Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike mbajti mbledhjen e radhës

26.06.2020

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga zëvendëskryetari i parë Enver Haliti, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën është shqyrtuar raporti i auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për vitin 2019.

 

Kryesuese i kësaj mbledhjeje, Haliti , theksoi se sipas raportit të auditorit është evidentuar se mos zbatimi me konsistencë i rregullave dhe obligimeve statutore ka shkaktuar mangësi në shpenzimin e mjeteve nga këto kategorinë e investimeve kapitale, kategorinë e mallrave dhe shërbimeve dhe në menaxhimin e pasurisë.

 

Deputeti Haliti u ndal më shumë te një gjetje e auditorit për një pagesë që MAPL ka bërë për kompaninë rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”.

 

Në raport, sipas Halitit auditorët kanë vërejtur se pagesa nuk është bërë për energjinë elektrike siç ishte paraparë në marrëveshje, por ishin paguar faturat e ujit të lëshuara nga kompania rajonale e ujit “Mitrovica”, për konsumatorët e Mitrovicës së Veriut.

 

Edhe deputetët tjerë kanë dhënë kritika për këtë pagesë, por edhe për çështje të tjera të evidentuar në raport.

 

Para anëtarëve të Komisionit janë përgjigjur ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Goran Rakiq dhe sekretarja e kësaj ministrie, Rozafa Ukimeraj, ndërsa ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

 

Sekretarja e MAPL-së, Rozafa Ukimeraj, arsyetoi pagesën që është bërë nga MAPL për faturat e Kompanisë rajonale të ujit “Mitrovica”, duke thënë se kjo është bërë pas një kërkese nga ana e Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe pas një marrëveshjeje mirëkuptimi, e cila është nënshkruar nga ish-ministrja në atë kohë.

 

Në lidhje me këtë ministri Goran Rakiq tha se mënyra e pagesës nuk kishte ndonjë qëllim të keq, por vetëm një mënyrë për të tejkaluar problemin të cilin e ka kompania e ujit “Mitrovica”.

 

Anëtarët e komisionit kërkuan nga përfaqësues të MAPL që të përmirësojnë gjetjet e auditorit, pasi që sipas raportit, gjetje të ngjashme janë evidentuar edhe në vitet e kaluara.

 

Pas një debati të gjerë, deputetët nuk e proceduan për Kuvend raportin e auditimit për pasqyrat financiare të MAPL për vitin 2019, pasi që u konstatua se janë gjetur shumë shkelje.

 

Komisioni për Mbikëqyrjen Financave Publike në mbledhjen e sotme diskutoi edhe lidhur me auditimin e raporteve vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës së subjekteve politike për vitet 2018 dhe 2019.

 

Komisioni njëzëri vendosi që të auditohen vetëm partitë politike që kanë fituar ulëse në Kuvend, pasi që siç u tha, marrin fonde nga buxheti i Republikës së Kosovës.