Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport

26.05.2020

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, mbajti mbledhjen e radhës, e cila u kryesua nga kryetari i komisionit, Arban Abrashi, në të cilën të ftuar ishin rektorët e universiteteve publike.
Kryetari Abrashi, para anëtarëve të komisionit bëri të ditur se ky takim ka për qëllim informimin e drejtpërdrejtë lidhur me proceset e akreditimit, cilësisë në arsimin e lartë, mësimin online si dhe sfidat dhe vështirësitë që universitetet kanë para vetes, në arritjen e rezultateve më të mira.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjam Demaj, foli për rendësinë e edukimit dhe funksionimit sa më të mirë të sistemit, përmes së cilit arrihen edhe rezultatet në të gjitha fushat profesionale. 
Ndër të tjera, ai theksoi se në universitete janë krijuar mekanizma shumë profesionalë, në funksion matjes së cilësisë në arsim. Ndërkaq, sipas tij, nëse arsimi nuk bëhet prioritet dhe nuk është i pavarur, problemet dhe ngecjet do të vazhdojnë. Demaj kërkoi bashkëpunim më të madh ndërinstitucional në funksion të mbarëvajtjes dhe arritjes së rezultateve më të mira në arsimin e lartë.
Në mbledhje morën pjesën edhe rektorët e universiteteve të tjera, si:: Fadil Millaku nga Universiteti “Haxhi Zeka”, Pejë, Alush Musaj nga Universiteti “Isa Boletini”, Mitrovicë, Ismet Temaj nga Universiteti “Ukshin Hoti”, Prizren, Bajram Kosumi nga Universiteti “Kadri Zeka”, Gjilan, Agron Bjraktari nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, si dhe Artan Nimani nga Unversiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë.
Rektorët e këtyre universiteteve paraqiten një varg problemesh dhe sfidash që janë duke hasur e të cilat, sipas tyre, paraqesin pengesë në arritjen e objektivave dhe programeve zhvillimore. Shqetësuese u paraqit çështja e statuteve të përkohshme të universiteteve. 
Problemi tjetër që i ka përcjell këto universitete, sipas rektorëve, ishte edhe mos-akreditimi i programeve arsimore dhe, siç thanë ata, jo korrektësia AKA-së dhe KSHC-së. 
Po ashtu, kërkesë e rektorëve ishte edhe ndryshimi i Ligjit për arsimin e lartë, mos ndërhyrja politike në universitete, rritja e numrit të stafit administrativ në universitete etj.
Anëtarët e komisionit ngritën shqetësime dhe shtruan pyetje që ndërlidhën me mbarëvajtjen e punëve në universitete, si: problemet brenda AKA-së, votimi kundër rritjes së numrit të studentëve të mjekësisë në universitet publike, trajnimet e mësimdhënësve, strategjia në universitete për programet studentore etj.
Rektorët dhe anëtarët e komisionit së bashku, ranë në ujdi që ta organizojnë një punëtori për të pasur mundësi që t’u qasen në mënyrë shumë serioze të gjitha problemeve dhe sfidave që janë duke hasur këto universitete.