Kuvendi i Republikës së Kosovës

U konstituua Legjislatura VII e Kuvendit të Republikës së Kosovës

26.12.2019

Zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit, ka shënuar sot edhe konstituimin e Legjislaturës VII të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit.

 

Kryetar i Kuvendit u zgjodh deputeti Glauk Konjufca (Vetëvendosje), ndërsa nënkryetarë Arbërie Nagavci (Vetëvendosje), Kujtim Shala (LDK), Memli Krasniqi (PDK), Sllavko Simiq (LS) dhe Fikrim Damka (komunitetet pakicë joserbe).  

 

Zgjedhjes së Kryesisë së re i parapriu verifikimi i kuorumit dhe mandateve të deputetëve, nga komisioni i përkohshëm i themeluar nga Kuvendi, si dhe më pas betimi i deputetëve.

 

111 deputetët e pranishëm dhanë betimin, në seancën e kryesuar nga deputeti më i vjetër Jahja Kokaj dhe deputetja më e re e kësaj legjislature, Fjolla Ujkani.

 

Në vazhdim, konform rendit të ditës, u procedua me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.

 

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për kryetar të Kuvendit propozoi deputetin Glauk Konjufca, për të cilin 75 deputetë votuan për, 27 ishin kundër dhe 6 të tjerë abstenuan.

 

Pas këtij votimi kryesuesi konstatoi se kryetar i Kuvendit zgjidhet Glauk Konjufca.

 

Seanca vazhdoi me zgjedhjen e nënkryetarëve nga partitë shqiptare. Në pako për nënkryetarë të Kuvendit u votuan Arbërie Nagavci nga Vetëvendosje, Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës. Në votim morën pjesë 111 deputetë, prej të cilëve 104 votuan për, 1 ishte kundër dhe 3 abstenuan.

 

Lista Serbe propozoi deputetin Sllavko Simiq, ndërsa deputeti Fikrim Damka u propozua nga komunitetet e tjera jo serbe.

 

Të propozuarit morën besimin e 92 deputetëve, ndërsa 2 të tjerë votuan kundër dhe 2 abstenuan.

 

Pas zgjedhjes kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca mbajti një fjalë rasti, gjatë të cilës falënderoi të gjithë ata që mundësuan themelimin e Legjislaturës VII të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

 

“Ne qysh në fillim duam t’ju falënderojmë që e themeluat Legjislaturën VII. Ju falënderojmë që na besuat këtë detyrë të rëndësishme dhe me shumë përgjegjësi. Ne ju garantojmë që si Kryesi e Kuvendit të Republikës së Kosovës do t’i kryejmë detyrat tona ashtu siç kërkohet, me shumë nder, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës dhe sipas Kushtetutës sonë që është në fuqi. I falënderojmë ambasadorët e pranishëm në këtë seancë themeluese të Kuvendit dhe të gjithë mysafirët të cilët na kanë nderuar me praninë e tyre”, theksoi ndër të tjera kryetari i ri i Kuvendit.

 

Kryetari Konjufca falënderoi gjithashtu edhe qytetarët për besimin, përderisa njoftoi për mbylljen e punimeve të seancës konstituive të legjislaturës së re.