Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Transfere

21.10.2020
Komisioni për Buxhet dhe Transfere, kryesuar nga kryetari Hekuran Murati, mbajti sot mbledhjen e radhës.
Para se të fillohet me pikat e rendit të ditës që ishin të parapara, kryetari Hekuran Murati kërkoi raportim nga ministrja e Financave Hykmete Bajrami në lidhje me shkarkimin e drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës nga ana e kryeministrit të Republikës së Kosovës, por edhe për pretendimet e drejtorit të ATK-së pas shkarkimit.
Ministrja e Financave Hykmete Bajrami në lidhje me këtë tha se është e gatshme që të raportojë, por kërkoi kohë. Këtë kërkesë të ministres Bajrami e përkrahën shumica e anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Transfere.
Ministrja Bajrami paraqiti dhe arsyetoi raportin vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019.
Pas prezantimit, anëtarët e Komisionit debatuan në lidhje me raporti, duke adresuar pyetje për ministren dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Financave.
Pas diskutimeve, raporti vjetor financiar u hodh në votim dhe mori mbështetjen e shumicës së anëtarëve të Komisionit, me rekomandimin për miratim në seancë plenare. 
Pikë tjetër e rendit të ditës ishe edhe shqyrtimi i Projektligjit nr. 07/L-005 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe i ndryshuar me Ligjin nr. 03/L-221, me Ligjin nr. 04/L-116, me Ligjin 04/L-194, me Ligjin 05/L-063, dhe me Ligjin 05/L-007.
Pasi që ky projektligj ishte inicuar nga Partia Demokratike e Kosovës, prezantimit para anëtarëve të Komisionit e ka bërë deputeti Bedri Hamza.
Edhe për këtë projektligj pati diskutime nga ana e deputetëve dhe në fund mori mbështetjen e komisionit. 
Komisioni vendosi të shtyjë për mbledhjen e radhës, të mërkurën, më 28 tetor, shqyrtimin e Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike-Covid 19.
 
Ky vendim u mor nga ana e deputetëve, pasi që duhet pritur të dorëzohen amendamentet e propozuara për projektligjin.