Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion…

15.12.2020

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të kryesuar nga Shkëmb Manaj, kryetar, në të cilën kanë marrë pjesë dhe drejtuesit e institucioneve përgjegjëse të sektorit të drejtësisë në vend.

Në këtë mbledhje, është diskutuar lidhur me adresimin e rekomandimeve të dala nga Raporti i vendit i Komisionit Evropian për vitin 2020, dhe për kërkesat buxhetore të institucioneve/agjencioneve, të cilat bien në fushëvperim të Komisonit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Ministri i Drejtësisë, Selimi Selimi, ka thënë se përkundër sfidave si pasojë e pandemisë COVID-19, bazuar në të gjeturat e Raportit për vitin 2020, kjo ministri është duke e vazhduar punën në hartimin e reformës zgjedhore.

Ai me këtë rast, ka përmendur edhe Projekt Kodin Civil, dhe Projektligjin për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të Huaj në Republikën e Kosovës, të cilat janë në shqyrtim në Kuvend.

Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës(KGJK), Skënder Çoçaj, kryesues, ka thënë se ky institucion është duke punuar në forcimin e kapaciteteve. Në këtë kontekst, ai ka thënë se është rritur numri i gjyqtarëve, por jo edhe i bashkëpunëtorëve profesional, të cilët sipas tij, janë shumë të nevojshëm.

Çoçaj ka folur edhe për sistemin e shpërndarjes automatike të lëndeve te gjyëtarët, duke premtuar se ky sistem pritet të aplikohet edhe në Gjyaktën Supreme, dhe të Apelit.

Edhe drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovë, Lavdim Krasniqi, ka thënë se bazuar në të gjeturat e Raportit për vendin, janë identifikuar sfidat e këtij institucioni. Ai ka bërë me dije se është rritur numri i prokurorëve, duke kërkuar mbështetje që të ketë rritje edhe më të madhe në të ardhmen, dhe po ashtu të ketë rritje edhe të stafit mbështetës.

Krasniqi ka folur edhe për sistemin e shpërndarjes automatike të lëndeve te prokurorët.

Përkundër sfidave, krahas të angazhimeve të tjera, Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë kundër Korrupsionit, ka pëmendur se është në procedurë projektligji për këtë agjenci. Ai ka folur edhe për çështjen e sinjalizuesve, konkretisht për themelimin e departamentit për mbrojten e sinjalizuesve.

Havolli ka bërë me dije, po ashtu se me Ligjin për Konflikt të Interesit trajtohen të gjithë zyrtarët publik.

Ndërkaq, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve(KQZ), Valdete Daka, ka thënë se në Raportin e vendit, ky instucion ka marrë nota pozitive. Ajo ka thënë se KQZ është duke i trajtuar me kujdes rekomandimet e Misionit Vëzhgues të Bashkimit Evropain, të cilët kanë qenë prezent në Kosovë gjatë mbajtjes së zgjedhjeve në vitin 2019, që kanë të bëjë me reformën zgjedhore.

Në këto rekomandime, sipas saj, janë prekur mbikëqyrja e financimit të subjekteve politike, përfaqësimi i gruas; votimi i diasporës, pasaktësitë në listën e votuesve etj.

Me këtë rast, Daka ka vlerësuar se është koha që KQZ-ja të ketë kod zgjedhor.

Ndonëse nuk përmenden drejtëpërdrejtë në Raportin për vitin 2020, në këtë takim kanë disktutuar edhe përfaqësuesit e institucioneve tjera (Agjencia për Ndihmë Juridike falas, Akademia e Drejtësisë etj).

Anëtarët e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, janë interesuar të dinë për planet konkrete të drejtuesve të këtyre institucioneve që ndërlidhen me të gjeturat e Raportit për vendin për vitin 2020.

Në këtë takim, drejtuesit e institucioneve të sektorit të drejtësisë, kanë adresuar kërkesat për buxhet për vitin 2021. Ata kanë thënë se në mungesë të buxhetit, ka ngecur procesi i rekrutimit të zyratarëve të rinj, që sipas tyre, po ndikon edhe në punën e këtyre institucioneve.