Kuvendi i Republikës së Kosovës

Sekretari Krasniqi priti në takim një delegacion nga Austria

11.12.2019

Në vazhdën e bashkëpunimit midis Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe atij të Austrisë, sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka pritur në takim një delegacion nga Austria, në përbërje: Elisabeth Schindler-Mueller, zyrtare e lartë e Parlamentit austriak dhe Robin Gosejohann nga Fondacioni ERSTE.

I pranishëm në takim ishte edhe ambasadori i Austrisë në Kosovë, Botschafter Christoph Weidinger.

Temë bosht e këtij takimi ishte vazhdimi i Programit “Punëtoritë për Demokraci”, një produkt ky i realizuar për më shumë se dy vjet, falë bashkëpunimit midis Kuvendit të Kosovës, Parlamentit të Austrisë dhe Fondacionit ERSTE.

Duke falënderuar zyrtarët austriakë dhe ambasadorin Weidinger për mbështetjen ndaj Kuvendit të Kosovës dhe në veçanti ndaj këtij programi, sekretari Krasniqi i njoftoi ata se Kuvendi tashmë ka rifilluar këtë program, ndërsa shtroi nevojën që ai të funksionalizohet në kapacitete të plota, sa më shpejt që të jetë e mundur.

Mysafirët austriakë, nga ana e tyre, u ndanë të kënaqur me vendosmërinë e Kuvendit të Kosovës për të çuar përpara Programin “Punëtoritë për demokraci”, si një mundësi për të përcjellë te filloristët njohuri për demokracinë, funksionimin e Kuvendit, miratimin dhe zbatimin e ligjeve, rolin e mediave në një shoqëri pluraliste, zgjedhjet, qytetarinë aktive etj.