Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga takimi i Komisionit për Integrime Evropiane me shefin e Zyrës dhe Përfaqësuesin Special të BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog

23.10.2020

Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Republikës së Kosovës, takoi sot shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësues Special i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, me të cilin u bisedua lidhur me Raportin e Progresit nga KE për Kosovën, për vitin 2020. 
 
Takimin e kryesoi Ismet Beqiri, kryetar i Komisionit për Integrime Evropiane, i cili në fillim të takimit e njoftoi z. Tomáš  Szunyog lidhur me punën dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Komisioni, si dhe angazhimet e parapara në agjendën e Komisionit, e që kanë të bëjnë me integrimet evropiane.
 
Duke shprehur gatishmërinë për një bashkëpunim të ngushtë të Komisionit me Zyrën e BE-së, kryetari Beqiri vuri në spikamë edhe disa çështje që kanë të bëjnë me procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e që kanë zënë vend edhe në Raportin e Progresit të KE-së për Kosovën për vitin 2020.  
 
Lidhur me këtë, kryetari Beqiri u fokusua tek çështja e Asociacionit të komunave me shumicë nga komuniteti serb. Me këtë rast, ai solli në kujtesë marrëveshjet e arritura, për të cilat u shpreh se ato duhet të jenë në harmoni të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne, tha kryetari Beqiri, nuk do të lejojmë që në emër të një integrimi të jashtëm, të instalojmë dezintegrim të brendshëm të vendit. 
 
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš  Szunyog, duke elaboruar Raportin, para anëtarëve të komisionit fillimisht foli për angazhimet e ekonomike të BE-së në Kosovë dhe rajon. Investimi prej 9 miliardë eurosh në Ballkanin Perëndimor, tha ai, është tregues i mjaftueshëm për përkushtimin e BE-së ndaj rajonit. 
 
Për sa i përket sfidave, të cilat janë të theksuara edhe në Raportin e KE-së, përfaqësuesi i BE-së Tomáš  Szunyog, tha se ato mbesin pothuajse të njëjtat me ato të paraqitura edhe në raportin e vitit të kaluar. Me këtë rast, ai përmendi reformat e ngadalta në administratën publike, luftën kundër korrupsionit, si dhe çështje të tjera të theksuara në raport. Ai foli edhe për zbatimin e MSA-së, si dhe programin ERA-2.
 
Sa i përket të arriturave, përfaqësuesi i BE-së nënvizoi disa nga ligjet, siç është ai për korporatat, ndërkaq, u shpreh se për shkak të krizës politike dhe problemeve që ka shkaktuar pandemia, disa nga çështjet edhe nuk kanë mundur të trajtohen në mënyrë adekuate. 
 
Duke folur për liberalizimin e vizave, çështje kjo për të cilën u angazhuan të gjithë anëtarët e komisionit, z. Tomáš  Szunyog bëri të ditur se vendimi lidhur me këtë duhet të merret nga Këshilli Evropian nga 27 vendet anëtare. 
 
Lidhur me rekomandimet që përmban raporti, z. Tomáš Szunyog vlerësoi se është i domosdoshëm një bashkëpunim i ngushtë institucional në Kosovë dhe një strategji e qartë për realizimin e reformave integruese. 
 
Në paraqitjen e tij me këtë rast, shefi i  Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš  Szunyog, u shpreh kritik edhe ndaj vendimit të Qeverisë për shuarjen e Task- Forcës anti korrupsion. 
 
Pas kësaj, lidhur me Raportin diskutuan edhe anëtarët e komisionit, të cilët, në disa nga pikat e raportit u shprehën edhe kritikë.
 
Në fund të takimit, kryetari i Komisionit, Beqiri, falënderoi anëtarët e komisionit për angazhimin e tyre gjatë takimit, si dhe përfaqësuesin e Zyrës së BE-së në Kosovës, Tomáš Szunyog për informatat lidhur me këtë raport. Ndërkaq, vlerësoi se përkundër dallimeve politike që mund të ketë në komision, ruajtja e sovranitetit dhe integritetit të vendit mbetet obligim i të gjithëve. 
 
 

Sqarim: Për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19, ky takim është mbajtur pa prezencën e mediave, mirëpo është siguruar transmetimi i drejtpërdrejtë i takimit, për të gjitha mediat dhe publikun.
 
Linku
https://www.facebook.com/kuvendi.skupstina/videos/350780576156093