Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vazhdimi i seancës plenare

18.09.2020

Vazhdimi i sotëm i mbledhjes plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga kryetarja dr. Vjosa Osmani, filloi me interpelancën e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, sipas kërkesës së nënkryetares së Kuvendit, Arberije Nagavci, nënshkruar edhe nga shtatë deputetë tjerë nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor në kushte të pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.

 

Propozuesja e kësaj çështjeje, Arbërie Nagavci, në fillim të fjalës së saj sqaroi se kjo seancë është kërkuar të mbahet me 10 shtator, para fillimit të procesit mësimor,  ndërkaq në vijim shfaqi kritika lidhur me fillimin e këtij procesi, me dy javë vonesë. Megjithatë, duke përmendur ndërprerjen e mësimit gjatë vitit të kaluar shkollor dhe mbajtjen e mësimit online nga distanca, gjatë qeverisjes Kurti, ajo tha se ai vit shkollor është përmbyllë sipas parashikimeve. Ajo adresoi kritika për punën e qeverisë aktuale, me theks të veçantë MASH-it, lidhur me organizimin dhe kushtet nëpër shkolla. Nagavci tha se organizimi i mësimit do të duhej të ishte në përshtatshmëri me kushtet epidemiologjike dhe se MASH-i duhet të veprojë me më përgjegjësi dhe efikasitet.

 

Në këtë fazë të zhvillimit të mësimit në kohë pandemie, Nagavci tha se gjendja do të duhej të ishte ndryshe, për të siguruar higjienën në shkolla dhe dezinfektimin e duhur në to, ngase sipas saj në shumicën e shkollave vazhdojnë të mungojnë kushtet higjienike sanitare dhe se ka shkolla në të cilat ka shumë tollovi në oborre.

 

Madje, shtoi Nagavci, nëpër klasa raportohet që të ketë nëpër klasa nga dy nxënës në një banke, duke mos respektuar kështu kushtet e distancës.

 

Tha po ashtu se MASH-i nuk ka një plan të qartë për fillimin e vitit të ri akademik dhe pyeti se në çfarë forme do të mbahet provimi pranues, ndërsa kërkoi sqarime nga ministri edhe lidhur me mos hapjen e deritashme të bibliotekave, konvikteve dhe mensës. 

 

Në vijim, fjalën e mori ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, për të  paraqitur qëndrimet e qeverisë dhe angazhimet dhe punën e deritashme të kësaj ministrie, me theks të veçantë për mbarëvajtjen e punëve të fillimit të vitit shkollor në kushte pandemie. Ministri Likaj tha se vendimi për fillimin e vitit shkollor nuk ka qenë aspak i lehtë, mirëpo për kthimin në shkolla është vendosur në koordinim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, Ministrinë e Shëndetësisë, prindërit.

Ai bëri të ditur se janë bërë edhe përgatitjet e duhura për fillimin e procesit mësimor, janë pastruar e dezinfektuar të gjitha shkollat dhe se janë siguruar edhe maskat. Po ashtu, sqaroi se janë përgatitur edhe materiale të ndryshme vetëdijesuese, ndërsa tha se inspektorati i arsimit raporton në vazhdimësi për rrjedhën e këtij procesi, duke treguar se deri më tani ka vizituar mbi 100 shkolla. 

 

Ministri Likaj theksoi se kanë hartuar edhe planin e reagimit në rast të paraqitjes së rasteve me pandemi.

 

Qëndrimin e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje e paraqiti Jahja Koka. Ai vlerësoi se fillimi i këtij viti shkollor është më i komplikuar dhe se kërkon përgjegjësi më të madhe dhe angazhim nga MASH-i.

 

Ai tha se ka informacione se arsimtarët dhe nxënësit kanë dëshirë që mësimi të realizohet, për sa është e mundur, nëpër shkolla. Ndërsa, sa i përket mësimit online, ai kërkoi që mbulueshmëria dhe organizimi të jenë me një efikasitet më të madh dhe të ketë përgatitje më të mirë teknologjike dhe se gjatë mësimit elektronik arsimtarët të vendosen dhe të ligjërojnë nga klasat. 

 

Ai po ashtu sugjeroi MASH-in qe nxënësit të jenë sa më të informuar nga ta, për mënyrën se si do të procedohet mësimi.

 

Krejtësisht në fund, ai shprehu shqetësimin për faktin se në një shkollë arsimtarët me buxhetin e tyre kanë blerë mjete higjienike.

