Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vazhdimi i seancës plenare

19.11.2020

Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën kryesimin e nënkryetares Arbërie Nagavci, vazhdoi seancën plenare, duke proceduar tutje me pikat e rendit të ditës.
 

Meqë deputeti Liburn Aliu kishte tërhequr kërkesën për interpelancë lidhur me çështjen “Përfshirja dhe ndarja e liqenit të Ujmanit me Serbinë në dokumentin e zotimeve të 4 shtatorit 2020”, seanca vazhdoi punimet me interpelancën tjetër të paraparë për rend dite.
 

Kështu, me kërkesën e deputetes Saranda Bogujevci, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV, për çështjen “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”, në interpelancë, ishte i ftuar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
 

Deputetja Bogujevci, si propozuese e kësaj interpelance, duke iu referuar zotimeve të marrëveshjes së Uashingtonit, kërkoi që të dijë se si është bërë negocimi për çështjen e të pagjeturve, e që sipas saj, kjo temë nuk është trajtuar si duhet dhe është nuk kjo nuk mënyra se si duhet të dialogohet.
 

“Kosova ka çdo avantazh për të trajtuar dinjitetshëm dhe me këmbëngulje çështjen e të zhdukurve karshi Serbisë”, tha ndër të tjerash ajo.
 

Deputetja Bogujevci, duke ritheksuar legjislacionin në fuqi për çështjen e të pagjeturve, prezantoi edhe pikat e rezolutës, për të cilën kërkoi që të gjejë mbështetjen e deputetëve.
 

Në këtë propozim-rezolutë, nga Kuvendi kërkohet që çështja e të pagjeturve të mos ndërlidhet dhe kushtëzohet nga asnjë çështje tjetër, Qeveria e Kosovës të insistojë në adresimin e kësaj çështjeje në harmoni me standardet dhe mekanizmat ndërkombëtarë, si dhe kërkohet që Qeveria të mos pranojë të bisedojë me cilindo zyrtar nga Serbia, pa ofrimin e menjëhershëm të informacioneve për vendndodhjen e të gjithë personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.
 

Lidhur me çështjen e të pagjeturve, kryeministri Avdullah Hoti tha se angazhimi për gjetjen e tyre do të vazhdojë deri tek personi i fundit edhe përkundër vështirësive dhe specifikave që janë prezente në këtë proces. Ai shpalosi në mënyrë kronologjike trajtimin e kësaj çështjeje nga një sërë institucionesh dhe mekanizmash, duke falënderuar të gjithë ata që kanë ndihmuar dhe po ndihmojnë në zbardhjen e rasteve.
 

Kryeministri Hoti e konsideroi të pa bazë temën e kësaj interpelance, pasi që sipas tij, në tekstin e marrëveshjes së Uashingtonit nuk përmendet termi kushtëzim, njësoj siç nuk përmendet as në planin e zbatimit të saj.
 

“Sa i përket planit qeveritar të zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi, nuk ka asnjë lloj kushtëzimi. Në këtë plan, vetëm janë specifikuar veprimet në adresimin e sfidave me të cilat do të përballet procesi, por edhe një përpjekje për trajtim më të mirë ligjor dhe institucional të familjeve të të pagjeturve”, tha kryeministri Hoti.
 

Ai po ashtu theksoi se çështja e të pagjeturve nuk duhet të politizohet dhe se marrëveshjet e tilla si kjo e fundit në Uashington, ndikojnë veç në përshpejtimin e saj. I pari i Qeverisë, ndër të tjerash përmendi edhe gërmimet që janë duke u bërë në lokacione të ndryshme, brenda Kosovës dhe në Serbi.
 

Më pastaj, në emër të GP të LVV-së, fjalën e mori nënkryetarja Nagavci, e cila tha se populli i Kosovës meriton drejtësi dhe se Serbia ka përgjegjësi dhe detyrim ligjor ndërkombëtar, të përgjigjet për fatin e 1600 personave të zhdukur gjatë luftës. Sipas saj, me 4 shtator është vënë padrejtësisht në tavolinë të diskutimit çështja e të pagjeturve, duke u barazuar kështu të zhdukurit me të zhvendosurit dhe viktimat me kriminelët potencialë. Ajo theksoi se e vetmja gjë që duhet kushtëzuar është vet dialogu me Serbinë dhe pa kthimin e personave të pagjetur nuk mund të ketë ecje përpara as me dialog e as me marrëveshje tjera.
 

Nga GP i LDK-së, Arben Gashi tha se kjo është një temë e ndjeshme dhe e dhimbshme nacionale, andaj, sipas tij, nuk duhet përdorur për interesa politike.
 

“Shteti i Serbisë është i vetmi fajtor kur fjala bie për të pagjeturit dhe kërkohet përgjegjësi nga ta”, tha deputeti Gashi. Ai potencoi se kërkohet unitet nga kasta politike dhe krijim i partneritetit ndërkombëtar, i cili, sipas tij, është çelësi për zbardhjen e këtyre rasteve.
 

