Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga punimet e seancës plenare

21.10.2020

U mbajtën tri interpelanca me kryeministrin Avdullah Hoti

Kuvendi i Republikës së Kosovës, udhëhequr nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani, u mblodh sot në seancë plenare, në të cilën u zhvilluan tri interpelanca me kryeministrin Avdullah Hoti. 

Seanca filloi me interpelancën e parë, e thirrur nga deputetja nga radhët e GP të Vetëvendosjes, Fitore Pacolli-Dalipi, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me pezullimin njëvjeçar të aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Në cilësi të iniciueses, deputetja Pacolli-Dalipi tha se Kosova është shtet i vogël dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare krijon hapësirë për shtrirje të ndikimit të saj në botë. Sipas saj, anëtarësimi në organizata është njohje për Kosovën nga shtetet që nuk e kanë njohur atë. Ajo shtoi se fokusi i shtetit të Kosovës do të duhej të ishte në fuqizimin e pozitës së Kosovës në organizata ku e ka pozitën e anëtares vëzhguese. 

Gjatë fjalimit të, deputetja Pacolli-Dalipi i shtroi edhe pyetje direkte kryeministrit Hoti. 

 “Si është e mundur që moratoriumi të aplikohet për anëtarësim në NATO, UNESCO e organizata të tjera, e jo kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen e Kosovës në zonën e mini-Shengenit? Si është e mundur t’i pezullohet Kosovës e drejta për t’u anëtarësuar në këto organizata dhe t’i lejohet e drejta për t’u anëtarësuar në zonën e Novi Sadit? Ju si një proamerikan, jeni zotuar se Kosova do të bëhet pjesë e mini shengenit, iniciativës rajonale të Serbisë”, tha tutje Pacolli.

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, në emër të GP –LVV-së, theksoi se vendimi i kryeministrit Hoti për pezullimin e aplikimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare ka pezulluar edhe vetë shtetësinë e Kosovës. Sipas saj, moratoriumi do të thotë izolim i shtetit të Kosovës dhe dëmet që kryeministri Hoti ia ka shkaktuar vendit do të jetojnë më gjatë se moratoriumi.

Kryeministri Hoti u përgjigj në pyetjet e deputetëve lidhur me moratoriumin njëvjeçar, duke theksuar se nuk i kanë pauzuar përgatitjet.

“Pavarësisht dakordimit për të pauzuar për një vit aplikimin në organizata ndërkombëtare, ne nuk po e pauzojmë punën tonë për përgatitjet për këtë anëtarësim. Përkundrazi, ne po vazhdojmë koordinimin e plotë me të gjithë partnerët dhe me partnerin tonë kryesor, SHBA-në, që të sigurohemi që aplikimet tona në organizata ndërkombëtare nuk dështojnë siç ka ndodhur në të kaluarën, por rezultojnë me pranim dhe fuqizim të subjektivitetit tonë ndërkombëtar”, theksoi kryeministri Hoti. 

Në emër të GP të LDK-së, deputeti Faton Bislimi tha se pezullimi njëvjeçar i aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare është akt politik i koordinuar me SHBA-të, i bërë në një marrëveshje të garantuar nga SHBA-ja në Shtëpinë e Bardhë. Sipas tij, pezullimi nuk e cenon në asnjë moment sovranitetin e vendit, sepse, siç tha ai, sovraniteti nuk përcaktohet nga aplikimi apo mos aplikimi në një organizatë ndërkombëtare. 

Deputeti Enver Hoxhaj, nga GP i PDK-së, tha se mos aplikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, është një hegjemoni e re serbe në raport për Kosovën. Ai tha se përveç mos-aplikimit në organizata ndërkombëtare, ka një angazhim të Serbisë që edhe në ato organizata që Kosova është pjesë, të penalizohet.

Ai foli edhe për çështjen e mini-shengenit, duke thënë se kjo do ta izolonte Kosovën në rajon.

Kryetari i GP Nisma-AKR, Endrit Shala, tha se me marrëveshjen e nënshkruar në Uashington, çështja e mos anëtarësimit të Kosovës nëpër organizatat ndërkombëtare është e afatizuar. Siç tha ai, edhe Vetëvendosje sa ishte në pushtet e kishte ndaluar aplikimin në Interpol, me arsyetimin se nuk ka përkrahje, ndërsa theksoi se të njëjtën po e bën edhe qeveria aktuale, por më një afat të caktuar prej një viti.

Seanca vijoi me diskutimeve të shumta të deputetëve, pas të cilave, në disa raste fjalën e mori kryeministri Hoti. 

