Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport

25.06.2020

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, mbajti mbledhjen e radhës, e drejtuar nga kryetarja Valentina Bunjaku- Rexhepi, në të cilën i ftuar për raportim ishte ministri i MASH-it, Ram Lika lidhur me gjendjen në arsimin e lartë.

Anëtarët e komisionit paraprakisht shtruan pyetje në adresë të ministrit Lika. 

Deputetët adresuan shqetësimet dhe problemet të ngritura gjatë takimeve të zhvilluara me rektorët e universiteteve shtetërore si dhe përfaqësuesit e bartësve privatë të arsimit të lartë.

Ndër shqetësimet më të mëdha të ngritura nga ana e anëtarëve të komisionit, ishin: problematikat e ndodhura në KSHC dhe mos raportimi i tyre me shkrim pranë komisionit, shtyrja e afatit të akreditimit të universiteteve, kërkesa që të mos ketë ndërhyrje politike, të ketë menaxhim të studentëve në kolegje private dhe të bëhet e munduar njohja e diplomave të tyre, zgjidhja e problemit të komisionit të ankesave në AKA, tek konkurset në AKA, shpallja të bëhet me qëllim edukativ dhe mbarëvajtje didaktike dhe zhvillimore.

U diskutua gjithashtu edhe për, siç u tha, parregullsitë e shfaqura në përzgjedhjen e këshillit drejtues në UP, për Ligjin për arsimin e lartë, procesin i aplikimit në ENQAR etj.

Ministri Lika, para anëtarëve të komisionit deklaroi se Ministria e Arsimit është duke punuar intensivisht në mbarëvajtjen sa më të mirë në arsimin e lartë. Ai bëri të ditur se ka mbajtur takime informuese me rektorët, KSHC-në dhe AKA-në, për të arritur bashkëpunim sa më të mirë më të gjithë akterët relevantë. Lika theksoi se MASHT-i është duke pritur ftesën për aplikim në ENQAR dhe pritet që të vijë përgjigje pozitive nga ta. 

Po ashtu ai tha se është punuar edhe Draft-ligji për arsimin e lartë dhe së shpejti do të bëhet rishqyrtimi i tij. Po ashtu, Lika u zotua se nuk do të lejojë ndërhyrjet politike në mbarëvajtjen e arsimit të lartë. 

Në fund, ai shtoi se do të bëhet edhe rritja e numrit të stafit punonjës në AKA, për të lehtësuar punën në ketë institucion.