Ndërsa, në emër të GP të PDK-së, fjalën e mori deputetja Besa Ismaili. Sipas saj, mungesa e informacioneve dhe e transparencës janë dy çështje që e kanë përcjell këtë proces nga ana e Qeverisë së Kosovës, në raport të bisedimeve me Serbinë. Andaj, duke kërkuar rol proaktiv të Qeverisë mbi këtë temë, ajo ftoi që të lobohet në nivelin ndërkombëtar dhe drejtësinë ndërkombëtare paralelisht. Për të çuar përpara angazhimet konkrete për të pagjeturit, ajo theksoi se do të ishte e rrugës të përfshihen edhe familjarët e tyre.
Deputetja Teuta Haxhiu, nga GP i AAK-së, duke e konsideruar si plagë të hapur çështjen e të pagjeturve, tha se rezoluta e sipërpërmendur nuk ka diçka më shumë sesa rezolutat e tjera. Ajo tha se sa i përket kësaj çështjeje që po trajtohet në interpelancë, Kryeministri Hoti, në komisionin parlamentar për persona të pagjetur, ka raportuar rreth dy orë me dyer të mbyllura, veprim ky që, sipas saj, nuk ka ndodhur nga kryeministrat e tjerë. Fjalimin e përmbylli duke bërë thirrje për unitet përballë familjeve të të pagjeturve për të ndriçuar këtë çështje.
 

Ndërsa, në emër të GP NISMA-AKR, deputeti Endrit Shala tha se arritjen e marrëveshjes në Uashington e shohin si një nismë të mirë në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve politike dhe ekonomike të shtetit të Serbisë dhe Kosovës. Sipas tij, kjo marrëveshje e arritur dhe garantimi i SHBA-së për zbatimin e saj, është në të mirën e vendit dhe zgjidhjes sa më të shpejtë të kësaj çështjeje.
 

Deputeti nga GP 6+, Albert Kinolli, tha se familjarët e të pagjeturve zgjohen çdo ditë me besimin se institucionet e vendit do të bëjnë hap përpara në sigurimin e informacioneve për familjarët e zhdukur. Ai tha se nevojitet unitet politik, një dorë më e fortë e faktorit ndërkombëtar dhe një trysni më e madhe për të arritur rezultatin dhe për të zbuluar të vërtetën tash e 20 vjet.
 

Pas një diskutimi të gjerë mbi temën e kësaj interpelance dhe paraqitjen e qëndrimeve lidhur me të, iniciuesja Saranda Bogujevci, tha se nuk qëndron ajo çka kryeministri Hoti ka thënë dhe se në këtë interpelancë nuk ka marrë nga kryeministri asnjë përgjigje në trajtimin e çështjes së personave të pagjetur në dialog.
 

Seanca vazhdoi punimet duke shqyrtuar me radhë disa nga projektligjet e parapara për rend dite. Kështu, në mungesë të Ministrit të Drejtësisë Selim Selimi, fjalën e mori zv. kryeministri Besnik Tahiri, i cili paraqiti para deputetëve Projektligjin nr. 07/L-033 për të Drejtën Ndërkombëtare Private. Ai theksoi se ky projektligj do të sjell Kosovën në hap me trendet me të reja botërore në këtë fushë dhe tregoi se si i tillë është në përputhje me rregulloret kryesore që burojnë nga obligimet që vijnë nga BE dhe bazohet në aktet ligjore të Belgjikës dhe Zvicrës.
 
Më pas, deputeti Shkëmb Manaj, kryetar i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, paraqiti raportin e komisionit për këtë projektligj dhe kërkoi nga deputetët që ta aprovojnë në parim, meqë i plotëson kushtet për procedim të mëtutjeshëm.
Pastaj, Skënder Reçica, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, paraqiti Projektligjin nr. 07/L-027 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-008 për Këshillin Ekonomiko-Social. Ai tha se objektiv kyçe e këtij projektligji është qasja gjithëpërfshirëse e partnerëve socialë, mekanizëm ky që ka për qëllim promovimin e dialogut social, duke iu përshtatur kërkesave të BE-së. Po ashtu, nga ministri Reçica u prezantua edhe Projektligjit nr. 07/L-028 për Inspektoratin e Punës.
 

Ndërsa nga zv. kryeministri Tahiri u paraqit dhe u arsyetua edhe Projektligji nr. 07/L-038 për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike, duke u theksuar se projektligji nuk ka implikime financiare shtesë.
 

Kryetari i komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, Endrit Shala, tregoi se të tri projektligjet i plotësojnë kushtet e parapara dhe mund të miratohen në parim nga Kuvendi i Kosovës.
Më pas, diskutim kishte rreth Projektligjit nr. 07/L-012 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-073 për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.03/L-256, projektligj ky i propozuar nga deputeti Dimal Basha, pa mbështetjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsioni.
 

Në mungesë të kuorumit, rezoluta e paraqitur nga deputetja Bogujevci për çështjen e të pagjeturve dhe trajtimin e saj, si dhe projektligjet e diskutuara në seancë, nuk u hodhën në votim. Kështu seanca plenare ndërpreu punimet, për të vazhduar të hënën në orën 10:00.