Ai iu drejtua deputetëve të GP të VV-së, duke kërkuar nga ta pyesin ish-ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufcën, se pse kishte propozuar që të hiqet dorë nga aplikimi në Interpol.

“Po e shtroj si pyetje, jo me qëllim të keq për grupin parlamentar të LVV-së, a e keni pyetur ish-ministrin e Jashtëm që Qeveria të miratojë shtyrjen e aplikimit në Interpol?, tha Hoti.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, duke folur lidhur me qarkoren e qeverisë, e cila u adresohet të gjitha institucioneve të Kosovës për të mos aplikuar në organizata ndërkombëtare, tha se kjo qarkore nuk vlen për të zgjedhurit e popullit, pasi, siç tha ajo, ata nuk e kanë mandatuar qeverinë për marrëveshjen e 4 shtatorit në Uashington.

“Kur theksoni të gjitha institucionet, a keni menduar që këtu është edhe Kuvendi i Kosovës. Në radhë të parë MPJD nuk mund të lëshojë qarkore për Kuvendin, por një gjë e tillë do të kishte mundësi të bëhej sikur të ekzistonin dy rrethana. Sikur dokumenti i nënshkruar të ratifikohej në Kuvendin e Kosovës, ose që para se të shkonit në Uashington, Kuvendi do t’ju mandatonte me një rezolutë ose akt të veçantë që ju të merrni obligime për Kuvendin. As nuk ju kemi mandatuar të bëni moratoriumin në emër të gjithë institucioneve, edhe e dyta nuk ju kemi mandatuar. Në mungesë të këtyre dyjave, shpresoj që ministrja as do të tentojë të na dërgojë një qarkore të tillë, por nëse tenton, ky Kuvend asnjëherë nuk ka shprehur vullnetin për moratorium për mos aplikim”, tha kryetarja Osmani. 

Ajo tha se do të vazhdohet me planin e hartuar dhe se së shpejti do të aplikohet në njërën nga organizatat për të cilën shihet se ka momentum.

Pas shterimit të diskutimeve të deputeteve, kryetarja e Kuvendit i dha fjalën iniciueses së kësaj interpelance që ta paraqes para deputetëve projekt-rezolutën. 

Në mungesë kuorumi, Kuvendi nuk arriti të votojë rezolutën e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, përmes së cilës, ndër të tjera, i kërkohet qeverisë të vazhdojë aplikimet për anëtarësim të vendit në organizatat ndërkombëtare.

Seanca vijoi me interpelancën e dytë me kryeministrin Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Mimoza Kusari-Lila, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me përfshirjen e Republikës së Kosovës në “Zonën e mini-Shengenit ballkanik”.

Deputetja e LVV-së Mimoza Kusari –Lila, në cilësinë e inicueses theksoi se në vazhdimësi janë marrë premtime se Kosova nuk do të jetë pjesë e kësaj iniciative ballkanike, por sipas saj, në takimin e 4 shtatorit në Uashington këto premtime ranë në ujë. 

Ajo tha se kryeministri Hoti, me nënshkrimin e marrëveshjes së Uashingtonit, ia ka garantuar infrastrukturën Serbisë.

“Mini-Shengeni është ide dhe projekt i Serbisë. E vërteta e kësaj nisme është nisma e Novi-Sadit. I ashtuquajturi mini-Shengeni ballkanik mohon ekzistencën e Kosovës si shtet, mohon kufijtë e saj shtetërorë dhe përjashton të drejtën e saj sovrane për të kontrolluar territorin e vet”, tha ajo.

Hekuran Murati, në emër të GP të LVV-së, tha se qëndrimet e kryeministrit Hoti janë kundërthënëse lidhur me atë se si është zotuar para se të shkonte në Uashington. Sipas tij, zona e mini-Shengenit, përveç demit politik, bën dëme të mëdha edhe në aspektin ekonomik. 

Kryetari i GP të LDK-së, Arben Gashi, tha se ideja e thirrjes së këtyre interpelancave është për të krijuar një zhurmë si rezultat i pamundësisë dhe paaftësisë së kryeministrit të kaluar që të merret me këto çështje, duke rrezikuar edhe raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.

Deputeti Sejdi Hoxha, në emër të GP të PDK-së, tha se marrëveshja për krijimin e zonës mini-Shengen është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Sipas tij, vizioni i vetëm i Kosovës duhet të mbetet anëtarësimi në NATO, në BE dhe në zonën Shengen e jo në zonën mini-Shengen. 

Nga grupi i NISMA, deputetja Arbëreshë Krasniqi tha se duhet t’i referohemi Kosovës me terma kushtetuese, duke u prezantuar si shtet. 

