Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vazhdimi i seancës plenare

21.10.2020

Kuvendi i Republikës së Kosovës i ka vazhduar punimet me pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara.
Fillimisht, kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani, ka njoftuar se në bazë të Rregullores së Punës, neni 20, më 19 tetor të këtij viti është formuar Grupi Parlamentar Nisma-AKR, me gjashtë deputetë, kryetar i të cilit grup është emruar deputeti Endrit Shala.
Më pas, janë votuar emrat e propozuar nga Grupi Parlamentar Nisma-AKR për anëtar në komisionet parlamentare, me përjashtim të dy komisioneve hetimore, të cilat do të plotësohen në një nga seancat e radhës.
Kryeparlamentarja Osmani, në vazhdim ka proceduar me pikat e mbetura për votim nga seancat e kaluara.
Projektligji nr. 07/L-025 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe levimi i mundësive për sigurimin e ujit; Projektligji nr. 07/L-035 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe Projektligji nr. 07/L-036 për ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan, nuk janë hedhur fare në votim, pasi në sallë nuk ishim prezent 80 deputetë, sa nevojiten për miratim.
Në votim nuk është hedhur as Projektligji nr. 07/L-037 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë, pasi në seancë nuk kanë marrë pjesë deputetët nga komuniteti serb, pa dy të tretat e votave të të cilëve nuk mund të miratohet. 
Kuvendi nuk ka pasur kuorum të marrë vendim as për Projektligjin nr. 07/L-013 për Peticione. 
Pas arsyetimit të ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, dhe qëndrimeve të grupeve parlamentare, nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje as për Projekt Kodin Civil të Republikës së Kosovës nr. 07/L-019.

Ndërkaq, Kuvendi e ka miratuar në parim Projektligjin nr. 07/L-026 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-174 për Financimin e Subjekteve Politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-058 dhe Ligjin Nr. 04/L-122 si dhe Ligjin Nr. 003/L-073 për Zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 03/L-256.