Kuvendi i Republikës së Kosovës

Fjalimi i kryetares së Kuvendit, dr. Vjosa Osmani, me rastin e adresimit të Komisionerit të BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, z. Oliver Varheliy, në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës

08.10.2020

I nderuar Komisioner i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, shkëlqesia juaj, z. Oliver Varhelyi,

I nderuar kabinet qeveritar,

Të nderuar deputetë,     

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

 

 

Më lejoni që në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, përfaqësuesve të zgjedhur të tyre në Kuvendin e Kosovës, t’ju uroj mirëseardhje në Kosovë, në vendin e njërit nga qytetërimet më të lashta të Evropës, qytetërimit ilir, në vendin e popullit tek i cili flamuri i proeuropianizmit valëvitet më së larti në kontinentin e vjetër.

 

Prania juaj sot këtu, në cilësinë e përfaqësuesit të BE-së, është dëshmi e ruajtjes së këtyre lidhjeve të hershme kulturore, politike dhe qytetëruese mes civilizimeve tona dhe e aleancës së fuqishme mes popujve të Evropës, e cila zë fill në antikën e hershme, është ruajtur e forcuar në mesjetë dhe pastaj është mbrojtur edhe në kohët tona. Pra, ju sot jeni në vendin ku gjenden rrënjët e hershme të qytetërimit evropian.

 

Sot, ne evropianët e vjetër, jemi të përkushtuar më shumë se kurrë që ta ruajmë këtë frymë integruese, duke i njohur vlerat e njëri-tjetrit dhe duke i respektuar ato. Ne jemi të përkushtuar për ta rilidhur këtë fije të zbehur integruese, për shkak të rrethanave historike, por edhe stërzgjatjes së proceseve politike.

 

Vizita juaj vjen pikërisht në kohën kur diskursi mbi integrimin evropian është rikthyer i fuqishëm në vendin tonë, pas publikimit të raportit për Kosovën nga Komisioni Evropian. Porse, sikur e dini, mjegulla që e ka karakterizuar këtë proces për vite me radhë, nuk është larguar ende.

 

Për Republikën tonë, roli i BE-së është i patjetërsueshëm. Anëtarësimi në BE mbetet një ndër prioritetet themelore të Republikës sonë. Njësoj, edhe në procesin e dialogut, roli i BE-së është i rëndësisë së veçantë, në bashkë-koordinim me ShBA-të. Ky parlament dhe qytetarët e Kosovës e kanë bërë të qartë se në dialog nuk pranojnë as ndryshim kufijsh e as defunksionalizim të shtetit tonë nëpërmjet ideve që mund të krijojnë edhe një Republikë Sërpska në rajonin tonë.

 

Qytetarët e Republikës së Kosovës po ashtu janë mirënjohës e falënderues për asistencën e vazhdueshme financiare dhe jo vetëm, të cilën e kemi pranuar e vazhdojmë ta pranojmë nga Bashkimi Evropian ndër vite, e në veçanti tani në kohë të pandeminë. Ju faleminderit në emër të secilit qytetar që ka përfituar nga kjo asistencë.  

 

Në të njëjtën mënyrë, edhe institucionet e Kosovës janë të vetëdijshme që rruga drejt BE-së kërkon përkushtim përtej fjalësh, kërkon vepra konkrete, koordinim e përpikëri në zbatim të obligimeve të veta.

 

Ne e kuptojmë se procesi i integrimit evropian është një maratonë, por edhe maratonat kanë një fund.

 

Prej një dekade, institucionet e Kosovës, jo vetëm që kanë bërë përpjekje për t`i përmbushur kriteret e kërkuara për liberalizimin e vizave, por i kanë plotësuar që të gjitha, siç e ka përmendur dhe pranuar edhe vet Komisioni Evropian.

 

Pra, mosliberalizimi i vizave nuk i bën ndër as vet Bashkimit Evropian, e as shteteve anëtare të këtij unioni.  

 

Maratona që e kemi nisur më 2018 duhet ta ketë një epilog. Ne na duhet një marathanomak, që jep kumtin, të cilin prej vitesh e presin qytetarët e Kosovës. Kosovës duhet liberalizuar vizat tani!

 

Duke uruar që ju personalisht, por edhe të gjitha institucionet e tjera të BE-së të angazhohen fuqishëm, sikur i përket pozitës suaj të lartë, që fijet e zbehura në lidhjet mes popujve të ribëhen dhe që mozaiku i qytetërimeve dhe i kulturave evropiane të plotësohet nën drejtimin e tyre edhe me shtetin tonë, ju ftoj që nëpërmjet kësaj foltoreje t’i drejtoheni popullit të Kosovës.