Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit të Ekonomisë, Tregtisë, Industrisë, Energjetikës, Transportit dhe Telekomunikacionit

18.03.2015
Komisioni i Ekonomisë, Tregtisë, Industrisë, Energjetikës, Transportit dhe Telekomunikacionit i cili kryesohej nga kryetarja e Komisionit, znj. Myzejene Selmani, ka mbajtur sot një mbledhje në të cilën pikë kryesore e rendit të ditës ishte shqyrtimi i Raportit vjetor (për vitin 2008) i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike.

Në mbledhjen e theksuar përveç anëtarëve të Komisionit, merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike të kryesuar nga kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike, z. Ali Hamiti.

Në këtë mbledhje duke diskutuar për aktivitetet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike për vitin 2008, z. Hamiti ka theksuar se kjo zyre aktivitetet e veta i ka përqendruar në përmbushjen e detyrave të cilat dalin nga Planprogrami i kësaj zyreje për vitin e theksuar. Deri në fund të vitit 2008 Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike i ka lëshuar 5 licenca të reja për 5 subjekte juridike. Në vazhdim z. Hamiti përveç të tjerash ka theksuar se prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë në vitin 2008 në termocentrale ka arritur shumën prej 4.451.3 GWh, ndërsa në hidrocentrale ka arritur shumën prej 75.7 GWh. Kështu që në termocentrale në fund të vitit 2007 ka ardhur deri te rritja e prodhimtarisë së energjisë elektrike prej 5.0%, ndërsa në hidrocentrale ka ardhur deri te zvogëlimi i prodhimit të energjisë elektrike për 19.2%. Shpenzimi i energjisë elektrike në Kosovë gjatë vitit 2008 krahasuar me vitin 2007 është rritur për 7.85%, dhe shpenzuesi më i madh ishte fabrika Alferon (ish Feronikeli). Ndërsa në vitin 2008 importi i energjisë elektrike ka arritur në 457.817 MWh dhe krahasuar me importin e vitit 2007 është zvogëluar për gjithsej 81, 995 MWh. Në fund z. Hamiti ka theksuar që për shkak të vjetërsimit të pajisjeve të termocentraleve të rrjetit të distribuimit për bartjen e energjisë elektrike, për shkak të vështirësive të ndryshme teknike si dhe për shkak të mosrealizimit të pagesës së energjisë elektrike nga ana e konsumatorëve, gjendja e gjithëmbarshme në sistemin elektroenergjetik në Kosovë nuk është në nivelin e duhur.

Pas një diskutimi gjithëpërfshirës përkitazi me këtë pikë të rendit të ditës, Raporti vjetor (për vitin 2008) i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike është miratuar nga ana e Komisionit, dhe si i tillë do t™i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës në shqyrtim.