Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi i Kosovës, i dyti në rajon për transparencë

16.09.2019

Kuvendi i Republikës së Kosovës sot me shumë aktivitete ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.

Hapjen e kësaj dite e bëri kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili tha se ndihet krenar që Kuvendi i Kosovës është institucioni më transparent në Republikën e Kosovës.

"Ne krenohemi që kemi ndërtuar një demokraci funksionale, me zgjedhje të lira e të ndershme, me procese zgjedhore të pakontestuara me standarde të larta që certifikohen nga institucionet ndërkombëtare monitoruese më prestigjioze. Ne krenohemi edhe me lirinë e fjalës dhe të mediave, që i jep dinamizëm e pasuri lulëzimit të demokracisë sonë", tha Veseli.

Në kuadër të shënimit të kësaj dite u mbajt edhe debati publik "Transparenca dhe pjesëmarrja qytetare në Kuvend", në të cilin u theksua se Kuvendi i Kosovës rangohet shumë më lart se shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi theksoi se Kuvendi është institucion që mision të tij e ka rritjen e transparencës.

Sipas Krasniqit, edhe pse në shënimin e kësaj dite mungon pjesa politike për shkak të shpërndarjes së Kuvendit, megjithatë administrata po e kryen punën e saj.

"Kuvendi nëpërmes këtyre aktiviteteve sikur ky i sotmi, synon të ngris kulturën parlamentare dhe besimin te qytetarët, se megjithatë Kuvendi është duke funksionuar. Organizatat joqeveritare që e monitorojnë punën tonë, e bëjnë të mundur që ne të rangohemi më lart karshi vendeve të tjera në Ballkan", tha Krasniqi.

Se Kuvendi është i hapur për qytetarët, sipas Krasniqit, e dëshmon edhe vizita e mbi 6 mijë qytetarëve dhe e mijëra nxënësve për këto dy vjet.

Në debat kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të NDI-së, organizatave të tjera partnere dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Drejtori i NDI-së për Kosovë, Alexander Chavarria theksoi se vitet e fundit ka pas një progres sa i përket transparencës së punës së Kuvendit.

Ai përmendi publikimin e raporteve të shpenzimeve në ueb-faqen e Kuvendit.

Në këtë debat u prezantua edhe Strategjia për informim dhe komunikim nga ana e drejtorit të Drejtorisë për Media, Musli Krasniqi, ndërsa nga një hulumtim i Open Data Kosova, i cili u prezantua në tryezë nga Blerina Ramaj, Kuvendi i Republikës së Kosovës rangohet i dyti në rajon sa i përket transparencës.

Lidhur me informimin dhe komunikimin, veçmas në fushën e integrimit evorpian, foli edhe përfaqësuesi i GIZ-it, Besnik Vasolli, si dhe përfaqësuesja e organizatës Democracy Plus, Dëbora Peci.

Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë Kuvendi i Republikës së Kosovës qysh në mëngjes ka hapur dyert për qytetarët.

Me moton "Pjesëmarrja", në hapjen e kësaj ngjarjeje morën pjesë nxënës dhe mysafirë të tjerë vendorë e ndërkombëtarë.

Po sot u prezantua edhe ueb faqja e re e Kuvendit dhe u zhvillua Kuizi i Demokracisë, një garë midis nxënësve të Shkollës Fillore "Emin Duraku" dhe asaj "Hasan Prishtina", kurse në oborrin e Kuvendit u mbajt një ekspozitë me fotografi, u lansua Kabina e Transparencës dhe u hap panairi i organizatave të shoqërisë civile.