Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja plenare e Kuvendit

17.09.2020

Kryeministri Avdullah Hoti raportoi në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi


Mbledhja e sotme plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, drejtuar nga kryetarja dr. Vjosa Osmani, filloi me deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje të deputetëve, në të cilat përgjigje dhanë kryeministri Avdullah Hoti dhe ministrat Ramë Likaj e Agim Veliu.

Në vijim, Kuvendi vazhdoi punimet me raportimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. 

Pasi dha një kronologji të procesit të deritashëm të dialogut me Serbinë, kryeministri Hoti foli për takimet që ai ka zhvilluar në Uashington më 4 shtator me ndërmjetësimin e presidentit amerikan Donald Trump, si dhe për marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë. Ai tha se Kosova e ka obligim që t’i normalizojë marrëdhëniet me shtetin fqinj për të përparuar drejt integrimeve euroatlantike.

Kryeministri Hoti tha se integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm dhe se sistemi unitar nuk mund të preket dhe as të diskutohet, ngase kjo garantohet edhe me Kushtetutë. Ai tha se nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëherë dialog teknik, por vetëm dialog për njohjen reciproke. Sipas tij, qeveria nuk do dakordohet derisa nuk dakordohen për të gjitha, përfshirë edhe njohjen reciproke.

Në vijim ai sqaroi se kjo marrëveshje nuk do të ofrojë zgjidhje kreative, por sistematike, bazuar në konventa ndërkombëtare dhe se do të ofrohen zgjidhje të përhershme mes dy vendeve. Ndërsa, u zotua se sa i përket asociacionit, kjo temë nuk do të hapet në dialog. 

Duke përmendur se qasja serioze e qeverisë aktuale ka ndikuar pozitivisht që SHBA-të të marrin këtë rol, ai tha se ky është momentum i ri ndërkombëtar, i cili, sipas tij, ka për qëllim mbylljen një herë e përgjithmonë të kësaj çështjeje, ndërkaq shtoi se nuk do gjejnë arsye për tu barrikaduar, por do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me partnerët ndërkombëtarë. 

Ai po ashtu, përmendi edhe njohjen e Kosovës nga Izraeli, duke falënderuar me këtë rast kryeministrin dhe popullin izraelit.

Në vijim, Hoti ftoi grupet politike që të bashkohen në këtë temë, duke u zotuar se do të jetë plotësisht transparent.
Kryeministri Hoti, po ashtu tha se ai nuk mund as të heshtë drejt të pavërtetave që lidhen me marrëveshjen në Uashington, pas cilësimeve që I janë bërë, se marrëveshja është e dëmshme, ndërsa tha se nuk është përfekte, po jo e dëmshme dhe e rrezikshme. 

“Qeveria nuk lëviz nga parimet e dialogut dhe as që po na kërkohet të lëvizim nga këto parime”, tha ai.  

Në vijim, fjalën e morën përfaqësues të grupeve parlamentare. 

Deputeti Rexhep Selimi (VV), duke kritikuar fjalën e kryeministrit Hoti, e quajti atë raportim me fjalë boshe, ndërkaq për marrëveshjen në Uashington tha se do të shihet më vonë së çfarë ka fituar Kosova nga kjo marrëveshje. 

“Qasja që keni pasur dhe materia e nënshkruar nga ju, ishte një qasje që përkon me natyrën e problematikave me Lindjen e mesme. Çka fiton Kosova me minishengen?  Çka fiton Kosova nëse bëhet hisetare Serbia në liqenin e Ujmanit? Çka fiton Kosova me mos aplikimin në organizata ndërkombëtare dhe çka nga devijimi i linjës hekurudhore?”, shtroi Selimi në këtë mënyrë një mori pyetjesh drejtuar kryeministrit Hoti, duke shtuar se Kosova nuk fitoi asgjë, ndërsa Serbia nuk humbi asgjë. 

