Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale

19.05.2020

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, drejtuar nga kryetarja Albena Reshitaj.
 
Në këtë mbledhje ishin të ftuar për raportim drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani dhe drejtori i SHSKUK, Basri Sejdiu.
 
Fillimisht kryetarja e Komisionit Albena Reshitaj ka falënderuar ekipin e IKSHPK-së, dhe atë të SHKSKUK për siç u shpreh ajo, punën profesionale gjatë kohës sa Kosova u përfshi me pandeminë COVID-19.
Deputetët, anëtarë të komisionit kanë kërkuar disa sqarime nga drejtori i IKSHP-së në lidhje me disa masat e ndërrmarra që më vonë janë konsideruar antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese, në lidhje me numrin e testimeve të qytetarëve të Kosovës, vendimin e karantimit të qytetarëve të ardhur nga jashtë dhe shumë çështje të tjera.
Drejtori i IKSHPK-së Naser Ramadani ka sqaruar se Kosova që nga janari ka ngritur shkallën e vigjilencës së lartë në bashkëpunim me Organizatën e Botërore të Shëndetësisë, ndërsa në 17 janar është formuar Komiteti për sëmundje ngjitëse.
Ramadani ka prezantuar shifrat e të infektuarve që nga 13 marsi kur është paraqitur rasti i parë dhe deri më 18 maj, ndërsa thotë se Kosova e ka menaxhuar mirë pandeminë COVID-19, ku siç tha ai, kjo tregon numrin e vogël të rasteve me fatalitet. Sipas tij Kosova është një ndër vendet në rajon që më së miri e ka menaxhuar këtë situatë.
Por drejtori i IKSHPK-së tha se Kosova ende nuk është në fund të pandemisë, ndërsa rekomandon që masat të jenë ende në fuqi.
Ramadani u pyet nga deputetët edhe për menaxhimin e situatës në veri, ku sipas tij IKSHP nuk menaxhon me veriun, vetëm se merr informata statistikore.
 
Interesimi i deputetëve ishte edhe për kërkesat për faljen e Fitër Bajramit në ambient të hapur. Sipas Ramadanit, tubimet çfarë do qofshin ato, janë të rrezikshme për përhapjen e virusit COVID-19.
Deputetët kanë shtruar shumë pyetje edhe për drejtorin e SHSKUK-së Basri Sejdiu, për punën e personelit mjekësor, por edhe për përfshirjen e tyre në Pakon emergjente nga ana e Qeverisë.