Në adresimet e tij para deputetëve, kryeministri Hoti tha se zotimi për bashkëngjitjen në iniciativë të quajtur mini-Shengen duhet parë në vazhdimësi si përpjekje për të forcuar bashkëpunimin rajonal. Sipas tij, në këtë nismë Kosova do të jetë bashkëpronare e plotë e përkufizimit të nismës, duke ruajtur çdo interes të Kosovës. 

“Kosova do të ketë pjesën e saj të autorësisë përgjatë procesit të harmonizimit të aranzhimeve dhe të strukturës, si dhe aspektin legjislativ, duke u përkujdesur që çdo gjë të jetë në harmoni të plotë me ligjet në Kosovë. Në Shtëpinë e Bardhë jemi pajtuar të bëhemi pjesëmarrës të barabartë të kësaj nisme, sepse ky është sugjerimi i fuqishëm i sponsorit kryesor të Kosovës përgjatë të gjitha fazave të çlirimit dhe shtetndërtimit të Kosovës”, tha ai.

Pas shterjes së debatit, u prezantua projekt-rezoluta, por as për këtë nuk pati kuorum për vendimmarrje. 

Kuvendi vijoi punimet me interpelancën e tretë me kryeministrin Hoti, sipas kërkesës së deputetit Rexhep Selimi, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me deklarimin dhe qëndrimin e kryeministrit për zbatimin e Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Duke folur në cilësi të paraqitësit të kërkesës për këtë interpelancë, deputeti Selimi adresoi kritika të ashpra kundrejt qeverisë dhe kryeministrit Hoti, përkitazi me asociacionin. 

Ai u bëri thirrje deputetëve që të unifikojnë qëndrimet e tyre kundër asociacionit, pasi, siç tha ai, me formimin e tij do të përfitojë vetëm Serbia.

“Hajde, bëhemi bashkë kundër Zajednicës, nuk na duhet gjë Zajdenica. Asgjë nuk fiton Kosova nga Zajednica. Ju e dini kush përfiton nga Zajednica. Unë shpesh here jam munduar t’ia rikujtoj që kundërshtimi ynë për Zajednicën ka qenë për mbrojtje të integritetit dhe karakterit unitar të Republikës së Kosovës”, tha Selimi.

Kryeministri Avdullah Hoti tha se tema e themelimit të asociacionit të komunave serbe në Kosovë nuk do të hapet në procesin e dialogut në Bruksel dhe se nuk do të lejohet të ketë shkelje të rendit kushtetues në vend.

“Qëndrimi ynë është shumë i qartë. Kjo temë nuk hapet në kuadër të bisedimeve në dialog me Serbinë, pasi kemi një marrëveshje që është arritur, nënshkruar dhe ratifikuar në Kuvend më 2013. Përveç kësaj, ekziston edhe marrëveshja e parimeve për asociacionin e vitit 2015 dhe aktgjykimi i Kushtetueses për këtë çështje. Çdo veprim në këtë rrafsh do të bëhet në pajtim me këto”, u shpreh Hoti.

Sipas tij, nuk do të ketë pajtim për asnjë temë me Serbinë, nëse nuk pajtohen për të gjitha.

Kritikë në qëndrimet kundrejt qeverisë përkitazi me asociacionin e komunave me shumicë serbe, ishin Liburn Aliu nga GP i VV-së dhe Abelard Tahiri nga GP i PDK-së, ndërsa Rrezarta Krasniqi, në emër t GP të LDK-së, vlerësoi se asociacioni do të jete ashtu siç e ka thënë Gjykata Kushtetuese. 

Po në këtë frymën folën edhe Shkumbin Demaliaj (AAK) dhe Endrit Shala (Nisma-AKR). 

Lidhur me këtë temë, fjalën e mori edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila marrëveshjen e vitit 2013, për të cilën tha se deputetët janë obliguar të votojnë në orët e vona të natës, e konsideroi marrëveshje të dëmshme dhe katastrofale, e cila e rrezikon shtetësinë e Kosovës.

Ajo tha se gjërave të këqija për vendin duhet t’u qiten pikëpyetje, ndërsa shtroi pyetjen se pse qenka e pamundur që marrëveshja e vitit 2015 mos të zbatohet? 

Pas diskutimeve të deputetëve të tjerë, deputeti Rexhep Selimi paraqiti edhe njëherë projekt-rezolutën lidhur me çështjen e cila objekt diskutimi në këtë interpelancë, për hedhjen në votim të të cilës nuk pati prezencë të mjaftueshme të deputetëve në sallë.