Ai tha se Kosova nga kjo marrëveshje nuk del me fitore dhe se nga nënshkrimi i kryeministrit Hoti, Kosova kthehet mbrapa në shtetbërjen e saj. 

Kryetari i GP të LDK-së, Arben Gashi, gjatë deklarimit të tij tha se prej që z. Hoti është zgjedhur kryeministër, është kritikuar se nuk ka fuqinë ligjore për të përfaqësuar Kosovën. Sipas tij, marrëveshja e arritur në Uashington ka sqaruar se nuk ka ndarje të Kosovës dhe se kryeministri është përfaqësues legjitim për të nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare. 

Gashi vlerësoi se Serbia ende nuk e ka paguar gjenocidin e plotë, dhe se nuk duhet hequr dorë asnjëherë nga kërkesat për marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare.

Ai tha se kjo marrëveshje mund të marrë kohë, por relacionet tona fqinjësore nuk duhet të jenë të tilla që të shkojnë drejt konfliktit.

Pasi vlerësoi njohjen e Kosovës nga Izraeli, Gashi tha se sa i përket çështjes së liqenit të Ujmanit, duhet të insistohet që kur të përpilohet studimi i fizibilitetit të theksohet se Ujmani është pasuri e Kosovës, ndërkaq si përdorues i përbashkët, nuk të thotë pronësi e përbashkët dhe se duhet insistuar se Ujmani është ndërtuar nga Kosova në vitet e 70-ta.

Sa i përket çështjes së minishengenit, Gashi tha se Kosova duhet të insistojë që në këtë marrëveshje të tregtisë së lirë të hyjë si shtet i barabartë.

“Duhet të shohim se cilat janë mundësitë e zhvillimit tonë ekonomik, cilat janë dobitë tona nga ky minishengen. Duhet vlerësimi i ekonomistëve për këtë, dhe mendoj që pikërisht z. Hoti është në pozitën e duhur për të dhënë një vlerësim të tillë”.

Deputeti Enver Hoxhaj (PDK), tha se rikthimi i fuqishëm i SHBA-ve me një përpjekje që ta përmbyllë dialogun e Kosovës me Serbinë është zhvillim pozitiv, dhe se partnerët ndërkombëtarë, sipas tij, dëshmuan një seriozitet karshi Kosovës.

Sipas tij, amerikanët si partnerë seriozë e kanë bërë punën e tyre, por shtroi pyetjen nëse delegacion ynë dhe qeveria kanë qenë të përgatitur, të vendosur dhe të vetdijshëm se çfarë ndodhi me 3 dhe 4 shtator në Uashington. 

“Nëse ju mendoni që kryeministri Hoti dhe qeveria që e kemi përballë, kanë negociuar në Uashington, është gabim”, theksoi Hoxhaj, duke shtruar dilemën se cili është drafti i parë, i dytë, i tretë i marrëveshjes, nëse kanë negociuar dhe cilat pika janë larguar. Hoxhaj mes tjerash tha se nuk ka asgjë konkrete se si duhet të implementohet kjo marrëveshje.

Ndërsa, sa i përket çështjes së njohjes së Kosovës nga Izraeli, ai tha se i është gëzuar këtij lajmi, mirëpo ky është vetëm lajm, ngase sipas tij njohja është akt politik e formal dhe asnjë vendim deri më tani në Jerusalem nuk është marrë as nga qeveria dhe as nga Ministria e Punëve të Jashtme. 

“Mos i thoni njohje, por zotim”, tha Hoxhaj.

Nga GP i AAK-së, deputetja Teuta Haxhiu theksoi rolin e fuqishëm të SHBA-ve në arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi. Ajo tha se udhëheqja e këtij dialogu nga kryeministri Hoti, është mbështetur dhe do të vazhdojë të marrë mbështetje nga ky subjekti politik, meqë sipas saj, ky dialog mbështetet në tri parime kyçe: mos diskutimin në dialog të asnjë teme që lidhet me kufirin, ruajtjen e rendit dhe sistemit unitar kushtetues të Kosovës, si dhe njohjen reciproke që do të sigurojë paqe dhe integrim euroatlantik.

