Fushëveprimi i komisionit përfshin:
- Shqyrtimin e Projektligjit vjetor për ndarjet buxhetore dhe rishikimin e tij;
- Shqyrtimin e projektligjeve në fushën e financave publike dhe financave në përgjithësi;
- Shqyrtimin e projektligjeve për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga Republika e Kosovës dhe bën rekomandime për Kuvendin;
- Shqyrtimin e projektligjeve dhe amendamenteve të propozuara, në aspektin e ndikimit buxhetor të tyre, në kuadër të përgjegjësive, si komision i përhershëm dhe bën rekomandime në komisionin përkatës funksional dhe në Kuvend;
- Të drejtën për të propozuar dhe hartuar projektligje;
- Shqyrtimin e raportit vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës;
- Shqyrtimin e raporteve vjetore të institucioneve/organeve të pavarura, që raportojnë në Kuvend dhe që bien në fushëveprimin e komisionit;
- Mbikëqyrjen e zbatimit të politikave publike dhe legjislacionin në fushën e menaxhimit të financave publike, të standardeve të kontabilitetit dhe raportimit financiar, të borxhit publik, prokurimit publik, politikave makroekonomike dhe fiskale, si dhe ndihmës shtetërore;
- Mbikëqyrjen e zbatimit të rregullës fiskale të përcaktuar me Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë;
- Mbikëqyrjen e politikave buxhetore në ekzekutimin e pagave, skemave sociale dhe pensionale, në pajtim me legjislacionin në fuqi;
- Mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve, në kuadër të fushëveprimit të tij;
- Organizimin e dëgjimeve publike, në pajtim me nenin 66 të Rregullores së Kuvendit;
- Raportim, me iniciativën e komisionit ose me kërkesën e Kuvendit, në mbledhje plenare për çështjet nga fushëveprimi i tij;
- Shqyrtimin e çështjeve të tjera, të përcaktuara me këtë Rregullore dhe çështjet, të cilat me vendim të veçantë të Kuvendit apo me përfundim të Kryesisë së Kuvendit, i barten këtij komisioni.
Në ushtrimin e funksioneve të tij, në përputhje me fushëveprimin dhe legjislacionin në fuqi, komisioni bashkëpunon me Ministrinë e resorit përkatës për Financa dhe Transfere, me organizatat tjera buxhetore dhe institucionet tjera, nga të cilat mund të kërkojë raporte dhe të dhëna konkrete, duke përfshirë edhe raportimin e tyre në mbledhje, kur kjo kërkohet nga komisioni.