 

Valentina Bunjaku-Rexhepi, duke folur në emër të grupit parlamentar të LDK-së, tha se MASH-i ka marrë parasysh udhëzimet e IKSHP-së dhe kërkesat e SBASHK-ut për fillimin e vitit shkollor.

 

“Nuk jemi në kohë normale, kudo ka dyshime si t’i qasemi mësimit në kohë pandemie. MASH ka ndarë mjete financiare shtesë për maska dhe dezinfektues dhe mësimdhënësit e nxënësit janë shumë të gëzuar që janë kthyer nëpër shkolla. Sot, duhet t’i japim mbështetje të plotë MASH-it që të bashkohemi kundër pandemisë për hir të arsimimit të fëmijëve tanë dhe le të japim propozime dhe ide në kushte të Kosovës, për ta bërë më të mirën për ta dhe për ta kaluar së bashku këtë sfidë”, tha Bunjaku.

 

Sejdi Hoxha nga grupi parlamentar i PDK-së, tha se kjo parti ka dhënë mbështetje edhe gjatë rishikimit të buxhetit në fushën e arsimit, në mënyrë që të garantohet siguria në shkolla.

 

Mirëpo, ai paraqiti vërejtje për mos praninë e stafit shëndetësor nëpër shkolla, ndërkaq, kërkoi sqarime nga ministri lidhur me organizimet e transportit publik të nxënësve, dezinfektimin e hapësirave dhe shprehu shqetësimin për faktin se nxënësve temperatura u matet nga mësimdhënësit, duke shtuar se ata nuk janë profesionistë shëndetësorë.

 

Po ashtu, sa i përket dezinfektimit të hapësirave të shkollave, Hoxha tha se të gjitha vendet e tjera kanë angazhuar kompani profesionale, ndërsa në Kosovë kjo po bëhet nga punonjësit teknikë.

 

“Në disa shkolla përdoret uji për dezinfektim dhe kjo paraqet shqetësim të madh”, tha Hoxha, duke paraqitur vërejtje edhe për numrin e kufizuar për regjistrimin e fëmijëve në parashkollorë.

 

Teuta Haxhu, nga grupi parlamentar i AAK-së, mes tjerash tha se sa i përket sistemit arsimor online në kohë pandemie, shumë nga nxënësit nuk kanë pasur qasje. Ndërsa, kërkoi nga prindërit dhe mësimdhënësit që të mos paguajnë asgjë nga paratë e tyre, ngase ata nuk janë të obliguar që të mbulojnë shkollat me termometër apo maska.

 

Ajo, po ashtu propozoi që nëse ekziston mundësia nxënësit të pajisen edhe me maska shumë përdorimëshe nga MASH-i, duke kërkuar njëherazi që të ketë rritje edhe të buxhetit të këtij institucioni.

 

Pas një diskutimi të gjerë të deputetëve lidhur me fillimin e vitit shkollor në kushte të pandemisë COVID-19, ministri Likaj dha sqarime në shqetësimet që u ngritën në këtë seancë. Ai mes tjerash tha se bordi anti-covid është ai që vendos për skenarët që duhet të aplikohen dhe se ky bord po ashtu ka vendosur sa i përket fillimit të vitit të ri akademik, që të vijojë mësim në distancë, sikurse edhe për hapjen e bibliotekave. Sipas tij, leja gjithmonë merret nga IKSHP.

 

Edhe sa i përket hapjes së konvikteve, ministri Likaj tha se kjo nuk mund të ndodhe derisa të përmirësohet gjendja nga pandemia, ndërkaq sa i përket dezinfektimit të shkollave, ai sqaroi se këtë e kanë realizuar kompanitë profesionale, të cilat janë udhëzuar nga komunat. Ndërsa, tha se janë shpërndarë pako dezinfektuese dhe maska për nxënësit në gjithsej 660 shkolla.

 

Seanca vazhdoi me interpelancën ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, lidhur me prezencën e trupave të uniformuar në fshatin Karaçevë të Kamenicës, me datë 7 gusht të këtij viti.

 

Fillimisht fjalën e mori iniciuesja e interpelancës, deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, e cila para deputetëve tregoi arsyet e thirrjes së ministrit në raportim. Sipas Kollçakut, qytetarët e komunës së Kamenicës u terrorizuan nga hyrja dhe patrullimi i pjesëtareve të uniformuar nga Serbia.

