Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport

19.05.2020

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, mbajti mbledhjen e radhës, të drejtuar nga kryetari Arban Abrashi, në të cilën të ftuar për raportim ishin anëtaret e Këshillit Shtetëror të Cilësisë të AKA-së.

Kryetari i KSHC-së, Gazmend Lubuteni, para anëtarëve të komisionit prezantoi një raport, përmes të cilit i informoi lidhur me punët dhe aktivitet që janë zhvilluar në këtë agjencion. 

“Në prill të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar listën e anëtarëve të KSHC-së, propozuar nga ministri i MASHT-it, në përbërje prej 9 anëtarëve, prej të cilëve 6 janë vendorë dhe 3 ndërkombëtarë. Ndërkaq, aktualisht në KSHC janë 8 anëtarë, pasi që njëri prej tyre ka dhënë dorëheqje në muajin mars 2020”, tha Luboteni.

Gjatë prezantimit të tij, Luboteni vuri në dukje përkushtimin dhe angazhimin e KSHC-së dhe AKA-së, të cilët përkundër rrethanave të vështira, siç theksoi ai, nga pandemia e COVID-19, janë duke punuar me përgjegjësi ligjore ligjore dhe institucionale, në mënyrë që të sigurohet një proces sa më efikas dhe efektiv, në rritjen e vazhdueshme të cilësisë së arsimit të lartë në Kosovë.

Tutje ai tha se KSHC-ja ka mbajtur mbledhje online në të cilën kanë marrë pjesë të gjithë anëtarët, vendorë dhe ata ndërkombëtarë.

“Numri i institucioneve në proces të akreditimit institucional për vitin 2020 është gjithsej 14, ndërsa numri i programeve për akreditim është gjithsej 207, nga të cilët për ri-akreditim janë 11 (65 në institucione publike dhe 47 në private). Janë angazhuar tri grupe të ekspertësh eminentë nga lista e ekspertëve të aprovuar nga KSHC-ja”, tha Luboteni.

Ai tha se prioritet i agjencionit do te jetë rikthimi i AKA-së në EQAR dhe ENQA, për të siguruar cilësi sa më të lartë në institucionet e arsimit të lartë.

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi, njoftoi para komisionit lidhur me zhvillimet kryesore për periudhën dy mujore, sa është në krye të këtij institucioni. Ndër çështjet kryesore gjatë mandatit të tij, Gashi vuri në pah miratimin e listës së ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët bëjnë vlerësimin ndërinstitucional, si dhe të programeve akademike institucionale të arsimit të lartë, miratimin e aplikacioneve të IAL-ve, procesin e akreditimit në kohën e pandemisë, zbatimin i kritereve të ENQA dhe kthimin e anëtarësimit në këtë institucion ndërkombëtar. Ndërkaq, Gashi, po ashtu shprehu nevojën e rritjes së numrit të stafit administrativ.

Anëtari i KSHC-së, Dukagjin Zeka, shprehu shqetësimin e tij e lidhur me shkeljen e procedurave të programeve të akreditimit, si dhe jo-transparencën e bordit në KSHC.

Anëtarët e komisionit, nga ana e tyre, shfaqen shqetësime nga me të ndryshmet që ndërlidhen më KSHC-në, siç janë: përjashtimi i AKA-së nga ENQAR, numri i regjistrimit të studentëve në fakultetet publike dhe ato private, zgjatja e një raporti të eksperteve për një program, ndërprerja e draftimit të Ligjit për arsimin e lartë etj. Po ashtu u diskutua edhe regjistrimi i studentëve në fakultete pa qenë ende të akredituar. Deputet kërkuan një raport profesional dhe të detajuar nga KSHC-ja.

Anëtarët e KSHC-së dhanë përgjigjet e nevojshme në çështjet e ngritura nga ana e deputetëve.