26.12.2019 - 06.01.2021
u.d.Presidente e Republikës së Kosovës
Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës
Dr. Vjosa Osmani-Sadriu lindi më 17 maj 1982 në Mitrovicë, Republika e Kosovës. Shkollimin fillor dhe të mesëm i ka mbaruar në Mitrovicë. Ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet Master dhe studimet e Doktoraturës i ka mbaruar në Universitetin e Pittsburgh-ut në Pensilvani, ShBA.
Është zgjedhur deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës në katër mandate duke u bërë gruaja më e votuar në histori të zgjedhjeve parlamentare dhe politikania e dytë më e votuar në zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Në mandatet e kaluara ka udhëhequr Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, Komisionin për Integrime Europiane dhe ka qenë Nënkryetare e Komisionit për Reformë Kushtetuese.
Më 3 shkurt 2020, Vjosa Osmani u zgjodh Kryetarja e parë grua e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me 5 nëntor 2020, Vjosa Osmani bëhet u.d. Presidente e Republikës së Kosovës.
Gjatë viteve 2006-2010, Vjosa Osmani ka shërbyer si Shefe e Stafit e Presidentit Sejdiu dhe Këshilltare e Lartë për çështje Ligjore dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ajo ka përfaqësuar Presidentin në Komisionin për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ka qenë anëtare e ekipit përfaqësues të Republikës së Kosovës në rastin para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Që nga viti 2006 ka ligjëruar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa si profesor vizitor ka ligjëruar edhe në Universitetin e Pitsburgut në ShBA. Për disa vite ka ligjëruar edhe në RIT – Kosovo (AUK), Kolegjin AAB – Riinvest si dhe ka mbajtur ligjerata tematike në universitete të tjera në Evropë e në SHBA.
Nga Universiteti i Pitsburgut është nderuar me cmimin “Sheth International Award”. Është anëtare e Bordit të Rrjetit Parlamentar të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe anëtare në Komisionin Drejtues të Deputetëve të rinj të Bankës Botërore dhe FMN-së.
Flet gjuhën angleze, turke, serbokroate dhe komunikon në spanjisht. Është e martuar me Prindon Sadriun me të cilin kanë dy vajza binjake, Anda Elisa Sadriu dhe Dua Tiara Sadriu. Jeton në Prishtinë.