Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vazhdimi i seancës plenare

27.11.2020

Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën kryesimin e Arbërie Nagavci, nënkryetare, ka vazhdouar sot seancën plenare me pikat e mbetura nga seancat e kaluara.
Kjo seancë ka filluar me urimin për festën e Flamurit dhe ditën e FSK-së.

Më pas, nënkryetarja Nagavci, tregoi se me vendimin e kryeparlamentares Vjosa Osmani, deputeti Kadri Veseli nga radhët e PDK-së, për shkak të dorëheqjes së tij, do të zëvendësohet me deputetin Fadil Nura, i cili në këtë seancë pleanare bëri betimin për ushtrimin e detyrës siç parasheh teksti i deklaratës së betimit.

Seanca vazhdoi punimet me pikat e papërfunduara nga seancat plenare të mbajtura më 16, 21 dhe 29 tetor 2020. Por, pasi amandamentet e propozuara nuk arritën të marrin numrin e mjaftueshëm të votave të deputetëve, nuk u hodh në votim fare Projektligji nr. 07/L-025 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe levimi i mundësive për sigurimin e ujit.

Në mungesë kuorumi nuk pati vendimmarrje as për Projektligjin nr. 07/L-035 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim; Projektligjin nr. 07/L-036 për ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan, dhe as për Projektligjin nr. 07/L-037 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31për Lirinë Fetare në Kosovë. 

Vendimmarrje nuk pati as për Projekt Kodin Civil të Republikës së Kosovës nr. 07/L-019.
Më pas, seanca vazhdoi me pikat e papërfunduara nga seancat plenare të mbajtura më 7, 13, 14 gusht dhe 17, 18, 21, 25, 28 shtator, 8, 16 dhe 29 tetor 2020. Por, për shkak të pjesëmarrjes së ulët të deputetëve në votim, nuk u arrit kuorumi për vendimmarrje për Projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.

Po ashtu, nuk pati kuorum as për Propozim-rezolutën nga raportimi i kryeministrit   Hoti, në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, dhe për Propozim-rezolutës nga interpelanca e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës. 

Vendimmarrje nuk pati as për Projektligjin për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e pandemisë COVID-19. 
Në votim u hodhën edhe pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 8, 12, 16 dhe 29 tetor 2020, por në mungesë kuorumi po ashtu nuk u mor vendim për Projektligjin nr. 07/L-018 për ndryshim plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete dhe as për Propozim-rezolutën nga interpelanca me kryeministrin Hoti, në lidhje me përgjegjësitë në raport me zhvillimet në procesin e dialogut në Bruksel, lidhur me punën e grupeve teknike.

Në vazhdim, në këtë seancë u procedua edhe me pikat e papërfunduara nga seancat plenare të mbajtura më 21 dhe 29 tetor 2020, ku nga interpelancat e kryeministrit Hoti, dolën tri propozim -rezuluta. 

Për këto rezuluta që lidhen direkt me pezullimin njëvjeçar të aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare; përfshirjen e Republikës së Kosovës në “Zonën e mini-Shengenit ballkanik” si dhe në lidhje me deklarimin dhe qëndrimin e kryeministrit për zbatimin e Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, nuk u arrit të ketë vendimmarrje për shkak të mungesës së kuorumit. 

Seanca vazhdoi me hedhjen në votim të pikave të pa përfunduara edhe nga seancat plenare të mbajtura më 29 tetor, 2 dhe 3 nëntor 2020, me ç’rast nuk pati vendimmarrje për Projektligjin nr. 07/L-021 për të Drejtat Pronësore të Shtetaseve të Huaj në Republikën e Kosovës; Propozim-rezolutën nga debati parlamentar lidhur me problemet e banorëve shqiptarë në veri të Mitrovicës dhe komunave të tjera në pjesën veriore të Kosovës, lidhur me pengesat që po u bëhen për t’u kthyer në pronat e tyre, dhe pengesat për renovimin e shtëpive të djegura gjatë luftës.

Ndërkaq, me 67 vota për, 1 abstenim dhe asnjë votë kundër, Kuvendi miratoi rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2019, si dhe me 68 vota për, asnjë abstenim dhe asnjë kundër, Kuvendi miratoi Propozim-rezolutën nga debati parlamentar në lidhje me sensibilizimin dhe masat që duhet të ndërmerren nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet përgjegjëse në luftën kundër kancerit të gjirit.

Kurse, Propozim-rezoluta nga debati parlamentar në lidhje me vazhdimin e Qeverisë së Serbisë që të mbajë të fshehur të vërtetën për fatin e mbi 1600 civilëve shqiptarë, të rrëmbyer nga ky shtet gjatë luftës gjenocidare në Kosovë, që ende konsiderohen të zhdukur, nuk u hodh fare në votim, meqenëse ende s’kishte harmonizim të kësaj rezulute.

Në këtë seancë, tutje u procedua edhe Propozim-rezoluta nga interpelanca me kryeministrin Hoti, sipas kërkesës së 8 deputetëve të GP të LVV-së, në lidhje me shfuqizimin e Task-forcës antikorrupsion në Policinë e Kosovës, por, me të hedhur në votim, në mungesë kuorumi nuk kishe vendimmarrje për të, pikë kjo që ishte e papërfunduar nga seanca plenare e mbajtur më 13 nëntor 2020.
Në votim u hodhën edhe pikat e papërfunduar nga seancat plenare të mbajtura më 12, 19 dhe 23 nëntor 2020. 