Në anën tjetër, deputeti Fikrim Damka, në emër të GP 6+, shprehu pakënaqësi lidhur me arritjen e kësaj marrëveshjeje në SHBA, sidomos rreth mundësisë për hapjen e Ambasadës në Jerusalem. Sipas tij, aktualizimi i një veprimi të tillë, do të rezultojë me largimin e tyre nga qeveria.

Kryeministri Hoti, duke iu referuar qëndrimeve nga përfaqësuesit e grupeve parlamentare, ripotencoi se nga marrëveshja e fundit e arritur në Shtëpinë e Bardhë, Kosova nuk humbet asgjë. Por, një marrëveshje e tillë, vendit i sjell 1 miliard dollar, njohje nga Izraeli, partneritetin më të fuqishëm që ka pasur ndonjëherë Kosova në SHBA gjatë 10 viteve të fundit, si dhe përfshirjen e plotë të SHBA-ve në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Debati vijoi me diskutime nga deputetë të tjerë të Kuvendit, ndërsa në disa raste në foltoren e Kuvendit doli kryeministri Hoti, për të dhënë sqarime në çështjet e ngritura. 

Fjalën e mori edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila në adresimin e saj, tha se roli i SHBA-ve në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ka qenë jetik. 

Osmani tha se gjysma e njohjeve të shtetit të Kosovës ka ardhur falë angazhimit të jashtëzakonshëm, bipartizan, të të dyja partive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Sa i përket dialogut, Osmani tha se në mënyrë që të mos përsëriten gabimet e së kaluarës, çështjet do të duhej të diskutoheshin paraprakisht dhe kryeministri të merrte mandat nga ky Kuvend. 

Lidhur me takimin në Uashington, kryetarja e Kuvendit tha se kryeministri Hoti ka humbur mundësinë për njohje reciproke me Serbinë në Uashington.

“Unë besoj që pritshmërinë i ka rritur vet qeveria. E ka thënë këtu dhe çdo kund tjetër, që pikërisht këtë rezultat duhet të pritnim. Dhe e vërteta është se Shtëpia e Bardhë e ofroi këtë. Shtëpia e Bardhë ua vendosi Kosovës dhe Serbisë përpara dokumentin në të cilin Kosova ishte e njohur si Republikë e Kosovës. Po pajtohem se është abuzuar me paragrafin 10, i cili u referohet pakicave, por nëse Shtëpia e Bardhë e ofroi një dokument për të nënshkruar edhe nga Serbia, në të cilin Kosovës i referohet si Republikë e Kosovës, ajo ka qenë njohja reciproke dhe nga ajo nuk është dashur të hiqet dorë assesi”, tha Osmani.

Duke folur lidhur me asociacionin e komunave me shumicë serbe, kryetarja e Kuvendit tha se zhvillimet e ditëve të fundit lidhur me këtë temë janë interesante, apo, siç tha ajo, loja e ping-pongut mes LDK-së dhe PDK-së se kush e ka bërë asociacionin. Osmani tha se sikurse në vitin 2013, ashtu edhe më 2015, PDK dhe LDK ishin bashkë në këtë proces. 

“Asociacioni është një meritë e përbashkët, por kjo nuk do thotë që ne sot nuk do ta tregojmë kujdesin e nevojshëm për të parandaluar një synim tepër të rrezikshëm, që ai të rinegociohet prapë dhe siç e ka thënë vet z. Hoti, të bëhet pjesë e marrëveshjes finale”, tha kryeparlamentarja Osmani. 

Në fund të debatit, fjalën e mori kryetari i GP të VV-së, Rexhep Selimi, i cili kërkoi që në funksion të harmonizimit të draft-rezolutës së paraqitur, votimi i saj të bëhet nesër. 

Në këto rrethana, seanca ndërpreu punimet për sonte, me njoftimin për vazhdimin e saj nesër, më 18 shtator 2020, në orën 10:00.