Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vazhdimi i seancës plenare

14.07.2020
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka vazhduar sot (e martë), seancën plenare të ndërprerë mbrëmë, me këtë rend të ditës: “Raportim i Kryeministrit dhe debat parlamentar lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19”.
Deputetët nga grupet e ndryshme parlamentare kanë shfaqur pikëpamjet e tyre për gjendjen në vend, kanë kritikuar Qeverinë Hoti, por edhe kanë ofruar ide dhe alternativa për menaxhimin e pademisë COVID-19.
Pas përmbylljes së debatit parlamentar, deputetja Fatmire Mulhaxha- Kollçaku, në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka lexuar tekstin e projekt-rezolutës për menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Po ashtu, edhe Bekim Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ka propozuar për votim një projekt-rezolutë për të njëjtën çështje.
Mirëpo, në mungesë të kuorumit, kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani, ka thënë se Kryesia e Kuvendit do të vendos që këto projekt-rezoluta të hidhen në votim në një nga seancat e ardhshme.  
Por, dr. Osmani ka thënë se paraprakisht do të ishte mirë që grupet parlamentare t’i harmonizojnë qëndrimet, në mënyrë që Kuvendi ta miratojë vetëm një projekt-rezolutë për menaxhimin e pandemisë COVID-19.