Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetarja e Kuvendit priti në takim zyrtaret e Postës së Kosovës

16.10.2020

Osmani: Përshëndes dhe mbështes çdo nismë për promovimin e historisë sonë dhe fuqizimit të grave

 
Kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim u.d. të kryeshefes ekzekutive të Postës së Kosovës, znj. Vjollca Shala-Mulaj dhe zëvendësen e saj, znj. Fakete Kadiu.

Në këtë takim, kryetarja Osmani u njoftua me funksionimin dhe operativitetin e ndërmarrjes publike Posta e Kosovës. Ajo falënderoi për vizitën, zyrtaret e Postës së Kosovës dhe u ofroi mbështetje parimore për këtë ndërmarrje.

Bashkëbisedueset u dakorduan për bashkëpunim me qëllim të promovimit të pullës postare “Heroinat”.

“Do të jem çdoherë pranë dhe do të përkrah çdo nismë që promovon historinë tonë dhe që ndikon drejtpërdrejt në fuqizimin e grave të Kosovës”, ka deklaruar zonja Osmani.

Në takim, kryetarja Osmani pranoi nga zyrtaret e Postës dy ekzemplarë me pulla postare kushtuar presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova dhe Shën Nënë Terezës.

Nga ky takim, u vendos që në Kuvendin e Kosovës të organizohet një aktivitet për promovimin e pullës postare “Heroinat”.