Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës

28.12.2020

Kuvendi miratoi në lexim të parë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021

Me 64 vota për, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës miratuan në lexim të parë Projektligjin nr.07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Projektligji mbi ndarjet buxhetore për buxhetin u shqyrtua në një seancë të jashtëzakonshme, të thirrur nga kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi dhe 45 deputetë nënshkrues dhe të cilën e kryesoi kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani.

Fillimisht Kuvendi miratoi mocionin e iniciuesit për shmangie të afateve procedurale dhe kohore në bazë të Rregullores së Kuvendit.

Në cilësinë e propozuesit të seancës së jashtëzakonshme, deputeti Arben Gashi ftoi kolegët e tij që ta votojnë projektbuxhetin, duke thënë se sot pozita dhe opozita duhet të bëhen bashkë, në mënyrë që institucionet të funksionojnë edhe pas shpërbërjes së Kuvendit, pas publikimit të akvendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me legjitimitetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Është jashtëzakonisht me rëndësi që vendi të ketë buxhet që institucionet të funksionojnë edhe kur Kuvendi të shpërndahet. Sot nuk duhet të shihemi si Qeveri dhe si Kuvend, sepse Qeveria dhe Kuvendi nuk ekzistojnë. Ne sot duhet të shihemi si përfaqësues të popullit dhe të interesave të tyre dhe vetëm kaq. Ne sot duhet të japim sinjalin e bashkimit, ne sot duhet të japin mesazhin se për interesat shtetërore ne jemi të angazhuar dhe të bashkuar dhe tejkalojmë interesat politike dhe partiake. Ne sot duhet të tregojmë se kemi kapacitete që të jemi të bashkuar për atë që quhet interes nacional”, tha Gashi.

Sipas tij vota për buxhetin sot është votë për shtetin e Kosovës, ndërsa vota kundër buxhetit nuk është votë kundër Qeverisë Hoti, sepse verdiktin, sipas tij, për këtë çështje e ka dhënë Gjykata Kushtetuese.

Pas Gashit, fjalën e mori kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Hekuran Murati, i cili propozoi që para se të hidhet në votim projektbuxheti mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021, Kuvendi të marrë vendim për zgjatje buxhetore për tre muaj, në mënyrë që siç tha ai, vendi mos të hyjë në krizë.

“Pra që mos të rrezikojmë, unë propozoj që fillimisht ne si Kuvend ta miratojmë vendimin për zgjatje buxhetore për muajt shkurt dhe mars, vendim ky i cili, sipas tij, vlen nëse nuk ka ligj të buxhetit në fuqi, e në rast se ligji për buxhetin merr votat e hyn në fuqi, vendimi që merret bëhet i panevojshëm”, tha Murati.

Pro këtij propozimi ishte edhe kryetari i GP të Vetëvendosjes Liburn Aliu, i cili tha se projektbuxheti nuk është në interes nacional ndërsa e ka quajtur projekbuxhet të Qeverisë jo legjitime.

“Prandaj që në start legjitimiteti nuk ekziston. Ju nuk keni të drejtë të sillni projektbuxhet, ju po përpiqeni të bëni zi e më zi në këto ditë që ju kanë mbetur, e zi është ky projektbuxhet”, tha Aliu.

Aliu kritikoi Qeverinë se nuk ka ndarë mjete për shëndetësi e arsim, por për infrastrukturë.

Në emër të LDK-së kryetari i Grupit Parlamentar Arben Gashi tha se Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë gjithnjë aty për të mbrojtur interesin e shtetit.

“Interesi i vendit është që institucionet bazike të funksionojnë, që mësuesit e Kosovës, që policët dhe ushtarët e Kosovës të kenë paga, të gjitha institucionet të funksionojnë, tjerat mbetet të matemi në betejën e zgjedhjeve”, tha Gashi.

Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, tha se PDK do të votojë projektbuxhetin dhe me këtë, sipas tij, dëshmohet se PDK është opozitë e partive në pushtet, por jo opozitë e shtetit.

Hamza tha se as LDK-ja e as Vetëvendosje nuk kanë arritur ta votojnë me kohë buxhetin e Kosovës, dhe se PDK-ja do ta votojë atë.

“Do ta votojmë këtë buxhet për hir të qytetarëve. Ne jemi opozitë e partive në pushtet por jo opozitë e shtetit”, tha Hamza.

