Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit

04.08.2020

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka mbajtur sot(e martë), mbledhjen e radhës, të cilën e ka drejtuar Shkëmb Manaj, kryetar.

Në këtë mbledhje, drejtori Ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, ka raportuar për punën e këtij institucioni gjatë vitit 2019-të.

Fejzullahu ka folur për trajnimet që Akademia e Drejtësisë i ka mbajtur për gjyqtarët dhe prokurorët. Ndër tjerash, ai ka raportuar edhe për sfidat, veçanarisht për mungesën e buxhetit dhe të hapësirave të punës së këtij institucioni.

Fejzullahu ka vlerësuar se Akademia e Drejtësisë është një vlerë e shtuar e institucioneve të Kosovës.

Po ashtu, në këtë mbledhje për punën e Agjencisë Kundër Korrupsionit gjatë vitit 2019-të, ka raportuar Shaip Havolli, drejtor.

Havolli, ka bërë me dije se Agjencia Kundër Korrupsionit gjatë vitit 2019-të ka denoncuar 119 persona të dyshuar për përfshirje në veprime korruptive.

“Gjithashtu gjatë periudhës raportuese AKK ka përcjellë 8 raste në organet kompetente administrative me kërkesë për fillimin e procedurës disiplinore kundër 8 personave zyrtarë të institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Havolli.

Ai ka folur edhe për procesin e deklarimit të pasurisë nga zyrtarët e lartë publik, mbikëqyrjen e këtij procesi, Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, si dhe për sfidat me të cilat po ballafaqohet ky institucion.

Havolli ka treguar se është në proces të plotësim- ndryshimit Ligji për Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe Ligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave të Zyrtarëve të Lartë Publik.

Para anëtarëve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, për punën njëvjeçare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2019-të, ka raportuar Valdete Daka, kryetare.

Ajo përveç çështjeve të tjera, ka folur edhe për dy procese të rëndësishme që kanë ndodhur gjatë vitit 2019- të: zgjedhjet për kryetar të katër komunave në veri të vendit, dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Daka ka thënë se procesi zgjedhor i 6 tetorit është vlerësuar ndër më të mirët jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.

Anëtarët e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit e kanë vlerësuar punën që është bërë në Akademinë e Drejtësisë, në Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si dhe kanë premtuar mbështetje edhe në të ardhmen për këto institucione.