Kuvendi i Republikës së Kosovës

Konjufca në Reçak: Nuk do të ndalemi së kërkuari që kriminelët e luftës të dalin para drejtësisë

15.01.2020

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Glauk Konjufca, bëri homazhe dhe vendosi lule në Kompleksin Memorial në Reçak të Shtimes, në nderim të 45 civilëve shqiptarë, banorë të këtij fshati, të cilët u vranë dhe u masakruan nga forcat serbe 21 vjet më parë.

 

Kryetari Konjufca tha se Reçaku është një ngjarje e cila e ngriti botën demokratike në këmbë, për t'i dal në krah popullit të Kosovës.

 

Ai tha se pas masakrës së Reçakut më askush nuk kishte dyshim se cili ishte populli çlirimtar dhe liridashës, e cili është shteti gjenocidial në Kosovë. Konjufca shtoi se nuk do ndalen së kërkuari që kriminelët të dalin para drejtësisë.

 

"Ata që e kryen masakrën e Reçakut ende nuk kanë dalë para drejtësisë. Ne kurrë nuk do pushojmë, ne kurrë nuk do lodhemi duke kërkuar me ngulm që të gjithë kriminelët e luftës të cilët janë nga shteti i Serbisë dhe kanë qenë pjesë e forcave ushtarake e paramilitare, të rregullta dhe të parregullta të Serbisë, të vihen para drejtësisë dhe që Serbia të jap llogari për krimet e kryera në Kosovë", tha kryetari Konjufca.

 

Ai tha se Serbia jo që nuk ka kërkuar falje për krimet që janë bërë në Kosovë, por krerët e saj ende po i mohojnë masakrat e pikërisht masakrën e Reçakut.

 

"Ajo çka është aspak shpresëdhënëse në raport me Serbinë, ka të bëjë me faktin që zyrtarët më të lartë të shtetit serb jo vetëm që nuk po kërkojnë falje për gjenocidin e shkaktuar në Kosovë, jo vetëm që në Serbi nuk ka pendesë për atë që ka ndodhur dhe atë që ata vet e kanë shkaktuar, por për më keq se kaq, vet presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, para disa javësh ishte ai i cili në mënyrë monstruoze e mohoi pikërisht këtë masakër”, tha kryeparlamentari Konjufca.

 

Kreu i legjislativit shtoi se një shtet i cili e mohon atë cilën nuk mund të mohohet,  nuk mund të jetë e as të aspirojë të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

 

 “Si mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, si mund të aspirojë të bashkohet me familjen demokratike evropiane një shtet, i cili e mohon atë të cilën nuk mund të mohohet, masakrën e Reçakut, martirët dhe të gjithë të rënët", tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.