Por, po ashtu në mungesë kuorumi, nuk pati vendimmarrje për Propozim-rezolutën nga interpelanca me kryeministrin Hoti, sipas kërkesës së deputetes Saranda Bogujevci, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, për çështjen “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur. 

Në këtë seancë, nuk pati vendimmarrje as për Projektligjin nr. 07/L-033 për të Drejtën Ndërkombëtare Private, por as për Projektligjin nr. 07/L-027 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-008 për Këshillin Ekonomiko-Social.

Njësoj u veprua edhe për Projektligjin nr. 07/L-028 për Inspektoratin e Punës; Projektligjin nr. 07/L-038 për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike si dhe për Projektligjin nr. 07/L-012 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.03/L-256. 

Ndërsa, meqë askush nga Qeveria nuk ishin të pranishëm për të prezantuar Raportin e Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019, si dhe Raportin Vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2019,  por këto pika nuk u diskutuan fare. 

Më pas, u hodhën në votim Raporti Vjetor i Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2019, si dhe Rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, për raportin e auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për vitin 2019, për të cilat nuk pati vendimmarrje. 

Ndërkaq, u miratuan Raporti Vjetor i Komisionit Rregullator të Prokurimit Publik për vitin 2019 si dhe Raporti Vjetor i performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2019. 

Po ashtu, me 63 vota për, Kuvendi emëroi anëtarët e Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar. 

Sa i përket shqyrtimit të kërkesës së Komisionit Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës, për vazhdimin e mandatit dhe miratimin e buxhetit, deputetja Eliza Hoxha, kryesuese e këtij komisioni, njoftoi se në parim është miratuar kjo kërkesë, por meqë duhet miratimi i Kuvendit edhe për linjat buxhetore, në ndonjërën prej seancave plenare, do të votohet kërkesa në tërësi.

Në rend dite të kësaj seance plenare ishte edhe interpelanca e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, mbështetur edhe nga 5 deputetë të tjerë, në lidhje me shmangien për të raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. 

Nënkryetarja Nagavci, njoftoi se ministri Veliu, për herë të dytë nuk ishte i pranishëm në seancë plenare.  Kështu, diskutimin rreth kësaj pike e vazhdoi me inicuesen e interpelancës, deputeten Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, si dhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare.

Në cilësinë e inicueses, Kollçaku tha se çdo pyetje adresuar ministrit Veliu, ka mbetur pa përgjigje edhe përkundër tentatiave të njëpasnjëshme. Ajo theksoi se Veliu nuk u është përgjigjur ftesave të komisionit për raportim, dhe nuk ka dhënë datë se kur mund të jetë i pranishëm që t’i përgjigjet detyrës kushtetuese që i takon. Deputetja Kollçaku, ndër tjerash përmendi disa nga çështjet që bien përsipër Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe e cilësoi papërgjegjësi heshtjen e Veliut, karshi raportimit që duhet ta bëjë.

“Mos performanca e mirë kërkon sqarim”, theksoi ajo, duke bërë ftesë që Kuvendi të kërkojë raport me shkrim nga Ministria e Punëve të Bredshme për veprimtarinë e saj. 

Lidhur me këtë interpelancë, në emër të GP të LVV, fjalën e mori deputeti Mefail Bajqinovci, i cili bëri disa pyetje, dhe dha disa arsye që sipas tij, ministri Veliu nuk po vjen për raportim në Kuvend. Deputeti Bajqinovci, theksoi se interpelanca nuk ka filluar, derisa prezent për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve nuk është ministri Veliu.

Por, këtë konstatim e kundërshtoi deputeti Arben Gashi, i cili në emër të GP të LDK-së, theksoi se interpelanca ka filluar, veçse “po ka abuzim dhe kapje për përfitime personale në udhëheqjen e kësaj interpelance”.

Pastaj nga GP i PDK-së, fjalën e mori deputetja Ganimete Musliu, e cila e konsideroi interpelancën të pa konsumuar. Ajo ndër tjerash tha se Veliu ka përgjegjësi ndaj Kuvendit dhe qytetarëve që të raportojë për punën e tij. Deputetja Musliu, po ashtu e quajti abuzim me nënshkrime, çasjen e LVV ndaj mënyrës se si po ndërveprojnë në interpelancë, dhe se si po e përdorin atë për të bërë fushatë.

Ndërkaq, deputeti Bekë Berisha nga GP i AAK-së, tha se qëllimi i interpelancës ka qenë që të adresohen disa pyetje dhe dilema për ministrin Veliu. E meqë ministri Veliu nuk ishte prezent, ai propozoi që kjo seanca të ndërpritet. 

Kështu që, nënkryetarja Nagavci, duke përmendur se mungesa e një ministri për të raportuar në Kuvend dy herë radhazi është një situatë e re, njoftoi për ndërprerjen e punimeve të kësaj seance. Për vazhdimin e interpelancës së ministrit Veliu, do të vendos Kryesia e Kuvendit të Kosovës në një nga mbledhjet e radhës.