Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryeparlamentari Daci priti ambasadorin e NATO-s në Shkup

18.03.2015
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot ambasadorin e NATO-s në Shkup, z. Nikolaais Biegman dhe ka këmbyer mendime me të për zhvillimet në Kosovë dhe në regjion, me theks të veçantë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë. Daci ka folur për rrjedhat aktuale në Kosovë dhe hapat që janë bërë në institucionalizimin dhe demokratizimin e vendit. Ai ka vënë në pah sigurinë në rritje për të gjithë qytetarët e Kosovës, por ka theksuar ngecjen ekonomike të vendit dhe përpjekjet e pamjaftueshme të administratës ndërkombëtare për zhvillim të përshpejtuar ekonomik. Ai është shprehur se prania e NATO-s në Kosovë do të jetë shumë e nevojshme edhe pas pavarësimit të vendit, sepse NATO do të jetë garancë e fortë për paqe dhe stabilitet në këtë pjesë të Evropës.
Ajo që ndodh në Kosovë është e rëndësishme edhe për Maqedoninë, është shprehur ambasadori i NATO-s në Shkup, Nikolaais Biegman, i cili ka vënë në spikamë rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë Prishtinë“Shkup. Praninë e NATO-s në Kosovë, ndërkaq e ka parë në prizmin e sigurisë së vendit dhe të qytetarëve të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Sa i përket stabilitetit të rajonit, Biegman është shprehur se ka arritje pozitive në këtë plan.
Profesor Daci e ka përshëndetur Ligjin për Universitetin e Tetovës dhe është shprehur i kënaqur që shqiptarët në Maqedoni po i sendertojnë të drejtat e tyre, konform Marrëveshjes së Ohrit.
Ai i ka dhënë mbështetje të plotë stabilitetit të Maqedonisë dhe ka theksuar nevojën për thellimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.