Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi rithemelon Këshillin për Zhvillim të Qëndrueshëm

25.09.2020

Kuvendi i Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Zyrën e Koordinatorit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, agjencive, si dhe në prani të korit diplomatik në Prishtinë, sot, në një ceremoni të veçantë, ka rithemeluar Këshillin për Zhvillim të Qëndrueshëm. 

Kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani, tha se përmes rithemelimit të Këshillit për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kuvendin e Republikës së  Kosovës po bëhen më të zëshëm në zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm që janë të rëndësishme për të tashmen, por edhe për të ardhmen. 

"Të gjithë duam barazi gjinore. Ujë dhe rrymë 24 orë dhe një jetë më të mirë pa dallim. Të gjitha këto i ngërthen në vete agjenda e vitit 2030. Në Kuvendin e Republikës së Kosovës e kemi kuptuar rëndësinë e kësaj agjende, prandaj e kemi miratuar rezolutën e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm. Sot në këtë kohë kur po ballafaqoheni me pandeminë dhe e kemi të qartë më shumë se kurrë avancimin e agjendës, duke garantuar një përfshirje të të gjitha palëve, kemi vendosur që në këtë ditë të flasim akoma më zëshëm”, tha Osmani.

Kryetarja e Kuvendit tha se është e pamundur që vendi t’i tejkalojë problemet pa bashkëpunim me aleatët dhe miqtë e Kosovës.

“Sot kur problemet i kemi të përbashkëta, është e pamundur të përballemi me to pa bashkëpunim me partneritet dhe aleanca. Ne nuk mund të lejojmë që koncepti i zhvillimit të vendit tonë të jetë një qasje klasike”, tha kryetarja Osmani.

Në këtë aktivitet një fjalë rasti mbajti edhe deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albena Reshitaj, e cila  e ka marrë rolin e kryesueses së Këshillit të Qëndrueshëm në kuadër të Kuvendit.

Reshitaj u shpreh e lumtur për këtë detyrë, duke shprehu përkushtimin që objektivat e këtij Këshilli t’i çojë përpara. 

Koordinatorja Zhvillimore e Agjencive të OKB-së, Ulrika Richardson, tha se nuk ka asnjë dyshim se me rithemelimin e Këshillit do të ketë përparim, ngase, sipas saj, do t’i kushtohet vëmendje e rëndësishme barazisë gjinore.

Ndërsa ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, tha se mund t’ia dalin vetëm nëse janë të bashkuar. Ambasadorja e Kroacisë, Danijela Barishiq, ndërkaq, përgëzoi gratë që po merren me rifillimin e këtij këshilli.

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe shefi i zyrës ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë, Ratislav Kostilnik dhe i ngarkuari me detyrë të ambasadorit të Japonisë, Ogasawara Mitsunori.