Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Integrim Evropian

23.12.2020

Komisioni për Integrim Evropian, kryesuar nga kryetari Ismet Beqiri, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën shqyrtoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2020 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Kryetari Beqiri theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, sipas të cilës BE-ja asiston Kosovën në shumë projekte të rëndësishme. Sipas Beqirit, propozimet në këtë marrëveshje do të kenë koston prej 138.9 milionë euro, ku Bashkimi Evropian do të financojë shumën prej 90 milionë euro.

Pas prezantimit të projektligjit, fjalën e morën edhe anëtarët tjerë, të cilët u pajtuan për votimin e tij.

Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2020 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian pas hedhjes në votim, mori votat e të gjithë anëtarëve të Komisionit që ishin të pranishëm në mbledhje.