 

“Kjo është ndërhyrje direkte në integritetin e Kosovës. Qeveria dhe institucionet duhet të kujdesen për rendin dhe ligjin. Indiferenca e institucioneve përgjegjëse ndaj këtij veprimi është refuzim per ta mbrojtur shtetin e Kosovës”, ka thënë Kollçaku.

 

Ajo i ftoi deputetët të përkrahin idenë e marrjes së masave të nevojshme për të përdorur mekanizmat kushtetues të mbrojtjes së vendit. Po ashtu, propozoi që të ndërtohet një stacion i përhershëm i Policisë së Kosovës, pikërisht në Karaçevë.

 

Duke e marrë fjalën në seancë, ministri Agim Veliu paraqiti një kronologji të ngjarjeve që nga ekzistenca e një stacioni policor nga viti 2006 në Karaçevë, e deri të largimi i pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga ky fshat në vitin 2008, pas dakordimit me KFOR-in. Lidhur me rastin e fundit, Veliu tha se ka vepruar urgjent, me të kuptuar lajmin.

 

“Unë si ministër kam adresuar këtë çështje me urgjencë tek institucionet e sigurisë por edhe të KFOR-it”, tha Veliu, duke bërë të ditur se tani situata është nën kontroll dhe se qytetarët atje janë të qetë.

 

Nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, fjalën e mori deputeti Rexhep Selimi, i cili kërkoi nga ministri Veliu që të marrë më shumë përgjegjësi.

 

“Ministri duhet të përgjigjet se çfarë po ndodhë. Me sa e kuptuam nga ky fjalim, në Karaçevë nuk paska shtet e as sovranitet. Aty është shkelë integriteti territorial dhe ajo pjesë është Kosovë dhe duhet të mbrohet”, theksoi Selimi.

 

Nga GP i LDK-së, deputeti Ilir Tasholli tha se problemi me Karaçevën ka zanafillë të hershme, që nga përfundimi i luftës dhe me nënshkrimin e marrëveshjes së Kumanovës.

 

“Kuvendi së bashku me Qeverinë dhe institucionet e sigurisë, duhet ta zgjidhin këtë problem e të dërgohet në Bruksel, por edhe në Selinë e NATO-s”, tha deputeti Ilir Tasholli.

 

Në emër të GP të PDK-së, deputetja Ganimete Musliu theksoi se PDK-ja është thellë e shqetësuar nga patrullimi i xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës.

 

“Qeveria e Kosovës nuk e ka prishur fare komoditetin, duke e kaluar në heshtje këtë provokim të Serbisë. Reagimet sporadike sa për sy e faqe nuk janë aspak profesionale. Ne kemi pritur që kryeministri Hoti do ta ngris këtë çështje edhe në Uashington e Bruksel’’, tha Musliu.

 

Nga radhët e grupit parlamentar të AAK-së, deputeti Bekë Berisha, doli me një varg  propozimesh dhe kërkesash në adresë të ministrit Veliu.

 

“Pagesa e shujtave, ndërrimi i natës e pagesa me rregull e orëve shtesë sipas ligjit, janë kërkesa që duhet t’u realizohen urgjentisht pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”, ka përfunduar Berisha.  

 

Interpelanca vijoi me diskutime të deputetëve të tjerë dhe sqarime nga ministri Agim Veliu.

 

Pas shterjes së debati, u hodh në votim rezoluta e propozuar nga iniciuesi, por ky votim nuk arriti të marrë kuorumin e mjaftueshëm.

 

Shqyrtimi i parë i Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19”, ishte pika e radhës e rendit të ditës, të cilin para deputetëve, në cilësi të sponsorizuesit, e paraqiti kryetari i GP të PDK-së, Bedri Hamza.

 

Gjatë fjalës së tij, Hamza arsyetoi se pse gjendja aktuale kërkon një rregullim sa më të mirë ligjor, për t’u dalë në ndihmë bizneseve dhe qytetarëve në përgjithësi.

 

Hamza tha se grupi i tij parlamentar është i gatshëm për plotësim të projektligjit midis dy leximeve.

 

Nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, GP i LDK-së dhe ai i VV-së nuk i dhanë mbështetje projektligjit, duke konsideruar se ai është propozuar në një tjetër kontekst kohor.

 

Po ashtu, rekomandimin e Komisionit për Buxhet, për mosmiratim të projektligjit e paraqiti kryetari i këtij komisioni, Hekuran Murati.

 

Pas diskutimeve, as për këtë projektligj nuk pati kuorum për vendimmarrje.

 

Seanca ndërpreu punimet, për të vazhduar të hënën në orën 10:30.