnë në bazë të kompetencave dhe detyrave që komisioni në fjalë ka, duke ftuar kështu në raportim të martën e ardhshme, përfaqësues nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.