Në emër të AAK-së, deputeti Gazmend Abrashi tha se e përkrahin projektbuxhetin e vitit 2021, ndërsa mbetet edhe më tutje në kërkesën e AAK-së se qytetarëve duhet t’u shpërndahen nga 100 euro për shkak të krizës së shkaktuar nga pandemia dhe masave të marra nga Qeveria.

“Duke parë situatën të shkaktuar nga masat e marra për luftimin e pandemisë, që kanë prekur çdo familje në vend, kostoja do të jetë më e lartë, e kjo do të jetë ndihmë direkte për secilën familje në Kosovë. Kjo mënyrë e shpërndarjes është e lehtë dhe e miratueshme”, tha Abrashi.

Pro buxhetit të vitit 2021 është shprehur edhe Nisma-AKR-6+. Kryetari i grupit parlamentar, Endrit Shala, tha se asnjë arsye nuk i justifikon në raport me nevojën e qytetarit pasi që ata duan paga për punën që e kryejnë.

Po ashtu Shala kërkoi nga grupet tjera parlamentare që mos ta vështirësojnë jetën e qytetarëve e t’i votojnë këto marrëveshje.

“Duke i pasur për bazë rrethanat si pasojë e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe njëkohësisht duke marrë në konsideratë nevojën që vendi të ketë stabilitet financiar e po ashtu që mos t’i rrezikojmë pagat e qytetarëve të vendit, ne si NISMA-AKR-6+ do ta votojmë buxhetin për vitin 2021”, tha Shala.

Pas deklarimeve të grupeve parlamentare fjalën e mori ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami, e cila kërkoi nga deputetët që të votojnë projektbuxhetin e vitit 2021

Bajrami tha se për vitin 2021 presin që të ketë rritje ekonomike prej 5.2 për qind, ndërsa projektbuxheti, sipas saj, ka dy prioritete, përballjen me pandeminë dhe krijimin e kushteve për rimëkëmbje.

“Tani po kërkohet që ky projektbuxhet të votohet në mënyrë që të mos bllokohen institucionet e vendit, në mënyrë që jeta të vazhdojë, edhe pse kemi hyrë në fushatë elektorale. Projektbuxheti trajton dy prioritete, përballjen me pandeminë dhe krijimin e kushteve për rimëkëmbje. Për sa muaj që do të jemi në detyrë kjo duhet të lejohet sepse është në interes të qytetarëve”, tha ministrja Bajrami.

Bajrami tha se të hyrat e parashikuara për vitin 2021 do të jenë 1.9 miliardë, ndërsa shpenzimet rreth 2.5 miliardë.

“Edhe pse në kushte të vështira për të parashikuar atë që do të ndodhë, ne jemi munduar që bashkë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore të japim disa shifra të përafërta për të paraparë se cila do të jetë rritja ekonomike për vitin 2021. Në vitin 2021 ne kemi paraparë që do kemi rritje ekonomike prej 5.2 për qind. Ky buxhet është një nga instrumentet kyçe që të arrijmë të sigurojmë këtë rikthim. Të hyrat i kemi parashikuar të jenë 1.9 miliardë euro dhe shpenzimet 2 miliardë e 412 milionë euro”, tha Bajrami.

Pas deklarimeve të kryetarëve të grupeve parlamentare dhe përfaqësuesve të Qeverisë, u hap debati, në të cilin pati pajtime dhe mos pajtime lidhur me projektligjin mbi ndarjet buxhetore. Pas përfundimeve të diskutimeve, projektligji u hodh në votim, duke marrë votat e 64 deputetëve.

Pas votimit në lexim të parë, kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së propozoi një seancë të re, në të cilën projektligji mbi ndarjet buxhetore do të shqyrtohet në lexim të dytë.

Propozimi i Gashit për një seancë të re për nesër, në orën 14:00 (e martë, 29.12.2020) u miratua nga të gjitha grupet parlamentare, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në fund, kryesuesja e seancës, Arbërie Nagavci, hodhi në votim disa marrëveshje ndërkombëtare. Marrëveshja në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Asociacionit ndërkombëtar për Zhvillim në lidhje me programin nxitja dhe lejimi i mundësive për sigurimin e ujit, nuk u votua për shkak të mungesës së vendimmarrjes.

Ndërsa me vota unanime u miratua Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës në spitale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Projektlgijti për ratifikimin e kontratës financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin e impiantit të ujërave të zeza në Gjilan.